Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Fjala e Ministrit Bushati në Akademinë e Shkencave Sociale të Kinës

Pekin, 25 gusht 2016

 

Mirëmëngjes,

Faleminderit, faleminderit Huan

Të dashur miq,

 

Jam vërtetë shumë i nderuar të jem këtu sot dhe të ndaj disa mendime për vendin tim, Shqipërinë, për marrëdhëniet tona të qëndrueshme forta me Kinën, për situatën në rajon, në Evropën Juglindore, dhe botën në të cilën jetojmë dhe natyrisht rreth përgjegjësisë së përbashkët për ta bërë atë një vend më të mirë për të gjithë.

Më lejoni të filloj së pari duke përcaktuar se çfarë Kina do të thotë për ne, shqiptarët.

Së pari, Kina përfaqëson një nga pak qytetërimet e cila ka lulėzuar pandërprerë për rreth 5 mijëvjeçarë. Kontributi i saj për njerëzimin është thelbësor dhe i pamohueshëm. Nuk ka asnjë zonë të njerëzimit, pa kontributin e qytetërimit tuaj të madh.

Së dyti, Kina ka qenë dhe është mike e Shqipërisë. Dua të përmend diçka nga përvoja ime personale. Kam indur më 1977, atëherë kur ishte fundi i një periudhe kur Kina ishte sponsori dhe miku kryesor i Shqipërisë. Ndihma ekonomike nënkuptonte që për disa vjet progresi ynë ekonomik i detyrohej bujarisë së Kinës. Programet e shkëmbimit kulturor bënë të mundur që qindra shqiptarë të mund të studionin në Kinë dhe, përpos kësaj, filmat shqiptarë u bënë aq shumë të famshëm sa që edhe pas 4 dekadave, ata dhe aktorët e asaj kohe ende mbahen mend këtu.

Jo shumë kohë pas kësaj, ekonomia jonë u rrëzua dhe bashkë me të i gjithë sistemi që dështoi në përmbushjen e nevojave më elementare të Shqiptarëve.

Pothuajse 40 vjet më vonë, dhe ja ku jam, në cilësinë e Ministrit të jashtëm duke folur pë marrëdhëniet tona në një nga think-tank-et më të rëndësishme në Kinë.

Por një gjë themelore ka mbetur dhe mbijetoi trazirat e kohës dhe ndryshimeve politike, duke ushqyer lidhjet e rinovuara që kemi ndërtuar në ditët e sotme:

respekti për kulturën e njëri-tjetrit dhe
miqësia mes njerëzve që shkon përtej politikës.

Të nderuar miq,

Shqipëria është një vend i vogël në Evropën Juglindore, me një popullsi afërsisht me madhësinë e Lanzhout. Historia jonë ka ndihmuar dhe në zhvillimin e identitetit tonë.

Që nga 1990, ndryshimet dhe reformat kanë qenë fjalët kyçe dhe përmirësimi i vazhdueshëm ekonomik dhe social ka qenë rezultati. Në një çerek shekulli Shqipëria ka ndryshuar thellësisht, e transformuar dhe e zhvilluar, edhe pse rruga drejt progresit nuk ka qenë pa pengesa.

Shqipëria sot është një vend me zhvillim të shpejtë. Si vend anëtar i NATO-s ka përforcuar kontributin në sigurinë rajonale dhe, më e rëndësishmja, Shqipëria është sot një vend kandidat në Bashkimin Evropian dhe pret të fillojë shpejt negociatat për anëtarësim.

Me pak fjalë, gjatë çerek shekullit të fundit Shqipëria ka rikrijuar vetveten.

Mund të mos jemi në krye të listave në lidhje me rritjen e GDP-së; sidomos kjo është e vështirë po të kemi parasysh BE-në përballë Kinës, apo vendeve të tjera aziatike, por siç ka thënë mjeshtër Lao Tzu : “një milingonë në lëvizje bën më shumë se kau që sorollatet”.

Në këtë kontekst, unë do të thoja se vendi im është në lëvizje. Por nuk është vetëm Shqipëria që ka ndryshuar – edhe më gjerë rajoni. Ajo që vetëm një dekadë më parë ishte pjesa më e trazuar e Evropës, e rrënuar nga luftërat dhe mosbesimi, po bëhet sot gradualisht një histori e suksesshme e bashkëpunimit rajonal.

Në më pak se një dekadë, Evropa Juglindore po shëron plagët e së kaluarës, ka krijuar një rrjet të dendur të nismave dypalëshe dhe shumëpalëshe rajonale (rreth 75 prej tyre) që sjellin qindra njerëz nga vendet tona, në nivele të ndryshme, çdo javë, të punojnë dhe vendosin së bashku.

Të gjitha vendet e rajonit kërkojnë të integrohen në BE. Historinë po e rishikojmë, po ashtu libra dhe tregimet e ndryshme dhe po i mësojmë të rinjve tanë rëndësinë për të parë përpara dhe për të ndërtuar të ardhmen tonë të përbashkët përmes përpjekjeve të përbashkëta.

Për ta thënë ndryshe, ne jemi në fazën përfundimtare të transformimit tonë nga ish-armiq në fqinjë. Kjo është posaçërisht e vërtetë kur dikush shikon marrëdhëniet midis Shqiptarëve dhe Serbëve ose nëse dikush analizon progresin që është arritur mes Serbisë dhe Kosovës në procesin e normalizimit.

 

Zonja dhe zoterinj,

Disa ngjarje të mëdha kanë shënuar botën në rrjedhën e dy dekadave të fundit dhe një prej tyre është zhvillimi i shpejtë ekonomik në disa pjesë të saj. Në këtë drejtim, Kina ka qenë spektakolare.

Brenda pak dekadave, Kina jo vetëm ka sfiduar kohën duke udhëhequr rritjen botërore, por ajo ka arritur të nxjerrë nga varfëria më shumë se 500 milion njerëz.

Kina, gjithashtu, ka rishikuar dhe rritur lidhjet e saj dypalëshe me vendet e Evropës Juglindore. Askush befasohet sot të shohë operatorët Kinezë të interesuar për të investuar në projekte të infrastrukturës në rajon, me qëllimin për të krijuar një rrjet të porteve, qendrave logjistike dhe hekurudhave që do të lehtësonin tregtinë dhe eksportimin e produkteve kineze në tregun Evropian.

Ky është terreni ku mbështeten themelet e miqësisë sonë.

Marrëdhëniet tona financiare, ekonomike, tregtare dhe bashkëpunimi teknik dhe kulturor me Kinën janë intensifikuar veçanërisht në vitet e fundit. Një fakt i thjeshtë i thotë të gjitha: Kina është sot partneri i dytë tregtar i Shqipërisë. Aktorë të rëndësishëm ekonomikë kinezë kanë akses në investimet shqiptare dhe janë të mirëpritur.

Niveli i shkëmbimeve që po zhvillojmë është i lartë dhe bashkëpunimi është zgjeruar më tej shpejtësi në financë, sporte dhe kulturë. Banka e Kinës dhe Banka e Shqipërisë kanë nënshkruar marrëveshjen  dypalëshe swap “Chinese yuan / Albanian lek” në rregullimin e valutës. Në nëntor të vitit 2014, Instituti i parëi  Konfucit në Shqipëri është përuruar tashmë në Universitetin e Tiranës.

Megjithatë, potenciali është shumë më i lartë dhe Shqipëria është shumë e interesuar të shqyrtojë çdo mundësi për të përmirësuar tregtinë dhe mbështetjen e investimeve kineze. Ky është një nga mesazhet kryesore që kam përcjellë këtu me bashkëbiseduesit e mi të nderuar gjatë kësaj vizite: ne mund dhe duhet të rrisim bashkëpunimin duke ngritur marrëdhëniet tona në nivele më të larta.

Ne jemi gjithashtu shumë të interesuar të rrisim bashkëpunimin dhe shkëmbimet në fushën e bujqësisë dhe të menaxhimit të ujit, dhe, në veçanti, të shqyrtojmë mundësinë e eksportit të produkteve bujqësore shqiptare në Kinë. Në këtë kontekst, nënshkrimi i marrëveshjes ose protokolit për të reduktuar kohën e karantinës nga autoritetet doganore kineze për mallrat shqiptare do ta lehtësonte tej mase këtë proces.

Përtej kuadrit dypalësh, ne mbetemi plotësisht të angazhuar për të shfrytëzuar maksimalisht Nismën 16 + 1 dhe projektin “Brez dhe Rrugë”, të cilët kanë për qëllim të përmirësojnë transportin dhe tregtinë tokësore të Euroazisë, përgjatë Bosforit duke arritur në gadishullin Ballkanik, si mënyra konkrete për të rritur lidhjet me Evropën dhe Lindjen e Mesme.

Për Shqipërinë, platforma e 16 + 1 është një shembull i shkëlqyer që plotëson marrëdhëniet mes Bashkimit Evropian në njërën anë dhe Kinës nga ana tjetër.

Ne shpresojmë të kemi rezultate konkrete dhe përfitime reciproke përmes bashkëpunimit të mirëfilltë në ekonomi, turizëm, infrastrukturë, energjisë së rinovueshme, kulturës, arsimit, etj.

 

Të nderuar miq,

Më lejoni, në përfundim, të ndaj me ju disa mendime mbi situatën ndërkombëtare. Sipas një fjale të urtë, “ngjarjet e ardhshme hedhin hijet e tyre para”.

Kjo është padyshim e vërtetë për botën ku jetojmë sot, e cila është shënuar nga globalizimi i përshpejtuar dhe multipolariteti. Bota po zhvillohet në shumë aspekte shumë më shpejt se sa aftësitë tona për të kuptuar, analizuar dhe për t’iu përgjigjur ngjarjeve.

Rendi botëror duket ende në kërkim të një pikë balancimi. Mund të vërejmë se si disa institucione ndërkombëtare që lindën gjatë Luftës së Dytë Botërore, nuk japin përgjigje të kënaqshme për sfidat e paraqitura në shekullin e 21.

Disa kriza ndërkombëtare kanë treguar sot se bashkësia ndërkombëtare është e fragmentuar dhe kjo ka dëmtuar seriozisht aftësinë e saj për reagim kolektiv.

Lufta e vazhdueshme në Siri, paqëndrueshmëria e pafundme në Irak, situata kaotike në Libi, Jemen dhe Somali, për të përmendur vetëm këto raste, kanë rrezikuar paqen botërore si nëpërmjet rritjes së pashembullt të terrorizmit ndërkombëtar ashtu edhe përmes pasojave të saj katastrofike apo krizës së madhe të migrimit dhe presionit të saj të madh në Evropë, e cila ende nuk është zgjidhur plotësisht.

Kjo situatë ka ushtruar presion të veçantë edhe në rajonin tonë, siç e kemi parë me të ashtuquajturën rrugë të migrimit të Ballkanit gjatë gjysmës së parë të këtij viti.

Pavarësisht ashpërsisë së kësaj situate multi-krize, nuk mund të mos vërehet se bota ka qenë mjaft e ngadaltë për të reaguar dhe për një kohë të gjatë mjetet e saj të reagimit kanë qenë të keq-përshtatura.

Duhet të nxjerrim konkluzionet e duhura dhe të përgatitemi për sfidat e së ardhmes. Kjo është arsyeja pse mendojmë se duhet të forcojmë institucionet ndërkombëtare përgjegjëse për paqen dhe sigurinë kryesisht KSKB-në. Na duhet të rrisim zhvillimin ndërkombëtar, shtrirjen e marrëdhënieve tregtare, të zbatojmë plotësisht  marrëveshjen e Parisit mbi ndryshimet klimaterike dhe të bashkohemi në përgjegjësitë tona të përbashkëta për të ruajtur paqen në botë.

Historia e Evropës ka treguar në mënyrë të qartë se vetëm nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë dhe vlerave të përbashkëta, perspektivat e luftës, të cilat ka dominuar historinë botërore për shekuj me radhë, bëhen absolutisht të pakthyeshme. Shqipëria është plotësisht e vendosur të jetë një kontribuesr i këtij koncepti.

Ju falënderoj për vëmendjen tuaj!

Faleminderit!