Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Të nderuar kolegë deputetë të Parlamentit Evropian dhe të Kuvendit të Shqipërisë,

Është kënaqësi dhe privilegj për mua që t’i drejtohem sot takimit të VIII të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri.

Nga eksperienca ime personale, ky forum ka treguar në momente kritike për Shqipërinë, aftësinë për t’u ngritur mbi debatin dhe përplasjet politike të ditës, duke siguruar një platformë të përbashkët komunikimi ndërmjet Parlamentit Evropian dhe Kuvendit të Shqipërisë në funksion të konsolidimit të procesit të integrimit Evropian.

Po kështu, Parlamenti Evropian ka qenë gjithnjë mbështetës aktiv i përpjekjeve të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt proceseve integruese rajonale dhe Evropiane.

Falë edhe kësaj mbështetje, Ballkani Perëndimor ka njohur zhvillime të rëndësishme dhe pozitive. Megjithatë, siguria e qëndrueshme dhe stabiliteti demokratik në rajon nuk duhet të merren për të mirëqena.

Sepse rajoni ynë mbetet ende hapësira brenda Evropës ku ka mosmarrëveshje dhe procese demokratike të ngrira, për sa kohë çështjet dypalëshe të pazgjidhura dhe deficitet e shtet-ndërtimit demokratik kanë potencialin të rrezikojnë të ardhmen e qytetarëve tanë.

Një riangazhim strategjik nga BE, do të ishte shtysa e vetme drejt proceseve demokratizuese dhe garancia për një perspektive më të sigurt politike dhe ekonomike të rajonit.

Në të kundërt, nëse ne së bashku do të konsiderojmë këtë ecuri në trajtën e “bussines as usual”, mund të krijohet një boshllëk që mund të kërkohet të mbushet nga aktorë të tretë, të cilët me incentiva politike apo ekonomike, mund të zbehin interesin dhe vendosmërinë e vendeve të rajonit për projektin Evropian.

Kjo nuk do të thotë se kërkojmë “biletë më çmim të reduktuar” drejt BE-së, por në të kundërt një proces të besueshëm dhe të parashikueshëm.

Në këndvështrimin tonë, “Procesi i Berlinit” është një mundësi e mirë për të ripërtërirë procesin e anëtarësimit, duke bërë të mundur që ky proces të mbetet një mjet që transformon rajonin në një hapësirë​​të gjallë dhe të begatë demokratike.

Si kryesuese e radhës e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Jug-Lindore (SEECP) Shqipëria ka synuar një bashkëpunim rajonal më konkret dhe të shtrirë në të gjitha fushat që mundësojnë rritjen, konkurrencën, qëndrueshmërinë dhe konsolidimin ekonomik.

 

Të nderuar deputetë,

Përsa i përket ecurisë së procesit të reformave në Shqipëri, fokusi jonë mbetet mbi prioritetet kyçe. Rezultatet konkrete si dhe angazhimi për të ruajtur momentin pozitiv dhe energjinë e krijuar pas marrjes së statusit të vendit kandidat, na inkurajojnë për të parë më tej drejt hapit të radhës.

Fillimi i bisedimeve për anëtarësim është objektivi ynë i radhës dhe sfidë e rëndësishme që do të sjellë një fokusim më të madh brenda vendit për një angazhim të shumëfishtë në “kantierin e vërtetë të punëve” të procesit të integrimit.

Ne kemi shprehur dëshirën për të diskutuar me Komisionin për një kornizë kohore dhe një koreografi të veprimeve që do ta na çojnë drejt një rekomandimi për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit.

Pasi për ne negociatat janë më shumë se një instrument. Nuk janë thjeshtë një etapë e procesit, por vetë procesi që garanton progresin e reformave transformuese.

Ne jemi të kujdesshëm për të mos krijuar pritshmëri iluzive, pasi kemi parë edhe eksperiencën e vendeve të tjera të rajonit dhe jemi të qartë se dhënia e rekomandimit nuk do të thotë automatikisht fillimi i bisedimeve për anëtarësim.

Precedentët e përdorur me Malin e Zi apo Serbinë me hapa të ndërmjetëm mund të përdoren edhe në rastin tonë. Për më tepër që ne po adresojmë përmbajtjen e kapitujve 23 dhe 24 të acquis nëpërmjet prioriteteve kyçe, gjë të cilën vendet e përmendura e adresojnë nëpërmjet procesit të negociatave.

Procesi i hapjes së negociatave do të ndihmonte gjithashtu për një shpërndarje kapilare të përgjegjësisë për të perfomuar në fushat ku fokusohet negocimi.

Në këtë kontekst, takimi i radhës i Dialogut të Nivelit të Lartë BE-Shqipëri që do të mbahet në Tiranë në 24 mars, duhet të shfrytëzohet si një takim pune për përcaktimin e koreografisë dhe hapave që do të na çojnë drejt një rekomandimi.

Ligji i ri i sapo miratuar në Kuvend “Për punën e Kuvendit në procesin e integrimit evropian” dhe krijimi i “Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian” do të fuqizojnë angazhimin e Kuvendit në këtë proces, duke e bërë atë një temë të përditshme të gjithë spektrit të politikbërjes.

Angazhimi dhe dedikimi në nivel parlamentar, është më se i nevojshëm për ta bërë procesin pjesë të të gjithë niveleve shtetërore dhe jo thjesht të përqendruar në disa hallka ekzekutive. Ne do të mirëprisnim ndihmën dhe mbështetjen tuaj në këtë drejtim.

Ju faleminderit!