Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Z. Kryetar,

Z. Sekretar i Përgjithshëm,

Shkëlqesi,

Zonja dhe zotërinj,

Është kënaqësi për mua të flas sot përpara jush në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së. Fillimisht më lejoni t’ju falënderoj, Ambasador Pohl, për pritjen e ngrohtë dhe t’ju siguroj për mbështetjen e plotë të Shqipërisë në prag të Ministerialit të Hamburgut. Pasi gati një muaji do të takohemi për të diskutuar dhe për të marrë vendime, bazuar në punën tuaj këtu në Vjenë. Besoj se Ministri Steinmeier ka të drejtë se, në situatën aktuale të sigurisë në hapësirën e OSBE-së, një takim ministror vetëm një herë në vit mund të jetë i pamjaftueshëm. Ministeriali  informal në Potsdam ishte një ide vërtetë e mirë, jo vetëm për të shkëmbyer pikëpamjet, por edhe për të reflektuar mbi pritshmëritë tona për Ministerialin e  Hamburgut.

Vendi im u anëtarësua në këtë organizatë 25 vjet më parë, një mundësi e mirë kjo për të reflektuar mbi partneritetin e Shqipërisë me OSBE-në dhe për të ndarë me ju disa mendime.

Zonja dhe zotërinj,

Në vitin 1991, kur “epoka e konfrontimit dhe ndarjes së Evropës kishte përfunduar”, Shqipëria po dilte nga dekada izolimi e etur për përkatësi dhe liri. I gjeti të dyja në këtë organizatë, që premtonte një Evropë të bashkuar e të lirë. Ka pasur shumë zhvillime pozitive në këto 25 vjet. Por është e pamohueshme se sot vizioni i OSBE-së, i formësuar nga ne të gjithë, për një Evropë të bashkuar dhe të sigurt, po duket gjithnjë e më larg.

Nuk ka pse të jetë kështu dhe ky është mesazhi i parë që dua të përcjell sot. Besoj se Akti Final i Helsinkit dhe Karta e Parisit për një Evropë të Re janë po aq të vlefshme sot, sa ishin atëherë. Të mos harrojmë se KSBE-ja e asokohe ishte një forum unik për dialog konstruktiv mes palëve të ndara nga Perdja e Hekurt. Demokracia e bazuar mbi te drejtat e njeriut dhe liritë thelbësore, prosperiteti nëpërmjet lirisë ekonomike dhe barazisë sociale, siguria e përbashkët e të gjitha vendeve pjesëmarrëse – këtë shpresonin dhe dëshironin popujt tanë për çerek shekulli e që vazhdojnë të shpresojnë dhe të presin sot. Është detyra e politikbërësve, si unë, për t’iu përgjigjur njerëzve që na kanë besuan të qeverisim.

Nuk është e lehtë, siç ndodh rëndom për gjërat e rëndësishme. Vendi im ka kërkuar të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, si një pasojë e natyrshme e zhvillimin tonë. Jemi në një proces reformash thelbësore, përfshirë dhe një reformë që synon rishikimin radikal të sistemit të drejtësisë. Qëllimi është që të sigurojë pavarësinë, llogaridhënien, profesionalizmin dhe efikasitetin, si dhe të çrrënjosë korrupsionin në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Është një proces plot sfida e vështirësi, por kemi vullnetin politik për të kryer reformën, si dhe mbështetjen e jashtëzakonshme të partnerëve, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kemi marrë angazhime në lidhje me të drejtat e njeriut, demokracinë, shtetin e së drejtës, mbrojtjen e minoriteteve dhe tolerancën, që përbëjnë zemrën e kësaj organizate.Ndaj duhet dhe të jemi të vendosur në përmbushjen e këtyre angazhimeve.

Mesazhi i dytë që dua të veçoj është se duhet të vlerësojmë si duhet ndihmën dhe mbështetjen që OSBE-ja u ofron shteteve pjesëmarrëse në përmbushjen e angazhimeve të marra. OSBE-ja është një strukturë unike, me një koncept gjithëpërfshirës të sigurisë, instrumente për menaxhimin e krizave dhe masa për ndërtimin e besimit, strukturat ekzekutive, institucione autonome dhe misione në terren. Thuhet ndonjëherë se ka dy OSBE: një në lindje e një tjetër në perëndim të Vjenës, apo një me misione në terren dhe një pa to. Në fakt, ka vetëm një OSBE, të cilat shtetet pjesëmarrëse e themeluan vite më parë dhe e drejtojnë ende sot mbi bazën e konsensusit. Nëse OSBE-ja nuk po përmbush premtimin e saj, apo potenciali i saj mbetet i pashfrytëzuar, duhet të kthejmë sytë dhe nga vetja për të kuptuar arsyen. Më lejoni të shpreh mbështetjen e plotë për punën e Kryesisë gjermane për forcimin e kapaciteteve të OSBE-së, veçanërisht në kuadër të ciklit të konfliktit.

Mesazhi im i tretë sot ka të bëjë me dialogun. Zbatimi i pamjaftueshëm i normave, parimeve dhe angazhimeve në kuadër të OSBE-së nuk është diçka e padëgjuar dhe më vjen keq që dhe vendi im nuk bën përjashtim në këtë pikë. Pavarësisht kësaj, OSBE-ja ofron një platformë ku shtetet pjesëmarrëse mund t’i kërkojnë llogari njëra–tjetrës për nivelin e zbatimit. Por që kjo të funksionojë siç duhet, na duhet të bisedojmë me njëri-tjetrin dhe jo vetëm për njëri-tjetrin. Retorika nuk zëvendëson dialogun; as monologjet paralele nuk përbëjnë dialog.

Secili prej shteteve pjesëmarrëse ka diçka të veçantë për të kontribuar në OSBE. Për vendin tim, unë besoj se është toleranca. Nuk është diçka e mësuar. Harmonia fetare, mirëkuptimi shumëkulturor, toleranca dhe pranimi janë pjesë e trashëgimisë sonë, pjesë e esencës së shoqërisë sonë. Në një mjedis ku po zënë vend urrejtja, ksenofobia, retorika toksike e radikalizmi, besoj se mund të ofrojnë një model tjetër për ndërtimin e urave, promovimin e besimit dhe nxitjen e mirëkuptimit midis njerëzve në hapësirën e OSBE-së.

Ndonjëherë dallimet janë shumë të mëdha për tu kapërcyer, por sikurse mendon dhe Kryetari i Radhës i OSBE-së, ky mund të jetë dhe momenti për të parë drejt fushave të bashkëpunimit praktik. Në Ballkanin Perëndimor këtë e quajmë ndërlidhje. Procesi i Berlinit dhe agjenda e tij e ndërlidhjes – ndërtimi dhe përmirësimi i ndërlidhjes brenda Ballkanit Perëndimor dhe midis Ballkanit Perëndimor e BE-së përmes projekteve me rëndësi rajonale në fushën e transportit, energjisë dhe tregtisë – kanë dëshmuar se është një faktor kyç në tejkalimin e barrierave dhe forcimin e procesit të ndërtimit të besimit politik dhe sigurisë në rajon.

Iniciativa më e re, Zyra Rajonale për Bashkëpunimin Rinor, synon të ndërtojë ura të reja dhe të zgjerojë rrugët e bashkëpunimit, të mbështesë dialogun, të promovojë mirëkuptimin, të vërtetën dhe pajtimin ndërmjet të rinjve. Në kuadër të kësaj iniciative, të rinjtë do të angazhohen në projekte rajonale, në mënyrë që ata të mund të kontribuojnë në promovimin e vlerave demokratike, tolerancës, të drejtave të njeriut, si edhe në luftën kundër racizmit, ksenofobisë, gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit.

Një tjetër nismë e rëndësishme rajonale do të ketë selinë në Tiranë, Fondi i Ballkanit Perëndimor. I krijuar nën modelin e Fondit Ndërkombëtar të Vishegradit dhe mbështetur prej tij, Fondi do të fokusohet në promovimin e vlerave të përbashkëta ndërmjet qytetarëve, shoqërisë civile dhe institucioneve në rajon, duke forcuar kështu bashkëpunimin dhe kontaktet ndërmjet njerëzve.

Integrimi më i thellë ekonomik, rritja e mirëkuptimit politik dhe përmirësimi i kontakteve ndërmjet njerëzve kanë kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në forcimin e sigurisë rajonale. Besoj se këto elemente janë një forcë shtytëse për zbatimin e agjendave tona reformuese. Në të njëjtën kohë, ky bashkëpunim i rritur na ka shtyrë të shohim më nga afër se çfarë po bëjmë brenda shoqërive tona në lidhje me qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit – përfshirë sundimin e ligjit në ekonomi, për lirinë e medias, shoqërinë civile gratë, të rinjtë dhe pakicat. Mbrojtja e të drejtave të tyre dhe fuqizimi i tyre për të gëzuar këto të drejta është një hap i parë drejt një rajoni më të qëndrueshëm dhe të sigurt.

Bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor ka ecur dukshëm përpara. Janë gjashtë vendet e përfshira aktualisht në formatin Ballkan Perëndimor dhe presim me padurim ditën kur Kosova do të ulet dhe në këtë tryezë si një shtet pjesëmarrës. Deri atëherë, inkurajojmë fort Kryesinë e re austriake të konsiderojë mënyrat se si kjo organizatë të mos diskutojë më për Kosovën, pa Kosovën.

Problematika e krijuar nga lëvizjet e mëdha migratore dhe të refugjatëve kërkon solidaritet dhe partneritet. Sfidat e ekstremizmit të dhunshëm, radikalizmit dhe terrorizmit nuk njohin kufij. Ndaj dhe është e nevojshme të kemi një partneritet të vërtetë me Partnerët tanë të Mesdheut. Dëshiroj të përgëzoj Austrinë për organizimin e shkëlqyer të Konferencës Mesdhetare 2016, veçanërisht për qasjen ndaj sfidave të përbashkëta me të cilat po përballemi në veri dhe në jug të Mesdheut, duke i parë ato si mundësi për një bashkëpunim më të fortë dhe për të forcuar sigurinë.

Të nderuar Ambasadorë,

Ndërsa Ministeriali i Hamburgut po afrohet, më lejoni të ndaj dhe disa vlerësime mbi çështje që i shoh si thelbësore.

Së pari, kontrolli i armëve, duke përfshirë çarmatimin dhe ndërtimin e besimit dhe sigurisë,  i cili është pjesë përbërëse e konceptit gjithëpërfshirës dhe bashkëpunues të OSBE-së mbi sigurinë: Ndërsa rendi i sigurisë në Evropë është sfiduar disa herë që prej aneksimit të Krimesë, kuadri i OSBE-së për kontrollin e armëve konvencionale është ende në fuqi. Angazhimet nuk mund zhbëhen thjesht dhe vetëm sepse dikush vendos t’i shkelë ato. Në këto kushte, rritja e transparencës, bashkëpunimi dhe besimi bëhen edhe më të rëndësishme si mjete për të rritur stabilitetin dhe sigurinë. Është vërtetë për të ardhur keq që përpjekjet për modernizimin e Dokumentit të Vjenës kanë ngecur. Megjithatë, është inkurajues fakti që ka një mbështetje të gjerë nga shtetet pjesëmarrëse, duke përfshirë këtu edhe vendin tim, për të vazhduar diskutimet mbi kontrollin e armëve konvencionale dhe CSBM.

Së dyti, kriza në Ukrainë dhe rreth saj, e cila mbetet një kërcënim serioz për sigurinë evropiane: Respekti për sovranitetin, integritetin territorial, unitetin dhe pavarësinë e Ukrainës nuk përbëjnë asgjë më shumë se çka i detyrohemi në bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe angazhimeve të ndërmarra në këtë organizatë. Ne do të vazhdojmë ta përsërisim këtë, ashtu si çdo të përsërisim se zgjidhja e vetme është politike. Nuk ka asnjë alternativë përveç zbatimit të plotë të marrëveshjeve të Minskut. Por, për progresin që është bërë, është e rëndësishme për t’u ndalur dhe vlerësuar rolin e rëndësishëm të OSBE-së dhe të Misionit të Posaçëm të Monitorimit në Ukrainë.

Së treti, konfliktet, aktive ose të tejzgjatura, të cilat kanë pasoja të rënda për njerëzit që preken prej tyre. Shumë prej shteteve pjesëmarrëse kanë përvojë me konflikte; disa kanë jetuar me kufizime të përditshme dhe pasiguri të vazhdueshme për dekada të tëra. Më vjen keq që nuk mund të ofroj ndonjë zgjidhje apo fjalët të mençura. Por besoj se është e rëndësishme të mos harrojmë se këto nuk janë vetëm situata të tmerrshme; këta janë njerëz, refugjatë, viktima të luftës, persona të zhvendosur. Një javë më parë, Presidenti i Komitetit të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar u shpreh në këtë sallë se veprimi humanitar nuk mund të zëvendësojë veprimin politik. Prandaj dëshiroj t’ju inkurajoj që të angazhoheni plotësisht me propozimet që po diskutoni për Ministerialin e Hamburgut.

Zoti Kryetar,

Më lejoni të përfundoj duke uruar Gjermaninë për punën e madhe në krye të OSBE-së, edhe pse puna juaj nuk ka përfunduar ende. Dëshiroj gjithashtu të përgëzoj Austrinë dhe Italinë, të cilat kanë marrë përsipër drejtimin e kësaj organizate në dy vitet e ardhshme. Ju siguroj për mbështetjen dhe bashkëpunimin e ngushtë të vendit tim.

Ju falënderoj për vëmendjen!