Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

I nderuar Z. Williams,

Anëtarë të Ekipit të Përfaqësisë së OKB-së në Shqipëri,

Zonja e Zotërinj,

Është kënaqësi të jem këtu bashkë me ju për të kremtuar Ditën e OKB-së.

Për 71 vite radhazi, OKB-ja ka qenë forumi kryesor për të adresuar çështjet që i tejkalojnë kufijtë kombëtarë, si sigurimi i paqes, mbrojtja e të drejtave të njeriut apo promovimi i prosperitetit ekonomik dhe social.

Sigurisht, që ka pasur raste kur të gjithë ne kemi dështuar në respektimin e këtyre parimeve. Lufta dhe kriza humanitare në Siri, dhe jo vetëm, tregojnë më së miri që shpeshherë “interesat kombëtare” kanë triumfuar mbi parimet që na mblodhën bashkë shtatë dekada më parë.

Por pavarësisht mangësive, OKB ka mundur të arrijë rezultate konkrete në çështje madhore. Konkretisht, hyrja në fuqi e Marrëveshjes Klimatike në më pak se dy javë dhe adoptimi i Objektivave për Zhvillimin e Qëndrueshëm janë prova se ne vazhdojmë të punojmë së bashku në ndërtimin e një sistemi ndërkombëtar të rregullave dhe normave që sigurojnë respektimin e lirisë dhe dinjitetit njerëzor në mbarë botën.

Dëshiroj të insistoj sot mbi idenë e dinjitetit dhe hapësirës gjithnjë e më të madhe që besoj se duhet t’i japim këtij nocioni në punën tonë të përbashkët.

 

Zonja dhe Zotërinj,

Për pak ditë do festojmë dhe 61 vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara. Vendi ynë ka një histori të pasur e të suksesshme bashkëpunimi me OKB-në dhe strukturat e agjencitë e saj. Aktiviteti i tyre në Shqipëri është i ndërlidhur ngushtë me planet dhe përparësitë tona të zhvillimit, në kuadër të objektivit parësor kombëtar që është integrimi evropian.

Nuk është rastësi që Shqipëria zgjodhi të jetë vend pilot për Objektivin e 16-të të Objektivave për Zhvillimin e Qëndrueshëm (OZHQ).

Zbatimi i Objektivit 16-të, për Paqen, Drejtësinë dhe Institucionet e forta dhe të qëndrueshme, prek aspekte prioritare të zhvillimit të vendit tonë.

Ai siguron ekspertizë në drejtim të performancës dhe treguesve të qeverisjes në frymën e rritjes dhe respektimit të dinjitetit të qytetarëve tanë.

Në nivel global, projekti do të mbështesë Qeverinë shqiptare për të ndarë përvojën e saj në fushën e sundimit të ligjit, në krijim e institucioneve efektive, të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse.

Angazhimi ynë në këtë drejtim do të vijojë të jetë aktiv dhe parimor, i mbështetur nga të gjithë mekanizmat e nevojshëm që bëjnë të mundur realizimin me sukses jo vetëm të Objektivit të 16-të, por edhe të gjithë objektivave të tjerë të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Kjo, falë edhe Marrëveshjes të firmosur sot për një bashkëpunim të mbështetur nga 108 miliona dollarë për pesë vitet e ardhshme.

Duke punuar ngushtë me Ekipin e OKB-së në Shqipëri, ne po konsolidojmë me sukses procesin e reformave të nevojshme për zhvillimin e gjithanshëm të vendit dhe shoqërisë.

Kemi punuar bashkërisht dhe jemi duke zbatuar reformën territoriale; miratuam para pak muajsh ndryshimet kushtetuese dhe paketën ligjore bazë dhe do të jemi tërësisht të angazhuar për të zbatuar reformën transformuese në drejtësi.

Në thelb, përpjekjet tona për një reformë në drejtësi të suksesshme janë përpjekje për t’i rikthyer dinjitetin qytetarëve tanë karshi strukturave të ngarkuara me respektimin e ligjit.

Shqipëria e ka vërtetuar tashmë se është një spirancë stabiliteti në rajon. Por përse është kjo e rëndësishme për ne dhe për bashkëpunimin tonë me OKB?

Sepse roli ynë në rajon mund të përfytyrohet efikas vetëm nëse Shqipëria vijon të tregojë një angazhim të bazuar në parime.

Dhe dinjiteti është njëri prej këtyre parimeve, jo  vetëm si një prej koncepteve kardinale të kartës së OKB-së por edhe si parim bazë i ndërsjellësisë, fqinjësisë së mirë, madje edhe i sovrantitetit.

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Bota e shekullit 21 po përballet me sfida serioze:  ekstremizmi i dhunshëm dhe terrorizmi, konfliktet rajonale, kriza e refugjatëve, ajo financiare dhe ndryshimet klimatike. Këto sfida kërkojnë angazhimin e të gjitha vendeve, nën drejtimin e një OKB-je të reformuar, më të fortë dhe më efikase, që reflekton realitetet e sotme për të mbrojtur edhe më shumë edhe më mirë dinjitetin njerëzor.

Duke i uruar suksese Sekretarit të Përgjithshëm të sapo zgjedhur Antonio Guterres në detyrën e re, dëshiroj ta siguroj atë edhe ju, ekipin e OKB-së në Shqipëri, për gatishmërinë tonë për të punuar sa më ngushtë për një të ardhme të përbashkët më dinjitoze.

Ju faleminderit !