Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Përshëndetje të gjithëve,

Doja të ndalnim pak sot për të reflektuar mbi rolin e grave në këtë institucion. Nuk jemi këtu as për të festuar e as për t’u vetkënaqur mbi kuotat e larta të grave në shërbimin e jashtëm.

8 marsi është normalisht një ditë proteste, por nuk mund të anashkalojmë faktin se tre dekadat e fundit në diplomacinë shqiptare janë padyshim dekadat e grave.

Me gjithë propagandën e regjimit komunist për emancipimin e gruas, në vitin 1990 ky institucion kishte ende vetëm 2 diplomate.

Sot panorama është krejt tjetër: afërsisht 1 në 2 diplomatë është grua. Mbi 52% të posteve drejtuese në Ministrinë e Punëve të Jashtme drejtohen nga gra. Ndërkohë që mbi 25% të misioneve diplomatike drejtohen nga gra.

Por nuk mendoj se është e drejtë që të ndalemi vetëm tek këto kuota rozë. Sepse kauza e barazisë nuk duhet të çoroditet me statistika.

Pa dyshim sot kemi një kabinet qeveritar me numrin më të madh të grave në të gjithë historinë e Shqipërisë, kemi një rritje të konsiderueshme të grave parlamentare dhe në këshillat bashkiakë. Por mbi të gjitha për mua kanë rëndësi modelet që ndjek shoqëria jonë.

Teksa po konsultohesha për të përcaktuar emrat e sallave të rikonstruktuara të Ministrisë, më bëri përshtypje fakti se kolegët kishin propozuar vetëm emra burrash të shquar.

Por të gjithë e dimë se në përpjekjet e para shqiptare për të strukturuar vetëdijen kombëtare, gratë zënë një rol të veçantë. Madje është krejt e natyrshme të themi se deri diku personazhe si Elena Gjika apo Edith Durham kanë qenë diplomatet tona të para. Ndaj dhe dua t’ju propozoj sot që njërën prej sallave të Ministrisë t’i vëmë emrin Elena Gjika, për të nderuar pikërisht këtë kontribut.

Në këto vite në detyrë kam vënë re se gratë janë më të afta për të mbuluar misione komplekse që kërkojnë jo vetëm aftësi analitike, por mbi të gjitha kërkojnë përfaqësim dinjitoz.

Sot kemi gra ambasadore në Uashington, OKB, BE, OSBE, Romë, Athinë apo drejtori të rëndësishme si Protokolli i Shtetit apo Diplomacia Publike.

Sikurse e dini, Shqipëria është palë në disa konventa ndërkombëtare për të drejtat e gruas dhe parimisht aparati ynë kushtetues dhe ligjor ofron teorikisht të gjitha kushtet e barazisë.

Por kjo nuk duhet të na bëjë të harrojmë faktin se gratë shqiptare janë ndoshta një prej grupeve më të përvuajtura nga luftërat dhe konfliktet në rajon.

Nuk duhet ta harrojmë tragjedinë e mijëra grave të dhunuara barbarisht gjatë luftës së Kosovës.

Ndaj dhe ju kërkoj sot që dimensioni i gruas në zonat në konflikt dhe roli i grave në tejkalimin e konflikteve të jetë një dimension i pranishëm në punën tuaj të përditshme, dhe në analizën tuaj të situatës të grave shqiptare në rajon.

Për shkak të funksionit tim politik dje takova në Zogaj, Velipojë dhe Shkodër qindra gra që sot përbëjnë modele suksesi në ekonomi, në shoqërinë civile, apo në arsim. Samiti i Diasporës që organizuam vitin e kaluar na dëshmoi se të tilla modele kemi dhe jashtë vendit.

Këto modele janë pjesë e identitetit tonë kombëtar dhe një garanci më e madhe se mund të kemi një shoqëri më të paqtë, më të drejtë e më të begatë.

Ju faleminderit !