Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Të nderuar pjesëmarrës,

I nderuar Mons. Diego Causero,

Të nderuar Ambasadorë,

Zonja dhe zotërinj,

 

Është kënaqësi të jem këtu bashkë me ju për të kremtuar 25 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shtetin e Vatikanit, që përkon me fillimin e pluralizmit dhe ndërtimin e demokracisë.

Ndonëse marrëdhëniet diplomatike midis shtetit të Vatikanit dhe Shqipërisë janë relativisht të reja, lidhjet shpirtërore midis nesh datojnë shekuj përpara aq sa sot katolicizmi është pjesë e rëndësishme e kulturës tonë kombëtare.

Shteti i Vatikanit, njëherësh mbështetës fizik i Kishës dhe Papa, janë tri entitete që qëndrojnë në skenën globale si një aktor me një dobi të posaçme dhe të pazëvendësueshme, atë të një eksperti në humanizëm, siç e ka përshkruar në fjalimin e tij në Kombet e Bashkuara në vitin 1965, Papa Pali VI.

Në këtë përvjetor, Shqipëria e njeh dhe përshëndet filozofinë në të cilën bazohet Vatikani për një mentalitet të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare që udhëhiqet drejt respektit të alteritetit, lirive fetare, kulturës e traditave të shumëllojshme si vlera universale që nxisin mirëkuptimin dhe bashkëjetesën.

Shqipëria përbën një simbol unik të kësaj filozofie të paqes. Bashkëjetesa dhe harmonia fetare që përshkron në shpirt e kushtetutë mbarë shoqërinë, botën dhe historinë shqiptare përbën bazamentin e patjetërsueshëm të humanizmit dhe dimensionit moral, që siç  nënvizohet me të drejtë nga Selia e Shenjtë, duhet të udhëheqë sot e gjithmonë marrëdhëniet ndërkombëtare. Ky model bashkëjetese që na bën krenarë dhe përgjegjës, do të vijojë të jetë pjesë e pandarë jo vetëm e bashkëpunimit me Selinë e Shenjtë, por edhe e qasjes globale të vendit tonë.

Historiku i 25 viteve të marrëdhënieve diplomatike është një histori suksesi, kulmi i së cilës përkon me dy vizitat e Papëve: Vizita në Shqipëri e Papës Gjon Pali II, më 25 prill 1993 dhe e Papë Françeskut më 21 shtator 2014.

Roli i Selisë së Shenjtë dhe Kishës për jetësimin e nismave dhe projekteve në arsim, shëndetësi, ndihmë sociale gjatë periudhës së tranzicionit në vendin tonë i jep gjithashtu një dimension të veçantë marrëdhënieve tona dypalëshe.

Por pikërisht në këtë përvjetor të 25-të, kjo marrëdhënie është kurorëzuar me disa zhvillime kulmore që kanë lartësuar emrin e Shqipërisë dhe të trashëgimisë sonë kombëtare. Ne i mbetemi thellësisht mirënjohës Papa Françeskut për veprën e nderimit e përjetësimit të bijës më të madhe të kombit shqiptar, Nënë Terezës, me ceremoninë e Shenjtërimit të saj, Shtatorin e kaluar.

Nënë Tereza mishëroi me shembull dhe vepër vlerat më të spikatura të trashëgimisë sonë kombëtare, të cilat i lartësoi në përmasë universale duke ia përçuar mbarë njerëzimit. Me përkatësinë e saj si qytetare e botës, Nënë Tereza mbetet pjesë e pandashme e identitetit shqiptar dhe krenarisë mbarëkombëtare, por edhe gurthemel i marrëdhënies shpirtërore që trashëgojmë me Kishën dhe botën katolike.

Ne jemi, njëkohësisht, falenderues për Lumturimin më 5 nëntor në Shkodër të 38 Martirëve të Kishës sonë Katolike që u shoqërua me shpalljen nga Papa Françesku të Kardinalit shqiptar Don Ernest Troshani, kremtuar më 19 nëntor 2016 në Vatikan. Don Ernest Troshani është i dyti kardinal shqiptar pas Mikel Koliqit.

Këto gjeste të jashtëzakonshme nderimi përbëjnë ngjarje madhore për mbarë botën shqiptare dhe njohjen e vlerave që ajo i ka sjellë njerëzimit. Ato janë një vlerësim i mirëfilltë ndaj qëndresës së Kishës Katolike, sakrificave dhe vlerave emancipuese që ajo i ka sjellë Shqipërisë dhe kombit shqiptar, si dhe një sinjal i qartë pozitiv për intensifikimin e marrëdhënieve tona diplomatike.

Në këtë kontekst, dëshiroj të theksoj angazhimin tonë të mëtejshëm për thellimin e bashkëpunimit e dialogut të frytshëm me komunitetet fetare dhe komunitetin katolik në veçanti, në shërbim të kohezionit të përbashkët mes institucioneve laike e fetare dhe komunitetit.

Dëshiroj, gjithashtu, të siguroj për vullnetin e palëkundur të Qeverisë shqiptare për të thelluar bashkëpunimin e gjithanshëm me Selinë e Shenjtë si dhe trashëgiminë më të vyer të harmonisë që Papa Françesku e shpalosi përpara botës si “vëllazëri fetare”.

Duke ju falënderuar për pjesëmarrjen ju uroj punë të mbarë në këtë Konferencë.