Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Prishtinë, Biblioteka Kombëtare, 3 qershor 2016

I nderuar Kryeministër Rama
I nderuar Kryeministër Mustafa,
Të nderuar kolegë,

Duke respektuar kohën e shkurtër të rezervuar për diskutime, dëshiroj të theksoj disa momente të veçanta.

Së pari, dëshiroj të përgëzoj Kosovën për dy sukseset e mëdha në rrugëtimin e saj evropian: Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe rekomandimin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave. Por, si gjithçka në procesin e integrimit evropian, përfundimi i një etape është veçse hapja e një kantieri tjetër, edhe më të madh edhe më kompleks.

Së dyti, dëshiroj të theksoj, sic e tha edhe Kryeministri Rama në fjalën e tij, se marrëdhëniet tona ekonomike janë forcuar edhe më tej. Sfida jonë e përbashkët është rritja e kapaciteteve për përpilimin dhe zbatimin e projekteve ndërkufitare për të cilat mund të mobilizohet mbështetja financiare e programeve të Bashkimit Evropian. Mendoj se është fusha ku duhet të fokusohen përpjekjet tona deri në mbledhjen tjetër.

Plani i veprimit i propozuar nga kolegët e Bankës Botërore, dhe një punë e përbashkët e ekspertëve tanë, është një pasqyrë realiste e punës që duhet bërë në planin afat-shkurtër dhe afat-mesëm për të kaluar në etapën tjetër të njësimt të tregjeve tona, pa tabu dhe të ndërgjegjshëm se kjo është një rrugë e mundimshme, por me impakt pozitiv dhe konkret në jetën e shtetasve tanë.

Së treti, në rrafshin diplomatik, jemi angazhuar që kjo tavolinë të përbëjë një model për rajonin duke promovuar rolin e patjetërsueshëm të Shqiptarëve si spirancë stabiliteti në rajon. Por duhet një koordinim më i mirë i veprimeve tona, në mënyrë të veçantë për sa u përket iniciativave për integrimin në organizatat ndërkombëtare. Cka do të shtonte shanset që të merreshin vendime të mirëpeshuara për të evituar hapat që mund të rezultojnë kundër-produktivë.

Së katërti, anëtarësimi, prania, pjesëmarrja aktive e përmbajtjesore e Kosovës në të gjitha organizatat, nismat e forumet rajonale që operojnë në Evropën Jug lindore është një ndër sukseset tona të përbashkëta. Ky do të vijojë të jetë një ndër synimet tona parësore, sepse besojmë se parimi i gjithëpërfshirjes është kusht sine qua non i një bashkëpunimi të suksesshëm rajonal.

Së pesti, sic e that edhe Kryeministri Rama, ne do të vijojmë të ndjekim nga afër dhe të inkurajojmë dialogun e Kosovës me Serbinë, si një proces i rëndësishëm për gjithë rajonin. Do të vijojmë të kërkojmë që Serbia të respektojë angazhimet e saj, të mos pengojë pjesëmarrjen e Kosovës në organizatat rajonale e ndërkombëtare dhe të inkurajojë komunitetin serb në Kosovë të marrë pjesë në institucionet legjitime të Kosovës.

Së fundmi, por jo nga rëndësia, ne do të vijojmë angazhimin e palëkundur në mbështetje të shqiptarëve në rajon. Diplomacia jonë mbetet e përkushtuar në ndihmë të shqiptarëve të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Luginës së Preshevës, si në arritjen e konsolidimin e të drejtave të tyre legjitime, ashtu edhe nëpërmjet programeve të ndryshme të ndihmës.

Për të rritur efikasitetin e aksioneve tona në këtë drejtim, do të ishte e udhës që të dakordësonim një sërë hapash dhe instrumentash në mbështetje të Shqiptarëve në rajon. Edhe në këtë kontekst, përfshirja dhe kanalizimi i fuqisë dhe ideve të Diasporës sonë mund të përbëjë një objektiv për mbledhjen e rradhës.

Në mbyllje, më lejoni të falenderoj dhe uroj mikun dhe kolegun Enver Hoxhaj për marrjen e detyrës dhe rikthimin në familjen e përbashkët.

Ju falemnderit!