Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

KUR RAJONI ËSHTË RAJON: DISA REFLEKTIME MBI  BALLKANIN  PERËNDIMOR

 

Zonja dhe zotërinj,

Ju falënderoj për mikpritjen!

Jam shumë i kënaqur që shoh kaq shumë pjesëmarrës sot, dhe mirëpres diskutimin që do të vijojë.

Me Holandën kam një lidhje personale, duke qenë se kam studiuar në Leiden – njëlloj si kolegu im, Ministri i Energjisë, si dhe shumë shqiptarë të tjerë që kanë studiuar në institucione të ndryshme të arsimit të lartë në Holandë.

Edhe si Ministër i Punëve të Jashtme, kam një lidhje të ngushtë me Holandën. Për t’i thënë të tera duhet të përmend se viti i kaluar shënonte 100-vjetorin e misionit paqeruajtës holandez në Shqipëri, misioni i parë paqeruajtës në Evropë.

Por do të doja të përmendja vecanërisht marrëdhënien ndërmjet MPJ-së dhe Institutit Clingendael, i cili ka hapur dyert dhe ekspertizën e tij për diplomatët e rinj nga Shqipëria prej mbi 20 vjetësh. Nëse do të përmblidhja me një fjalë të vetme përshtypjet e diplomatëve të rinj pas rikthimit në Tiranë, ajo do të ishte: “frymëzim”. Kjo nuk është diçka e lehtë për t’u arritur në ditët e sotme, kështu që dua të përfitoj nga ky rast dhe t’ju falënderoj!

Tani, më lejoni të vazhdoj me temën e ditës: “Kur rajoni është rajon: disa reflektime mbi Ballkanin perëndimor”.

Një rajon mund të formohet nga gjeografia, nga gjuha, nga kultura, nga feja, madje dhe nga marketingu i një kompanie… Por nëse një hapësirë mund të quhet rajon, kjo varet nga këndvështrimi.

Në këndvështrimin tim, krahas gjuhës së përbashkët, kulturës, fesë, gjeografisë … një rajon është rajon i vërtetë, vetëm kur popujt e tij vendosin që duan të ndajnë një të ardhme të përbashkët.

Mungesa e komunikimit, pengesat gjeografike, edhe një histori fatkeqe mund të tejkalohen, kur një rajon bazohet në vlera të përbashkëta; dhe vlerat për të cilat ne kemi deklaruar angazhimin tonë, janë ato vlera mbi të cilat është ndërtuar BE-ja.

Megjithatë, ende hezitoj ta quaj Ballkanin Perëndimor një rajon të vërtetë, edhe pse një gjë e tillë mund të diktohet nga gjeografia.

Afërsia gjeografike nuk mjafton. Duhet të jemi të bashkuar; dhe nuk e kam fjalën këtu për bashkimin falë një synimi të njëjtë, por për koordinim dhe partneritet të mëtejshëm.

Dy dekadat e fundit nuk kanë qenë të lehta për Ballkanin Perëndimor : fqinjët tanë kanë përjetuar gjakderdhje, shkatërrim e dobësi. Si demokraci e re, edhe ne kemi pasur sfidat tona. Por tashmë  kemi filluar ta kuptojmë më mirë njëri-tjetrin, sikurse kemi mësuar të vlerësojmë dallimet tona dhe të përfitojmë nga avantazhet krahasuese të njëri-tjetrit.

Më lejoni t’ju jap një shembull: nëntorin e kaluar, Kryeministri i Shqipërisë zhvilloi vizitën e parë të një udhëheqësi shqiptar në Serbi që prej vitit 1946. Kjo nuk ishte e lehtë, por ndihmoi për të krijuar kushtet për normalizimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë, të cilat janë të një rëndësie kyçe për stabilitetin demokratik të rajonit dhe avancimin drejt BE-së.

Por ne nuk duhet të harrojmë se BE-ja e 2015-ës është krejtësisht e ndryshme nga ajo e Samitit të Selanikut në 2003, ku u formëzua termi Ballkan Perëndimor dhe ku BE-ja u angazhua plotësisht për të përqafuar rajonin tonë përgjithmonë.

Çerek shekulli pas rënies së Murit të Berlinit, jemi sërish në kërkim të një rendi të ri ndërkombëtar. Në të njëjtën kohë, procesi i ribashkimit të kontinentit tonë mbetet i papërfunduar.

Jetojmë në një kohë kur parimet dhe praktikat e gjithëpranuara pas përfundimit të Luftës së Ftohtë janë vënë në pikëpyetje. Projekti evropian, Evropa, dhe fqinjët e saj jugorë dhe lindorë po tronditen nga sfidat e sigurisë, si dhe ato energjetike ose humanitare.

Sikur të mos mjaftonte, retorika në Evropë ka ndryshuar gjithashtu, duke përfshirë: lodhjen nga zgjerimi, “Grexit”, “Brexit” dhe ndarjet perëndim-lindje dhe veri-jug.

Ndërkohë, platformat kundër BE-së po fitojnë terren dhe islamofobia po përdoret mjeshtërisht nga partitë populiste.

Çfarë do të thotë kjo për Ballkanin Perëndimor?

Qytetarët e Ballkanit Perëndimor ende identifikohen me projektin evropian. Ata besojnë në parimet e BE-së dhe e konsiderojnë integrimin në BE si procesin e vetëm që garanton transformim demokratik dhe zhvillim socio-ekonomik. BE-ja është ende poli tërheqës.

Vlen të përmendet se orientimi i Ballkanit Perëndimor drejt BE-së ka krijuar gjithashtu një shkallë solidariteti ndërmjet vendeve tona.

Por, deri ku shkon ky solidaritet i frymëzuar nga Brukseli? Kriza në Ukrainë ka treguar se ai ka kufijtë e tij kur përballet me agjenda kontradiktore dhe interesa kombëtare konfliktuale.

Shqipëria ka linjëzuar 100% të qëndrimeve të saj në Politikën e Jashtme me ato të BE-së; jo të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë bërë një gjë të tillë. Kjo do të thotë se ne ende nuk jemi dhe nuk veprojnë si një rajon i vërtetë.

Evropa përballet me një sërë sfidash:

– Sfidat ndaj sovranitetit të një vendi fqinj, që nuk duket se do të mbarojnë me kaq;

– Terrorizmi në kufijtë tanë;

– Individë të radikalizuar që kthehen për të përhapur ideologjitë e tyre ekstremiste në Evropë;

– Pasiguria ekonomike.

E kuptoj që skepticizmi në rritje kundrejt BE-së vjen nga frika e dështimit të projektit evropian. Por nuk mund të mos vë në dukje natyrën paradoksale të debatit aktual mbi BE-në:

– Në vendet anëtare, debati mbi BE-në përqendrohet mbi konsolidimin fiskal, shpenzimet publike, papunësinë, emigracionin;

– Ndërsa e parë nga jashtë, BE-ja mbetet modeli më tërheqës për paqen, stabilitetin demokratik, mirëqenien sociale dhe suksesin ekonomik.

Nëse Ballkani Perëndimor është në paqe tani, kjo paqe nuk duhet të merret si e mirëqenë.

Ka ende mosmarrëveshje dhe procese demokratike të ngrira të cilat përforcojnë mendimin tim se rajoni ynë nuk është ende një rajon i mirëfilltë.

Por rreziqet për destabilitet në Ballkanin Perëndimor janë serioze, si për rajonin gjithashtu edhe për Evropën.

BE-ja ka aftësinë për  të evituar që brishtësia e Ballkanit Perëndimor të shndërrohet në paqëndrueshmëri.

Integrimi i mëtejshëm brenda Ballkanit Perëndimor dhe një vrull i ri në procesin e pranimit në BE do të garantojë sigurinë e vetë Bashkimit Evropian.

Kriza në Ukrainë nxori në pah rëndësinë e furnizimit të sigurt me energji për qytetarët dhe ekonominë e BE-së.

BE-ja duhet të sigurojë krahun e saj jug-lindor, ku projekte energjetike rajonale si TAP dhe IAP po marrin një rëndësi parësore. Këta dy gazsjellës, në përputhje me Strategjinë e BE-së për Sigurinë Energjetike, do të luajnë një rol të rëndësishëm për diversifikimin e burimeve si dhe për krijimin e një tregu rajonal të integruar, që do të funksionojë sipas rregullave dhe standardeve të BE-së.

Zonja dhe zotërinj,

As Bashkimi Evropian dhe as Ballkani Perëndimor nuk e kanë luksin të mbeten peng e një qasjeje pasive, e cila nuk siguron instrumente të fuqishme në mbështetje të rajonit. Nuk mund të lejojmë që procesi i anëtarësimit në BE  të mbetet një perspektivë e largët. Përkundrazi, integrimi duhet të shndërrohet në një garanci të prekshme. Kjo është e vetmja mënyrë që politikat e Komisionit Evropian dhe angazhimi i vendeve anëtare të japin rezultate konkrete.

Gushtin e kaluar, kancelarja gjermane Angela Merkel drejtoi samitin në Berlin me vendet e Ballkanit Perëndimor. Atë që ne e quajmë “Procesi i Berlinit”, është një mundësi për të rigjallëruar procesin e anëtarësimit në BE dhe për ta ndihmuar atë të mbetet një instrument transformimi i Ballkanit Perëndimor në një hapësirë demokratike të qëndrueshme dhe të begatë.

Gushtin që vjen, Procesi i Berlinit do të vijojë me një tjetër samit në Vjenë. Përpara samitit, Shqipëria në mënyrë aktive po koordinon përpjekjet për të pasur një paketë koherente projektesh infrastrukturore që do të përmirësojnë ndërlidhjen e rajonit.

Kjo ndërlidhje mund të ndihmojë në shfrytëzimin e potencialit zhvillimor që ekziston falë afërsisë gjeografike. Një rajon më i integruar do përshpejtonte rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse, dhe do të zvogëlonte hendekun mes vendeve lider dhe atyre që kanë mbetur pas.

Unë besoj se është në interesin e të gjitha shteteve anëtare të BE-së, dhe veçanërisht në interes të Holandës që ky proces te jetë i suksesshëm.

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj!