Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Të dashur kolegë,

I dashur Goran,

Zonja dhe zotërinj,

Në emër të kryesisë së Shqipërisë së Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), ju uroj mirëseardhjen në Tiranë për Takimin Vjetor të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC).

SEECP-ja dhe krahu i saj operacional, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), kanë një objektiv madhor të përbashkët:

  • Të mbështesin fuqimisht anëtarësimin e plotë në BE dhe në strukturat euro-atlantike.

Ky objektiv madhor mund të arrihet vetëm nëpërmjet përmbushjes së disa objektivave të përbashkëta, si:

  • Fuqizimi i bashkëpunimit rajonal,
  • promovimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë,
  • fuqizimi i sigurisë, stabilitetit dhe zhvillimit,
  • dhe e fundit, por jo më e pakta, nëpërmjet konsolidimit të rëndësisë sektoriale dhe të pronësisë rajonale të instrumenteve tanë të bashkëpunimit.

Të nderuar pjesëmarrës,

Shqipëria e ka konsideruar kryesinë e SEECP-së si një mundësi për t’i dhënë shtysë përpjekjeve tona për ta transformuar rajonin e Evropës Juglindore në një rajon paqeje dhe stabiliteti.

Gjatë kryesisë së Shqipërisë, në bashkëpunim me RCC-në, kemi implementuar një kalendar ambicioz aktivitetesh dhe këtu dëshiroj të përmend:

  • Konferencën ministrore mbi drejtësinë dhe çështjet e brendshme
  • Konferencën e Nivelit të Lartë mbi qeverisjen e mirë dhe sfidat e politikave anti-korrupsion
  • Seminar rajonal mbi rrjetet e ekselencës.

Bashkë me aktivitetet e parashikuara në kalendarin e kryesisë së Shqipërisë, aktivitetet e lartpërmendura kanë kontribuar në forcimin e bashkëpunimit midis vendeve të rajonit në fusha të paeksploruara deri tani.

Zonja dhe zotërinj,

Shqipëria i kushton vëmendje të veçantë përmbylljes së proceseve integruese të vendeve të Evropës Juglindore në strukturat euro-atlantike.

Ne duhet të vijojmë me përpjekjet tona dhe me vendosmëri, për të fuqizuar solidaritetin në rajon dhe RCC-ja ka dëshmuar se mund të japë një kontribut të rëndësishëm në këtë aspekt.

Gjatë vitit të kaluar, kemi dëshmuar se vendet aspirante janë duke bërë hapa përpara në rrugëtimin e tyre drejt BE-së.

Për më tepër, Procesi i Berlinit e ka ripërtërirë integrimin ekonomik dhe bashkëpunimin e mirë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, në fusha prioritare si energjia, transporti dhe infrastruktura.

Jemi të gjithë të vetëdijshëm se një infrastrukturë më e mirë dhe ndërlidhshmëria përbëjnë motorët e rritjes ekonomike për të gjithë vendet tona.

Në këtë kontekst jam i lumtur të raportoj se gjatë kryesisë sonë kemi arritur të krijojmë sinergji midis SEECP-së dhe platformave të tjera rajonale si Western Balkans 6. Kemi besimin se kryesia e Bullgarisë dhe RCC-ja do të punojnë bashkërisht për të mirëmbajtur këtë sinergji pozitive.

Megjithatë, ne besojmë se vullneti i mirë për të bashkëpunuar dhe sinergjitë e krijuara, kanë nevojë të mishërohen në një bashkëpunim më të mirë. Bashkëpunimi aktual rajonal është disi i rënduar nga një duzinë nismash bashkëpunimi.

Mbase ka ardhur koha që t’i shpenzojmë në mënyrë më efikase energjitë tona dhe të mendojmë për mekanizma dhe instrumente që mund të rifuqizojnë nismat rajonale, të cilat kanë dhënë frytet e tyre dhe i kanë dhënë një vlerë të shtuar bashkëpunimit rajonal. Ka ardhur koha të bëjmë zgjedhje të mençura.

Po jetojmë në një botë ku dallimi midis dimensioneve “i brendshëm” dhe “i jashtëm”, janë zbehur dhe ku çështjet globale dhe rajonale kanë pasoja më të drejtpërdrejta në jetën e qytetarëve tanë.

Kjo kërkon që të kemi kanale bashkëpunimi më fleksibël dhe më të shumtë në numër. Në proceset e integrimit rajonal kemi nevojë për më shumë mbështetje parlamentare, por nga ana tjetër lipset edhe përfshirja e aktorëve jo-shtetërorë, shoqëria civile dhe bashkësitë profesionale.

Të shtunën do të mbahet Takimi i Parë i Rregullt i Asamblesë Parlamentare të SEECP-së, ku presim të merren vendime të rëndësishme lidhur me bashkëpunimin më të ngushtë midis parlamenteve të rajonit, bazuar në parimin e gjithë përfshirjes.

Sot z. Svilanovic do të prezantojë “Raportin Vjetor të Bashkëpunimit Rajonal në Evropën Juglindore”. Ky raport përmban rekflektime mbi disa nga zhvillimet më të rëndësishme të bashkëpunimit rajonal në Evropën Juglindore dhe mbi implementimin e Programit Strategjik të Punës të RCC-së për vitet 2014-2016.

Në raport flitet edhe për leverditë e sinergjisë dhe koordinimit midis Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) dhe RCC-së, si dhe prezantohet gjendja e marrëdhënieve institucionale të vendeve pjesëmarrëse në RCC me BE-në.

Ne shpresojmë se raporti do të hedhë dritë mbi mundësitë dhe sfidat me të cilat përballet rajoni ynë në fusha si, burimet njerëzore dhe natyrore, si dhe do të parashtrojë mundësitë e përballimit me sukses të këtyre sfidave me vëmendjen te hartimi dhe zhvillimi i projekteve të përbashkëta.

Presim me interes diskutimet tuaja sot dhe konkluzionet përkatëse.

Kam besim se takimi i sotëm do të sjellë një shtysë të re në përpjekjet tonë të përbashkëta për të mbajtur rajonin në shinat euroatlantike.

Ju faleminderit për vëmendjen!