Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor në një kontekst të vështirë gjeopolitik

Shkëlqesi,
Zonja dhe zotërinj,
Ju falënderoj për mikpritjen tuaj dhe mundësinë që më jepni për të ndarë me ju sot disa mendime mbi sfidat me të cilat përballemi aktualisht në Ballkanin Perëndimor.
Viti 2015 shënon 70 vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Për fat të keq, teksa festojmë këtë përvjetor, tematika e luftës dhe paqes në Evropë është rikthyer sërish në një çështje dite.
Gjatë këtyre 70 viteve, janë bërë përpjekje të panumërta për të ndërtuar një rend ndërkombëtar bazuar tek e drejta ndërkombëtare.
Në ditët e sotme, siguria evropiane është nën kërcënimin e aktorëve shtetërorë dhe jo-shtetërorë në Lindje dhe Jug. Për pasojë, projekti i një Evrope të plotë e të lirë bëhet edhe më i ngutshëm, në një kohë kur sfidat e sigurisë, energjisë dhe sfidat humanitare shfaqen gjithnjë e më kërcënueshëm.
Kjo nuk është hyrja përshkruese e një skenari ogurzi që shfaqet para nesh, por më tepër një koment mbi debatin aktual që përqendrohet rreth çështjeve kyçe të sigurisë. Ukraina, Siria, Iraku, Irani, Libia, ekstremizmi fetar, pandemitë globale, ndryshimet klimatike janë kthyer në shqetësime kyçe, të cilat, adresimi i të cilave kërkon angazhimin tonë të përbashkët.
Krahasuar me çështjet e lartpërmendura, vendet e Ballkanit Perëndimor sigurisht duket se janë kthyer vende relativisht “të mërzitshme”, duke mos prodhuar lajme negative. Në njëfarë mënyre, ky është një lajm shumë i mirë në vetvete!
Gjeografikisht, vendet e Ballkanit Perëndimor janë evropiane. BE-ja është rreth nesh. Politikisht, vendet tona kanë një qëllim të përbashkët – të bëhen shtete anëtare të BE-së.
Kjo ka krijuar një solidaritet rajonal që nuk mund të nënvlerësohet. Për një rajon me një të kaluar të trazuar, kjo është arritje e madhe. Por, faktet në terren flasin gjithashtu për një tjetër histori.
Është mjaft e rëndësishme që të shihen nga afër tre tregues për periudhën 2003 – 2011 (një periudhë me rritje të konsiderueshme ekonomike, vetëm pak para se kriza e eurozonës të shpërthente plotësisht).
Nëse krahasojmë Produktin e Brendshëm Bruto (PBB), të Ardhurat Kombëtare Bruto (GNI) dhe rritjen e eksporteve vjetore për mallra dhe shërbime për frymë gjatë periudhës 2003-2011, është e qartë se vendet e BP kanë mbetur më të varfër në krahasim jo vetëm me shtetet e tjera anëtare të BE-së, por edhe me vendet e tjera të Ballkanit që tashmë i janë bashkuar asaj.
Kjo do të thotë se rajoni ynë nuk është vetëm i ndryshëm në aspektin e zhvillimit ekonomik, por se procesi i integrimit në BE ende pasqyron realitete të shekullit të kaluar.
Përpiquni të krahasoni Çekosllovakinë dhe Ballkanin në periudhën midis dy luftërave botërore. Ndërsa vendi juaj ishte dëshmitar i lulëzimit të demokracisë, rritjes ekonomike dhe fuqizimit industrial, Ballkani po bënte përpjekjet tij të para për shtet-ndërtim, ndërsa mundohej të largohej nga ndikimet e këqija të perandorive të rëna të Evropës së shekullit XIX.
Dikush mund të thotë se, për fat të keq, hendeku që ekzistonte në periudhën midis dy luftërave është ende i pranishëm sot. Kjo është arsyeja pse procesi i integrimit në BE për Ballkanin Perëndimor duhet të udhëhiqet nga nevoja për të mbyllur boshllëqet ekzistuese zhvillimore në rajonin tonë.
Në këtë prizëm, nuk mund të mos vë në dukje natyrën paradoksale të debatit aktual mbi Bashkimin Evropian:
– Në vendet anëtare, debati mbi BE-në përqendrohet mbi konsolidimin fiskal, shpenzimet publike, papunësinë, emigracionin, dhe nëse BE-ja mori vendimin e duhur kur pranoi që ky apo ai shteti i ri të anëtarësohej;
– E parë nga jashtë, BE-ja mbetet modeli më tërheqës për paqen, stabilitetin demokratik, mirëqenien sociale dhe suksesin ekonomik.
Projekti evropian aktualisht po përjeton një sprovë durimi e cila ka vetëm dy rrugëzgjidhje: integrimin e mëtejshëm ose stanjacionin. Sikur të mos mjaftonte kjo, retorika në Evropë gjithashtu ka ndryshuar, duke përfshirë terma të tilla si: “lodhja nga zgjerimi”, “Grexit”, “Brexit” dhe ndarjet perëndim-lindje dhe veri-jug.
Ndërkohë, platformat kundër BE-së po fitojnë terren dhe islamofobia po përdoret mjeshtërisht nga partitë populiste.
Ç’do të thotë kjo për Ballkanin Perëndimor?
Integrimi i Ballkanit Perëndimor është me rëndësi jetike për BE-në. Nga pikëpamja e sigurisë, kjo do të thotë sigurimi i krahut Juglindor ku aktualisht po ndërtohen linja të rëndësishme energjetike. Nga pikëpamja ekonomike, ato do të sigurojnë diversifikimin e shumëkërkuar. Dhe energjia qëndron në zemër të projektit evropian. Kështu filloi e gjitha.
Por, për t’iu kthyer sërish paradoksit të lartpërmendur dhe boshllëqeve ekzistuese ekonomike, duket se integrimi në BE dhe bashkëpunimi rajonal mund të shënojnë sukses vetëm në qoftë se Ballkani Perëndimor bëhet një rajon i vërtetë politikisht, ekonomikisht dhe nga pikëpamja e sigurisë.
Kriza në Ukrainë tregoi se solidariteti i frymëzuar nga Brukseli ka kufijtë e tij kur përballet me agjenda kontradiktore dhe interesa kombëtare konfliktuale. Shqipëria ka linjëzuar 100% të qëndrimeve të saj në politikën e jashtme me ato të BE-së. Jo të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë bërë një gjë të tillë. Kjo do të thotë se ne ende nuk jemi dhe nuk veprojnë si një rajon i vërtetë.
Në kuadrin e sigurisë, rajoni mbetet ende një projekt i papërfunduar. Shqipëria është anëtare e NATO-s, tre vende të tjera fqinje aspirojnë t’i bashkohen NATO-s (Mali i Zi, Maqedonia dhe BH), Serbia ka nënshkruar IPAP, ndërsa Kosovës ende i duhet të vendosë marrëdhënie të strukturuara institucionale me Aleancën.
Ballkani Perëndimor është ende një mozaik mosmarrëveshjesh të ngrira, të trashëguara nga një e kaluar mjaft e afërt. Nëse shtojmë edhe faktin se sfidat e sigurisë janë vetëm dy orë larg në Lindje dhe Jug, atëherë bëhet e qartë pse rajoni ka nevojë për perspektivë të qartë shoqëruar me ndarjen e përgjegjësive.
Shqipëria e ka dëshmuar pjesën e saj të përgjegjësisë kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen në luftën globale kundër ISIL. Ndihma jonë e vazhdueshme dhe pajisjet e siguruara për qeverinë e Irakut dhe luftëtarët Peshmerga tregon se një vend i vogël nga Ballkani Perëndimor mund të bëhet një kontribuues për sigurinë, nëse gëzon mjaftueshëm besueshmëri gjeostrategjike nga aleatët kryesorë.
Një shembull tjetër që tregon se si rajoni jonë mund të marrë drejtimin për çështje më të gjera gjeostrategjike është forcimi dhe thellimi i bashkëpunimit kundër fenomenit të “luftëtarëve të huaj”.
Kjo u theksua së fundmi edhe në deklaratën e vendeve të Evropës Juglindore për luftën kundër terrorizmit, nënshkruar në Tiranë në kuadrin e kryesisë shqiptare të SEECP-së.
Për më tepër, kriza në Ukrainë nënvizon rëndësinë e projekteve strategjike të energjisë si TAP dhe IAP, si për eficiencën e energjisë dhe diversifikimin e burimeve, ashtu edhe për krijimin e një tregu rajonal të integruar, në përputhje të plotë me rregullat dhe standardet e BE.
Sigurimi i furnizimit me energji dhe zhvillimi i ekonomisë së rajonit varet gjithnjë e më tepër nga zhvillimi i rrjeteve të energjisë dhe infrastrukturës rajonale.
Unë besoj se një rajon më i integruar do përshpejtonte rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse dhe do të zvogëlonte hendekun mes vendeve që kanë avancuar më tepër në procesin e integrimit në BE dhe ato që janë ende prapa.
Paqja dhe stabiliteti demokratik në rajonin tonë mund të transformohen në një tregues të mirëqenies sociale dhe suksesit ekonomik vetëm përmes instrumenteve të reja, të cilat rajoni ynë, me këmbëngulje, po i kërkon nga BE-ja.
Në këtë kontekst, ne jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të vendeve të Vishegradit. Një produkt praktik i bashkëpunimit ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të  Vishegradit ka qenë krijimi i Fondit të Ballkanit Perëndimor, i cili do të lançohet së shpejti në Tiranë.
Në mënyrë të ngjashme, Shqipëria ka luajtur rolin e saj në forcimin e instrumenteve të integrimit rajonal, duke vënë theksin mbi mbështetjen dhe nxitjen e vazhdueshme të “procesit të Berlinit”, me qëllim forcimin e lidhjeve dhe shndërrimin e procesit të pranimit në BE në një agjendë të prekshme të zhvillimit të qëndrueshëm për rajonin tonë.
Ndërlidhja rajonale mund të ndihmojë në shfrytëzimin e potencialit zhvillimor që ekziston falë afërsisë gjeografike. Kjo vlen veçanërisht për Evropën Adriatike, ku sinergjitë ekzistuese duhet të përdoren për të zvogëluar distancat e integruar tregjet,  në mënyrë që të rrisin nivelet e të ardhurave në një zonë më të gjerë të Adriatikut.
Zonja dhe zotërinj,
Ne e shohim procesin tonë të integrimit në BE si TË VETMIN proces realist dhe të qëndrueshëm.
Ne mirëpresim vlerësimet e fundit pozitive të Komisionit Evropian mbi ecurinë e Shqipërisë dhe mbetemi të përkushtuar në përmbushjen e pesë prioriteteve kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE.
Negociatat për anëtarësim janë një mundësi e mirë për t’u përqendruar më tepër tek ato që duhen bërë, veçanërisht në lidhje me shtetin e së drejtës, përmes standardeve që burojnë prej kapitujve 23 dhe 24 dhe për të forcuar njëkohësisht bashkëpunimin rajonal në këto fusha.
Sa i përket Ballkanit Perëndimor, një proces i prekshëm dhe i besueshëm i integrimit në BE është një mbështetje e pazëvendësueshme si për reformat e brendshme ashtu edhe për bashkëpunimin dhe stabilitetin rajonal.
Konferenca e Berlinit vuri në lëvizje një proces që synon të gjenerojë përfitime konkrete për qytetarët tanë nga integrimi në BE dhe bashkëpunimi rajonal, e në të njëjtën kohë duke vënë shtetin e së drejtës dhe projektet e suksesshme e të qëndrueshme në zemër të këtyre proceseve.
Ne falënderojmë Komisionin Evropian për iniciativën e marrë, si dhe për propozimin e diskutimin me ne mbi një rrjet kyç infrastrukturor të Ballkanit Perëndimor që do të lidhë kryeqytetet e rajonit, qendrat ekonomike dhe portet kryesore, duke lidhur kështu BE-në me veten e saj.
Këto projekte do të na lejojnë të fokusojmë investimet në fusha kyçe që do të transformojnë Ballkanin Perëndimor në një rajon të vërtetë. Shpresa jonë e vetme është që kjo të bëhet realitet sa më shpejt.
Në këtë kontekst, ne kërkojmë më shumë se kurrë mbështetjen e Republikës Çeke, si dhe vendeve të tjera të Vishegrad 4, si shembuj të shkëlqyer e të padiskutueshëm të asaj që procesi i anëtarësimit në BE mund të arrijë në një afat kohor të shkurtër.
Ju faleminderit për vëmendjen tuaj!