Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

I dashur Sebastian,

Të nderuar miq,

Jam shumë i lumtur që ndodhem sot këtu dhe dëshiroj të falënderoj Sebastianin dhe Fondin Evropian për Ballkanin për ftesën e tyre. Ju e dini që Sebastian Kurz është ndoshta një nga kolegët e mi më të vendosur. Ndaj, gjej rastin ta falënderoj për angazhimin e tij në nxitjen e një qasjeje novatore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe në Ballkanin Perëndimor.

Tashmë dihet se mosmarrëveshjet dypalëshe në rastin më të mirë kanë ngadalësuar procesin e anëtarësimit në BE, e në rastin më të keq, e kanë penguar atë të ecë përpara. Pikërisht për këtë arsye, vitin e kaluar në Vjenë kemi rënë dakord mbi një deklaratë të përbashkët për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe, si një instrument për të rritur bashkëpunimin rajonal dhe për të përshpejtuar integrimin në BE.

Që nga momenti kur vendet e Ballkanit Perëndimor u përfshinë dy vjet më parë në të ashtuquajturin “proces të Berlinit”, mund të sjellim ndërmend mjaft shembuj të normalizimit rajonal, rivendosjes së marrëdhënieve miqësore apo të bashkëpunimit:

·         Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë përgjatë këtij një viti e gjysmë;

·         Nënshkrimi i marrëveshjes kufitare ndërmjet Bosnje-Hercegovinës dhe Malit të Zi, në kuadrin e Samitit të Vjenës vitin e kaluar;

·         Marrëveshja kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Të gjithë këta shembuj dëshmojnë se procesi i Berlinit, i konceptuar si katalizator i procesit të integrimit evropian, ka prodhuar në fakt bashkëpunim praktik dhe politik. Për më tepër, rajoni ka treguar se është në gjendje t’i mbajë premtimet e tij.

“Grupi këshillimor i politikave mbi Ballkanin në Evropë” (BiEPAG) është treguar mjaft i mprehtë në përshkrimin e këtyre trendeve në rajon. Studimi mbi “Përmbylljen e procesit të zgjerimit në Ballkan” parashtron qartazi rreziqet me të cilat përballemi nëse procesi i zgjerimit nuk avancon më tej. Jam i lumtur tek shoh se kjo mënyrë novatore e të menduarit ka prodhuar tashmë një sërë instrumentesh që synojnë krijimin e një mekanizmi adekuat për të adresuar mosmarrëveshjet.

Pajtohem me parimet e përcaktuara nga BiEPAG: zgjidhje dypalëshe të mbështetura nga angazhimi i fortë i BE-së ; adresim i mosmarrëveshjeve dypalëshe para se ato të kthehen në pengesa të procesit ; krijim i instrumenteve të reja të ndërmjetësimit nga BE-ja ; përfshirje e popullsisë lokale dhe e shoqërisë civile.

Megjithatë, deri tani, fokusi i Grupit Këshillimor të Politikave mbi Ballkanin në Evropë ka qenë mosmarrëveshjet kufitare dhe minoritetet. Dëshiroj të shtoj se përmirësimi i marrëdhënieve ndëretnike është gjithashtu një element kyç.

Një nga arsyet përse mosmarrëveshjet dypalëshe në rajonin tonë duken aq të ndërlikuara është pikërisht ndërthurja e mosmarrëveshjeve shtetërore me konfliktet ndëretnike.

Një arsye e dytë pse mosmarrëveshjet dypalëshe në Ballkanin Perëndimor duken aq e ndërlikuara është pikërisht se ato janë jashtëzakonisht të ndryshme, si në natyrë ashtu edhe sipas vendeve që ato përfshijnë. Ka vërtetë një dallim nëse mosmarrëveshja përfshin një shtet anëtar të BE-së apo vetëm vendet aspirante.

Më lejoni të jem më i qartë mbi këtë pikë, duke ndarë mosmarrëveshjet dypalëshe në Ballkanin Perëndimor në tri kategori të ndryshme:

·         Në kategorinë e parë janë ato mosmarrëveshje dypalëshe të trashëguara nga një e kaluar e largët. Në rastin e Shqipërisë dhe Greqisë, mosmarrëveshje të tilla e kanë zanafillën e tyre në Luftën e Dytë Botërore. Për disa nga ju mund të duket çudi, por Shqipëria dhe Greqia, edhe pse ulen së bashku rreth tryezës së NATO-s, janë ende në gjendje lufte sipas ligjit grek, dhe kjo situatë ka implikime shumë praktike për shtetasit tanë.

·         Në kategorinë e dytë janë çështjet e shtetësisë që u shfaqën pas shpërbërjes së Jugosllavisë.

·         Në kategorinë e tretë janë mosmarrëveshjet dypalëshe që mbartin një rëndësi praktike për të ardhmen, por që jo domosdoshmërisht shkaktojnë pengesa për zgjerimin e BE-së.

Pikërisht për shkak të këtij kompleksiteti të natyrës dhe aktorëve të përfshirë, puna jonë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe është aq e vështirë dhe ndonjëherë mund të duket e ngadaltë. Siç mund ta imagjinoni, është veçanërisht e vështirë që një prej vendeve të rajonit të luaj rolin e ndërmjetësit, në një kohë kur cdo nismë ndërmjetësimi mendohet se mund të përmbajë një agjendë të fshehtë. Situata bëhet edhe më e vështirë në ato raste kur arbitrazhi ndërkombëtar përjashtohet si mundësi trajtimi i mosmarrëveshjeve.

Më lejoni gjithashtu të shtoj se mekanizmat aktualë të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve duhet të integrojnë në qasjen e tyre dimensionin e zhvillimit ekonomik. Ia vlen, për shembull, të shtrojmë pyetjen: cili është efekti ekonomik i paketës së marrëveshjeve Kosovë – Serbi?

Kjo na kthen sërisht tek rëndësia e procesit të Berlinit. Për të qenë të suksesshëm në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në rajon, duhet të fokusohemi tek bashkëpunimi dhe zhvillimi ekonomik.

Ekziston nevoja për të kanalizuar më tej ndihmën e BE-së ndaj politikave të zhvillimit ekonomik, ndërlidhjes dhe uljes së pabarazive ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE-së.

Për më tepër, BE-ja duhet të kërkojë të nxisë ato procese bashkëpunimi që kanë gjasa të kthehen në histori suksesi për rajonin, si për shembull lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm, përgjigjja kolektive ndaj valës së migracionit, etj.

Mënyra sesi BE-ja i përgjigjet prirjeve të bashkëpunimit rajonal mbetet vërtet e vetmja mundësi për të ndikuar pozitivisht në kalendarin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dypalëshe në rajonin tonë.

Faleminderit!