Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Fjala e Ministrit Bushati në takimin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës

7 shtator 2016, Strasburg

 

E nderuar Kryetare Kaljurand,  (E dashur Marina)

I nderuar Sekretar i Përgjithshëm,

 

Jam shumë i lumtur që marr pjesë në këtë takim dhe kam mundësinë të shkëmbej pikëpamje me mikun tonë Mevlüt Çavuşoğlu mbi situatën aktuale në Turqi. Dëshiroj t’i shpreh falënderimet e mia për informimin mbi zhvillimet aktuale.

Shqipëria i kushton rëndësi të veçantë marrëdhënieve të saj me Turqinë.

Turqia është mike e ngushtë e Shqipërisë, partnere e rëndësishme në rajon dhe aleate e NATO-s.

Turqia ka qenë në pararojë të përpjekjeve ndërkombëtare në luftën kundër ISIS-it dhe të gjitha formave të terrorizmit. Ne të gjithë jemi dëshmitarë të çmimit veçanërisht të lartë që Turqia ka paguar në luftën e saj ndaj terrorit.

Jemi gjithashtu të vetëdijshëm për barrën e paprecedent me të cilën ajo vazhdon të përballet për shkak të krizës së refugjatëve, si pasojë e mungesës së stabilitetit në jug, luftimeve të vazhdueshme në Siri, situatës së trazuar në Irak dhe kaosit në Libi.

Pa dyshim, Turqia ka treguar se është një partnere e besueshme evropiane në këtë krizë të pashembullt dhe mbetet aktor i një rëndësie të madhe në të gjitha përpjekjet e përbashkëta për të adresuar këtë sfidë.

Ajo që ndodhi gjatë natës së 15 korrikut ishte një sulm i drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues të Turqisë. Qeveria shqiptare ka dënuar me forcë grushtin e dështuar të shtetit. Ne kemi shprehur solidaritetin tonë dhe kemi përshëndetur vendosmërinë e popullit turk dhe përfaqësuesve të tyre legjitimë e të zgjedhur në mënyrë demokratike për të rivendosur rendin kushtetues dhe respektuar sundimin e ligjit.

Është e rëndësishme të theksohet se një Turqi demokratike, e qëndrueshme dhe e zhvilluar nuk është vetëm në interes të popullit të saj, por edhe një faktor kyç për arkitekturën e sigurisë evropiane.

 

Zonja Kryetare,

Vizita e Sekretarit të Përgjithshëm Jagland në Ankara dhe raporti i shpërndarë me këtë rast kanë hedhur dritë mbi nevojën për të ndjekur nga afër dhe bashkëpunuar në terren kur një shtet anëtar përballet me sfida, vështirësi dhe kërcënime që cënojnë sigurinë e tij.

Turqia është anëtare besnike e Këshillit të Evropës. Ajo ka dëshmuar se, ashtu si anëtarët e tjerë, udhëhiqet nga angazhimet dhe detyrimet që rrjedhin nga anëtarësia. Adresimi i pasojave të grushtit të shtetit, një situatë mjaft e vështirë dhe komplekse, nuk do të ishte i lehtë. Nuk bëhej fjalë për një çështje të thjeshtë që mund të zgjidhej brenda disa ditësh, por për një proces ku përgjegjësitë duhet të identifikohen dhe autorët të përballen me drejtësinë.

Prandaj, jemi të bindur se në këtë këndvështrim, Turqia do të punojë gjithashtu edhe me Këshillin e Evropës, duke ndjekur procedurat e brendshme në përputhje me rendin kushtetues.

Kemi besim në aftësinë e saj se – kjo nuk duhet harruar – gjatë përballjes me një sfidë të tillë tejet të vështirë, do të arrijë të mbështesë vlerat dhe “acquis”-in e demokracisë, standardet evropiane, veçanërisht Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në favor të mbrojtjes së demokracisë së saj, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.

Faleminderit!