Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Të nderuar miq,

Zonja dhe zotërinj,

Është kënaqësi t’ju mirëpres në Tiranë për Konferencën “Liria e shprehjes dhe Media”, organizuar nga Qendra e Ekselencës e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Zyra e Këshillit të Evropës në Tiranë.

Një përshëndetje të veçantë për znj. Mijatoviç, Përfaqësuese e OSBE-së për Lirinë e Shtypit. E nderuar Dunja, të falënderoj që gjete mundësinë të jesh këtu me ne sot dhe përfitoj nga rasti për të të shprehur urimet më të sinqerta për nderimin me çmimin Charlemagne, e para fituese nga Evropa Jug-Lindore e çmimit më të madh evropian për të drejtat e njeriut dhe median.

Dëshiroj gjithashtu të përshëndes z. Getachew Engida, Zëvendës-Drejtor i Përgjithshëm i UNESCO-s, organizatë e cila është në pararojë të përpjekjeve të OKB-së për promovimin dhe mbrojtjen e lirisë së medias në mbarë botën.

Zonja dhe zotërinj,

Jemi këtu sot për të diskutuar së bashku për lirinë e shprehjes dhe median.

Jo rrallë flitet për lirinë e shprehjes, të fjalës, të shtypit apo të medias, sikur të jenë sinonime të njëra-tjetrës. Nuk do ju mërzis që mëngjesin e të hënës me një leksion mbi dallimin mes tyre, megjithëse ju siguroj se, si jurist, tundimi është i madh.

Por, po i referohem një juristi të njohur amerikan, Louis Brandeis (Lui Brendais), anëtar i Gjykatës Supreme të SHBA në vitet 1916-1939.

Më shumë se 100 vjet më parë (1914), Brandeis shkruante: “Drita e diellit thuhet të jetë dezinfektuesi më i mirë; drita elektrike, polici më efiçent”.

Nuk është dhe aq e këndshme të flasësh për dezinfektim apo policim, kështuqë në përgjithësi zgjedhim të flasim për transparencë. Mjafton të shikojmë se cfarë po ndodh në fqinjin tonë Maqedoni. Ajo që po ngjet sot është policim. Ndërkohë që ka nevojë për transparencë.

Liria e shprehjes – liria e mendimit dhe liria për të marrë apo për të dhënë informacione ose ide, pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë – është pjesë integrale e çdo shoqërie demokratike.

Demokracia nënkupton pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrjen kolektive, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo nëpërmjet përfaqësuesve të tyre; kërkon një sferë publike të mirë-informuar, gjithëpërfshirëse dhe pluraliste.

Informimi “nën dritën e diellit” ndihmon në qartësimin e shumë çështjeve, reale dhe të perceptuara. Nuk e kam fjalën vetëm për informacionin që jepet apo merret nga institucionet shtetërore, ndonëse ky është thelbësor për të arritur llogaridhënien e qeverisësve ndaj qytetarëve.

Shkëmbimi i informacionit dhe ideve midis qytetarëve vetë, është po aq thelbësor në një shoqëri të shëndetshme demokratike.

Duke luajtur një rol qendror në mbrojtjen e të drejtave të tjera themelore të njeriut, liria e shprehjes është shumë më shumë se një e drejtë në vetvete. Ndaj dhe nuk ka vend të lirë, nuk ka demokraci, pa pasur një garantim të gjerë të së drejtës për lirinë e shprehjes.

Por nuk mjafton vetëm drita e diellit; duhet dhe ajo elektrike.

Duhet për të hedhur dritë mbi atë pjesë të informacionit apo ideve që nuk i prek drita e diellit; për të mundësuar kuptimin e asaj që në dukje është e qartë, por që në të vërtetë nuk është aspak e tillë.

Dhe këtu duhet media, që në masë të konsiderueshme është autorja dhe “redaktorja” e sferës publike.

Por, nëse nga një qeverisje e drejtë kërkojmë mundësimin e një media kritike për vetë qeverisjen, nga media si “pushteti i katërt” kërkohet objektivitet, vërtetësi, paanshmëri, cilësi, përgjegjshmëri.

Ku ka të drejta, ka dhe detyrime. Dhe, ku ka të drejta, ndonjëherë ka dhe kufizime.

Nëse flasim me gjuhën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, liria e shprehjes mbulon jo vetëm “informacionin” apo “idetë” që priten mirë apo që konsiderohen si të padëmshme, por edhe ato ide që fyejnë, trondisin ose shqetësojnë shtetin apo ndonjë pjesë të popullsisë”, pasi “këto janë kërkesat e atij pluralizmi, tolerance dhe mendje-gjerësie, pa të cilën nuk ka shoqëri demokratike”.

Po ku janë kufijtë e lirisë së shprehjes?

A duhet të ketë kufi shprehja që përhap, nxit, promovon apo arsyeton urrejtjen racore, ksenofobinë, anti-semitizmin?

A duhet të ketë kufi shprehja e urrejtjes që bazohet mbi intolerancë, përfshirë edhe intolerancën e shprehur në formën e nacionalizmit dhe etno-centrizmit agresiv, diskriminimin dhe armiqësinë ndaj minoriteteve, migrantëve dhe personave me origjinë imigrante ?

Realiteti është që sot, në kohën e lëvizjes së lirë dhe botës së Internetit, përballemi jo rrallë (a) me gjuhën e urrejtjes dhe reagim të dhunshëm, deri në ekstrem, ndaj asaj që perceptohet si gjuhë e urrejtjes; (b) si dhe me ushtrim të fanatizmit dhe urrejtjes, që shitet si ushtrim i lirisë.

Idetë që fyejnë, trondisin apo shqetësojnë nuk shuhen në qoftë se nuk shohin “dritën e diellit”. Por çfarë ndodh nëse i shtyjmë në hije, nën rrogoz, nën tokë? Do shuhen, apo do ushqehen dhe forcohen ?

Nuk do tentoj të jap përgjigje për pyetje shumë të vështira për të pasur përgjigje këtu, por do sjell dhe njëherë vëmendjen tek media, si autore dhe redaktore e informacionit, me aftësinë për të ndihmuar apo penguar komunikimin dhe mirëkuptimin në shoqëri, për të nxitur apo shtypur debatin – pasi sikurse ka “gjuhë të urrejtjes”, ka edhe “heshtje të urrejtjes”.

Të dashur miq,

Shqipëria ka një histori relativisht të re në lidhje me të drejtën e lirisë së shprehjes dhe medias. Në fakt, së afërmi do të kremtojmë 20-vjetorin (13 korrik 1995) e anëtarësimit të plotë në Këshillin e Evropës.

Për një vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, respekti për lirinë e shprehjes dhe mediave është një tregues kyç i gatishmërisë dhe pjekurisë demokratike të vendit kandidat.

Nuk ka asnjë rajon apo vend që të ketë arritur përsosmërinë në lidhje me lirinë e shprehjes dhe mediave. Për të qenë i sinqertë dhe sa më transparent, më duhet të them se nuk po punojmë për përsosmëri.

Por në Shqipëri po punojmë, si vendimmarrës dhe politikë-bërës, me shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, për një kuptim të drejtë të lirisë së shprehjes dhe medias, si baza për pjesëmarrjen e qytetarëve në politikë, si themel i një shoqërie demokratike, si gur kilometrik në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në përfundim, më lejoni tu shpreh pjesëmarrësve në aktivitetin e sotëm mirënjohjen për punën e admirueshme, ndër vite, për të ndihmuar shtetet e reja demokratike, si Shqipëria, të përmbushin siç duhet angazhimet e tyre në fushën e lirisë së shprehjes dhe medias.

Ju uroj zhvillim të mbarë të punimeve të konferencës.

Faleminderit!