Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Fjala_e_Ministrit_Bushati_AFET.pdf

Faleminderit zoti Kryetar,

Të nderuar anëtarë të Komitetit

Zonja dhe zotërinj,

Është kënaqësi e veçantë të ndodhem sot mes jush. Kjo mbledhje është një mundësi e mirë për t’ ju informuar mbi prioritetet dhe aktivitetet e zhvilluara në kuadër të Kryesisë shqiptare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP)

Rritja e vëmendjes së institucioneve të BE-së mbi proceset e bashkëpunimit rajonal në Evropën juglindore ka një rëndësi të madhe për të gjithë ne.

Parlamenti Evropian ka qenë gjithmonë mbështetës aktiv i përpjekjeve të vendeve tona drejt proceseve integruese rajonale dhe evropiane. Është inkurajuese që puna e përbashkët e SEECP dhe RCC, krahu operativ i saj, përkrahet nga institucionet e BE-së, ashtu siç u riafirmua në Konkluzionet e Këshillit të 16 dhjetorit 2014.

Shqipëria ka marrë kryesimin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) që prej muajit qershor 2014. SEECP nuk është vetëm platforma më e rëndësishme politike në Evropën Juglindore, por ndër  vite, përmes Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, është bërë një nga instrumentet kryesore të bashkëpunimit rajonal.

Motoja e Kryesisë sonë “Pronësia rajonale në veprim” përpiqet të reflektojë thelbin e SEECP-së, si një nismë e brendshme dhe pro-aktive, që synon një partneritet gjithnjë e më të ngushtë në Evropën juglindore në kuadër të procesit të pranimit në BE.

Shtyllat e Kryesisë shqiptare të SEECP-së janë: pronësia rajonale, solidariteti rajonal dhe gjithë përfshirja.

Synimi ynë kryesor është ecja përpara, duke punuar ngushtë mbi çështjet që na bashkojnë dhe kapërcyer ato çështje për të cilat kemi pikëpamje të ndryshme.

Prioritetet tona politike janë: përforcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit rajonal; përmirësimi i  marrëdhënieve me fqinjët; dhënia e kontributit në sfidat e stabilitetit dhe sigurisë në rajon; mbajtja gjallë e procesit të integrimit evropian; rritja dhe mbështetja e projekteve të përbashkëta rajonale, në kuadër të Konferencës së Berlinit dhe procesit të saj.

Dua të theksoj faktin se, së fundmi, Ballkani perëndimor ka njohur mjaft zhvillime të rëndësishme dhe pozitive. Megjithatë, siguria e qëndrueshme dhe paqja në rajon nuk duhet të merren për të mirëqena. Rajoni ynë mund të përshkruhet si një mozaik procesesh të ngrira, për sa kohë çështjet dypalëshe të pazgjidhura kanë potencialin të rrezikojnë të ardhmen e qytetarëve tanë dhe atë që kemi arritur deri më tani, sa i përket bashkëpunimit rajonal.

– Ekzistojnë mosmarrëveshje të ngrira

– Ekzistojnë dhe procese demokratizimi të ngrira

Në këtë kontekst, mbajtja e rajonit nën vëzhgim është e domosdoshme nëse duam që rajoni të vazhdojë avancimin në rrugën e paqes dhe të bashkëpunimit.

Në terma më praktikë, siguria e procesit të integrimit në BE është e vetmja mënyrë për të inkurajuar dhe motivuar shoqëritë dhe administratat tona publike.

Besueshmëria dhe suksesi i politikës së zgjerimit në Ballkan mund të shërbejnë si frymëzim për reformatorët e orientuar drejt BE-së në rajonet tona fqinje lindore dhe jugore.

Ne nuk kërkojmë privilegje, por një proces të besueshëm dhe të parashikueshëm për vendet e Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE.

Në këndvështrimin tonë, procesi i Berlinit është një mundësi e mirë për të ripërtërirë procesin e anëtarësimit, duke bërë të mundur që ky proces të mbetet një mjet që transformon rajonin në një hapësirë ​​të gjallë dhe të begatë demokratike.

Ne mendojmë se bashkëpunimi rajonal duhet të jetë më konkret dhe i shtrirë në të gjitha fushat të cilat mundësojnë rritjen, konkurrencën, qëndrueshmërinë dhe konsolidimin ekonomik, të tilla si:

– Rritja e tregtisë dhe shkëmbimeve të njerëzve përmes konsolidimit të zonës ekonomike rajonale dhe zbatimit të mirëfilltë të marrëveshjeve të tregtisë së lirë.

– Përforcimi i rrjetit infrastrukturor rajonal, transportit dhe energjisë, me akse që shkojnë përmes linjave të mëdha të trafikut dhe rrjedhave të këmbimit.

– Përforcimi i dimensionit të sigurisë në rajon, përmes demokratizimit të shoqërive tona, luftës së përbashkët kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme, deri në përmbushjen e standardeve më të larta për menaxhimin e integruar të kufirit.

Ne jemi të vetëdijshëm se kërcënimet aktuale me të cilat përballen shoqëritë dhe shtetet tona janë të brendshme dhe të jashtme, prandaj përpjekjet tona për t’iu bërë ballë këtyre kërcënimeve duhet të jenë gjithëpërfshirëse, ​​të mirë-koordinuara dhe të përfshijnë edhe aktorët e shoqërisë civile.

Kryesia shqiptare e SEECP mbetet e angazhuar që të maksimizojë përpjekjet rajonale për të zbehur diferencat e mundshme mes agjendave kombëtare të secilit vend dhe për t’i dhënë rëndësi synimeve tona të përbashkëta, me qëllim mbështetjen e projekteve rajonale në fushat e identifikuara në Konferencën e Berlinit për Ballkanin Perëndimor, mbajtur në muajin gusht 2014.

Ky është një proces i cili kërkon shumë vendosmëri, vullnet politik dhe mbështetje. Ne shpresojmë që mbështetja e Parlamentit Evropian për rolin dhe veprimtaritë e SEECP-së të vazhdojë.

Rajonet fqinje me BE-në po ndryshojnë me një ritëm gjithnjë e më të shpejtë, me pasoja të pashmangshme për rajonin tonë. Për këtë arsye ne besojmë se Bashkimi Evropian duhet t’i kushtojë vëmendje më të madhe rëndësisë së ardhme gjeopolitike të rajonit të SEECP. Jo vetëm konflikti në Ukrainë, por edhe shpërthimet barbare dhe të dhunshme të Shtetit Islamik përbëjnë një kërcënim serioz të sigurisë si për kufijtë tanë, ashtu edhe në terma rajonalë.

Duke e konsideruar rrezikun e grupeve ekstremiste dhe terrorizmit si një kërcënim për rajonin tonë, Evropën dhe mbarë botën, vetëm dhjetë ditë më parë, gjatë takimit të Ministrave Punëve të Jashtme të SEECP-së në Tiranë, ne miratuam një deklaratë të përbashkët kundër terrorizmit, nëpërmjet të cilës riafirmuam angazhimin tonë për ndërmarrjen e reformave të mëtejshme, forcimin e shtetit ligjor, zbatimin e politikave për të rinjtë, arsimin dhe zhvillimin ekonomik.

Së fundmi, më lejoni të theksoj se parlamentarët dhe bashkëpunimi parlamentar janë gjithashtu komponentë shumë të rëndësishëm të bashkëpunimit rajonal.

Në këtë aspekt, më lejoni t’ju informoj se sesioni zyrtar i Asamblesë Parlamentare të SEECP do të mbahet në Tiranë. Parlamenti Evropian është i ftuar të dërgojë përfaqësuesit e saj në këtë takim, si edhe në Samitin e Kryetarëve të Shteteve / Qeverive.

Faleminderit për vëmendjen.