Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Të dashur kolegë dhe miq,

Zonja dhe zotërinj,

Mirësevini në Tiranë dhe faleminderit për praninë tuaj. Dëshiroj të falenderoj të ftuarit tanë për mbështetjen dhe solidaritetin që kanë treguar lidhur me Procesin e Bashkëpunimit të Europës Juglindore (SEECP) dhe me përpjekjet tona të përbashkëta gjatë vitit të kaluar.

Kryesia e SEECP-së nga Shqipëria po i afron fundit dhe jemi krenarë dhe të lumtur që patëm mundësinë për të udhëhequr një forum kaq të rëndësishëm për rajonin tonë.

Ndaj dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për të gjithë pjesëmarrësit, Trojkën e SEECP-së dhe RCC-në për bashkëpunimin, solidaritetin dhe mbështetjen e vazhdueshme.

Kryesia jonë është udhëhequr nga parimet e Kartës së SEECP-së, dhe nga qëllimi për arritjen e një procesi edhe më dinamik në Europën Juglindore.

Gjithashtu, kemi patur sukses në rritjen e bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe botën akademike dhe kemi asistuar në afrimin e netuorkëve të ekselencës në rajon.

Kemi draftuar një kalendar ambicioz me qëllim fuqizimin e bashkëpunimit midis vendeve tona në fusha të ndryshme prioritare, duke përfshirë:

  • Qeverisjen e mirë dhe antikorrupsionin,
  • Infrastrukturën dhe energjinë
  • Statistikat,
  • Drejtësinë dhe cështjet e brendshme.

Në fushën e sigurisë SEECP-ja ka treguar solidaritet me bashkësinë ndërkombëtare duke përqafuar Deklaratën e vecantë mbi luftën ndaj terrorizmit ndërkombëtar, në ministerialin e Tiranës, në 24 Shkurt 2015.

E megjithatë ka ende për të bërë në drejtim të rritjes së përpjekjeve tona të përbashkëta.

Në kapacitetin e kryesisë së SEECP-së 2014-2015 dhe në përshtatje me agjendën e politikës së jashtme, Shqipëria ka vazhduar të jetë promotore e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Por as paqja e as stabiliteti nuk duhen marrë të mirëqena; ato kanë nevojë të mirëmbahen nëpërmjet përpjekjeve tona të vazhdueshme dhe veprimeve konkrete dhe mbi të gjitha, nëpërmjet angazhimit tonë të palëkundur që t’i tejkalojmë mosmarrëveshjet bilaterale të së kaluarës dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për brezat e ardhshëm (rininë).

Fuqizimi i efikasitetit të SEECP-së ka qenë në zemër të kryesisë tonë. Shqipëria ka udhëhequr me efikasitet procesin e reformës së SEECP-së me një objektiv të qartë në mendje: të fuqizojmë strukturat e brendshme të forumit tonë politik rajonal, që kështu të jemi në gjendje t’i përballim më mirë sfidat e tanishme dhe të ardhshme.

The enhancement of SEECP’s efficiency has been at the very core of our chairmanship.

Duke pranuar dhe mbështetur konkluzionet e sotme, ne do të japim një sinjal pozitiv dhe të rëndësishëm të vullnetit tonë politik për të fuqizuar mekamizmat e përbashkëta dhe pronësinë rajonale sipas frymës së gjithëpërfshirjes.

Jam i bindur se ky trend do të vijojë edhe gjatë kryesisë së ardhshme të Bullgarisë.

Zonja dhe zotërinj,

Në frymën e marrëdhënieve të mira të fqinjësisë dhe të fuqizimit të paqes dhe stabilitetit në rajon, ne duhet të marrim masa ndaj cdo fenomeni dhe praktike që kërkon të devijojë acquis-në tonë rajonale.

Ngjarjet e fundit në Kumanovë treguan se edhe më shumë duhet bërë për përforcimin e institucioneve demokratike, për të zgjidhur mosmarrëveshjet politike me anë të mjeteve demokratike dhe për t’i investuar energjitë tona në sigurinë e jetës dhe pronës së njerëzve.

Jemi të vetëdijshëm se siguria e cdo vendi është e pandarë nga siguria kolektive e rajonit.

Në këtë kontekst, komunikimi më i mirë dhe ndarja e informacioneve lidhur me cështjet e sigurisë, është në interesin e të gjithëve.

Shqipëria ka kërkuar dhe do të vazhdojë të kërkojë që ngjarjet në Kumanovë t’i nënshtrohen një hetimi të plotë.

Sa më shpejt të bëhet kjo, aq më pak mundësi ka që keqinterpretimet të fitojnë terren dhe të shkaktojnë destabilizim.

Me këto në mendje, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të intensifikojnë përpjekjet e tyre të përbashkëta brenda kornizës së Procesit të Berlinit.

Kemi besim se ky proces do të hapë perspektiva të reja për vendet e BP-së (Ballkanit Perëndimor) që të lidhen më mirë më njëri-tjetrin, të përmirësojnë infrastrukturën, të rivitalizojnë ekonomitë dhe të fuqizojnë kapitalin njerëzor.

Zonja dhe zotërinj,

Vendimi i 27 Qershorit 2014 për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat për në BE, rezultoi të ishte një katalizator për përpjkje edhe më të mëdha në procesin e reformimit të vendit.

Qeveria e Shqipërisë ka treguar veprime konkrete dhe vullnet të palëkundur politik në fushat që i përkasin reformave të BE-së. Shqipëria ka bërë reforma në fushën  e sundimit të ligjit, përfshi zbatimin e vazhdueshëm të politikave antikorrupsion, në fushën e luftës kundër krimit të organizuar dhe në fushën e drejtësisë.

Nuk kemi dyshim se vazhdimi i zbatimit të reformave kyce në fushat që janë nën pesë prioritetet, do të përbëjnë një bazë solide për hapat e mëtejshëm që na presin.

Për sa i përket bashkëpunimit rajonal, Shqipëria ka treguar gjatë gjithë vitit të kaluar se mund të jetë një lojtar dinamik dhe konstruktiv në Ballkanin Perëndimor

Gjithashtu, Shqipëria ka qenë e palëkundur në përputhjen e pozicionit të saj me deklaratat e CSDP-së dhe me vendimet e Këshillit (100% përputhje).

Jemi gjithashtu të lumtur që agjenda e ndërlidhshmërisë tashmë është pjesë integrale e procesit të anëtarësimit dhe thjesht zëvendësues i një procesi të ndaluar të anëtarësimit, që nuk është as në interes të BE-së dhe as në interes të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ngjarjet e fundit në rajonin tonë kanë dëshmuar rreziqet që përbën një proces i pezulluar integrimi europian.

Në këtë kontekst kaq sfidues gjeopolitik, BE-ja duhet të dërgojë një sinjal të fortë politik për procesin e reformimit dhe për forcat politike reformatore në rajonin tonë.

Është vendimtare që reformat në vendet tona, të kuptohen nga qytetarët tanë.

Po kaq e rëndësishme është që të ruhet entuziazmi i qytetarëve tanë, në vecanti i të rinjve, për ndryshim, për ndërtimin e shoqërive më të drejta dhe më të sigurta. Dhe të shpërblehen përpjekjet e tyre si nga ne, ashtu edhe nga BE-ja për tejkalimin e sfidave të reformave.

Prandaj dhe ne e kemi përqafuar përfshirjen e shoqërisë civile dhe të bashkëpunimit rinor, në procesin e Berlinit. Në këtë kontekst jam i lumtur të deklaroj se Ministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë rënë dakord për një kornizë me fryme të përbashkët të bashkëpunimit rinor.

Qëllimi ynë është që mundëshisht me mbështetjen e BE-së, të krijojmë mekanizma rinorë rajonalë me mbështetje financiare, që mund të aprovohen nga Konferenca e Vienës në Gusht të këtij viti.

Të nderuar pjesëmarrës,

Kalendari i SEECP-së do të vijojë nesër me takimin e rregullt, gjithëpërfshirës të Asamblesë Parlamentare, nga ku presim vendime të rëndësishme mbi bashkëpunimin më të ngushtë midis parlamenteve të rajonit.

Dëshirjo të shpreh vlerësimin tim për punën e krahut tonë operacional, RCC-së dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi patur gjatë kryesisë tonë.

Konsultimet intensive politike me RCC-në dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm në nivelin e ekspertëve, ka rezultuar i suksesshëm.

Tani lejomëni të uroj miqtë tanë bullgarë për kryesinë e ardhshme. Shqipëria do të jetë e gatshme për t’ju mbështetur dhe asistuar në këtë ndërmarrje.

Ju falemnderit!