Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Hamburg, më 8 dhjetor 2016

Z. Kryetar,

Z. Sekretar i Përgjithshëm,

Të nderuar kolegë,

Dëshiroj të falënderoj Frank-Walter Steinmeier dhe Kryesinë Gjermane të Radhës së OSBE-së për punën e tyre të palodhur, për dinamizmin dashamirës dhe përkushtimin e sinqertë ndaj sigurisë kolektive në Evropë.

Teksa kontinenti ynë përballet me sfida të shumëfishta dhe të ndërthurura në fushën e sigurisë, OSBE-ja mbetet një forum unik për dialog gjithëpërfshirës dhe një fushë e vërtetë betejash diplomatike mbi vlerat. Është e domosdoshme që të flasim me njëri-tjetrin për të reduktuar pasiguritë, për të ngushtuar zonat gri të sigurisë dhe për të zvogëluar paragjykimet që shoqërojnë shpesh paranojat.

Cenimi i sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës përfaqëson sfidën më të madhe ndaj sigurisë evropiane. Ky është dimri i tretë i konfliktit; raportet nga terreni janë të rënda, pasi më shumë se 3.8 milion vetë në Ukrainë kanë nevojë për ndihmë humanitare. U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të zbatojnë plotësisht Marrëveshjet e Minskut. Ne biem të gjithë dakord se e vetmja zgjidhje për krizën në Ukrainë dhe rreth saj është zgjidhja politike. Shqipëria mbetet mbështetëse e fortë e Misionit të Posaçëm Monitorues në Ukrainë. Siguria e monitoruesve tanë është e panegociueshme; pengesat dhe bllokimet janë të papranueshme; kurse përgjegjësit për sulmet duhet të japin llogari.

Përgëzojmë Kryesinë Gjermane të Radhës për vënien e dialogut në qendër të punës së saj, ashtu sikurse edhe për forcimin e kontakteve mes njerëzve dhe mundësimit të shkëmbimeve të sinqerta mes shoqërisë civile, të rinjve dhe bizneseve të zonën e OSBE-së.

Pajtohem me pikëpamjen e Kryetarit të Radhës se kur diferencat janë tepër të mëdha për t’u kapërcyer, është e rëndësishme të jesh pragmatik dhe të kërkosh fusha praktike bashkëpunimi. Kjo ngjason shumë me axhendën e Ballkanit Perëndimor për lidhje mes vendeve, e cila ka rezultuar të përbëjë një faktor kyç në kapërcimin e pengesave dhe forcimin e ndërtimit të besimit politik dhe sigurisë në rajon. Ne kemi arritur të shënojmë progres të konsiderueshëm në bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor. Ky format përfshin gjashtë vende dhe ne presim me kënaqësi ditën kur Kosova të ulet në këtë tryezë si një Shtet pjesëmarrës. Por derisa ajo ditë të vijë, e inkurajojmë fort Kryesinë Austriake të Radhës që të gjejë mënyrat për t’u siguruar që kjo organizatë të mos diskutojë për Kosovën, pa Kosovën.

Të nderuar kolegë,

Ne biem të gjithë dakord mbi rolin unik që luan OSBE-ja në arkitekturën evropiane të sigurisë. Por që kjo Organizatë, Sekretariati, institucionet e pavarura dhe misionet e saj në terren ta bëjnë punën, për të cilën ne i kemi mandatuar, u duhet mbështetja jonë, politike dhe buxhetore.

OSBE-ja është ajo çka e bëjmë ne, Shtetet pjesëmarrëse. Shqipëria beson shumë se duhet, që në mënyrë shumë racionale, ta forcojmë OSBE-në në fushat ku ajo ka një vlerë të shtuar të dallueshme, në frymën e gjithëpërfshirës dhe komplimentaritetit.

Kontrolli i armëve, përfshirë çarmatimin dhe ndërtimin e besimit dhe sigurisë, është pjesë e pandashme e konceptit gjithëpërfshirës dhe bashkëpunues të OSBE-së për sigurinë. Dhe është për të ardhur keq që përpjekjet për të modernizuar Dokumentin e Vjenës nuk qenë të suksesshme. Megjithatë, ulja e riskut dhe rritja e transparencës ushtarake janë të rëndësishme për sigurinë e të gjithëve ne, dhe ne besojmë se një dialog i strukturuar, propozuar nga kolegu ynë gjerman, është një iniciativë që ia vlen të mbështetet.

Z. Kryetar,

Dëshiroj të falënderoj Kryesinë Gjermane të Radhës për punën e saj të jashtëzakonshme gjatë vitit që shkoi. I uroj suksese Kryesisë Austriake të Radhës dhe i siguroj të gjithë për mbështetjen tonë të plotë në drejtimin e OSBE-së në këto kohë të vështira.

Faleminderit!