Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Fjala e Ministrit Bushati në takimin me diasporën shqiptare

në Universitetin e Harvardit – Boston

18 shtator 2016

 

Përshëndetje të gjithëve,

Jam i nderuar të jem këtu mes jush dhe dëshiroj të falënderoj Qendrën për Zhvillim Ndërkombëtar në Universitetin e Harvardit dhe ekipin e saj të palodhur për pritjen.

Në mëngjes takova disa të rinj shqiptarë – dhe prindërit e tyre – teksa ndiqnin mësimin në shqip në Universitetin e Massachusetts-it e më vonë ndoqa me bashkatdhetarët tanë shërbesën e së dielës në Katedralen e Shën Gjergjit, e cila padyshim është një nga monumentet më të rëndësishme shqiptare në SHBA.

Krahas kontributit në prosperitetin e Shteteve të Bashkuara, shqiptarët kanë vijuar të ruajnë identitetin e tyre duke hapur shkolla, kisha, qendra kulturore, gazeta, organizata për të rinjtë, gratë dhe shoqata profesionistësh. Ndjehem krenar kur shoh se ka edhe një pjesë të vogël të Shqipërisë në Amerikën e madhe.

Bostoni për mua është si një shtëpi e dytë. Së pari, sepse një pjesë e familjes sime banon këtu dhe së dyti, për kontributin e çmuar që shqiptarët e Bostonit kanë dhënë në çështje të karakterit kombëtar, mbrojtjen e të drejtave individuale dhe kombëtare si dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë.

Etërit themelues të shtetit modern shqiptar, disa prej të cilëve ishin pjesë e diasporës shqiptare në Boston, e dinin mjaft mirë se pavarësia politike nuk mund të jetë e qëndrueshme pa zhvillim ekonomik.

Në çerek-shekullin e fundit Shqipëria ka bërë mjaft hapa drejt ndërtimit të një shoqërie të hapur e demokratike. Nuk ka qenë një rrugëtim i lehtë dhe jemi ende larg pritshmërive tona të viteve `90.

Kontributi i diasporës tonë ka qenë tejet i madh gjatë 25 viteve të fundit. Mos harrojmë se 10 vite më parë, remitancat kanë qenë një nga kontribuuesit kryesorë në PBB-në e Shqipërisë, me rreth 8%.

Shqipëria ka një nga diasporat më të mëdha në botë krahasuar me popullsinë e saj. Nga këndvështrimi i politikave kjo nënkupton jo vetëm më shumë përgjegjësi për të ofruar shërbime më të mira, cilësore dhe transparente, por edhe hartimin e politikave të cilat do ta angazhojnë në mënyrë të qenësishme diasporën në procesin e zhvillimit të vendit.

Në të kaluarën ky kontribut i jashtëzakonshëm ka ardhur si rrjedhojë e iniciativave individuale, ndërsa roli i shtetit ka qenë shumë pasiv.

Tashmë kemi filluar ta ndryshojmë këtë trend  dhe dëshirojmë të farkëtojmë një partneritet institucional, ku qeveria shqiptare lehtëson dhe krijon kushtet optimale për pjesëmarrjen e diasporës në zhvillimin e vendit.

Një pjesë e kësaj lidhet me mënyrën sesi Shqipëria ndërvepron dhe sa tërheqëse është për qytetarët e saj jashtë vendit. Do t’ju jap një shembull: Në një botë të digjitalizuar qytetarët presin shërbime më të mira nga një Ministër i Jashtëm. Kjo është arsyeja pse kemi investuar shumë gjatë këtyre tre viteve të fundit në mënyrë që:

– Të modernizojmë infrastrukturën konsullore,

– Të prezantojmë teknologji të reja, në mënyrë që të digjitalizojmë shërbimet konsullore,

– Të ofrojmë më tepër shërbime të sigurta dhe me kosto të ulëta për qytetarët shqiptarë, kudo ku ata ndodhen.

Mund të përmend këtu edhe produktin elektronik më të ri të MPJ-së,  “E-Konsullata”, një aplikacion i cili ka për qëllim informimin dhe ofrimin e shërbimeve për të gjithë qytetarët shqiptarë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ky është vetëm hapi i parë i një projekti më të madh që po zhvillojmë në kuadër të diplomacisë digjitale.

Ne dëshirojmë që marrëdhënia me diasporën të mbetet në thelb të politikë-bërjes sonë. Për këtë arsye, kemi bashkëpunuar me IOM-in mbi hartimin e një strategjie për përfshirjen e diasporës në zhvillimin ekonomik, përmes shkencës dhe arsimit, por edhe përmes nxitjes së sipërmarrjes.

Ky dokument është rezultat i dhjetëra konsultimeve dhe anketimeve gjatë vitit të kaluar në shtetet me komunitete të mëdha shqiptare, si Italia, Greqia dhe SHBA-ja.

Hapi i parë drejt zbatimit të kësaj strategjie do të jetë Samiti i parë i diasporës shqiptare, i cili do të zhvillohet në Tiranë në nëntor të këtij viti.

Në këtë kontekst, dëshiroj të ftoj shqiptarët e Bostonit të bashkohen me përfaqësues të diasporës nga më shumë se 38 shtete, për të marrë pjesë dhe për t’u angazhuar në këtë ngjarje të paprecedent.

Jam shpresëplotë së kjo do të shënojë një kapitull të ri në marrëdhëniet tona, ku ne mund të bëhemi aktorë të ndryshimit në një mënyrë të re e kuptimplotë.

Shpreh bindjen – dhe historia na ka dhënë të drejtë mbi këtë – se pa cilësinë dhe përkushtimin e diasporës së saj – pa efektin e saj transformues – Shqipëria jo gjithmonë do të kishte qenë në gjendje të bënte zgjedhjet e duhura në kohën e duhur.

Ju faleminderit për pritjen e ngrohtë dhe ju mirëpres në nëntor për të vijuar bashkëbisedimin tonë.

Faleminderit!