Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Mirëmëngjes të gjithëve,

Eminenca Rodè,

Monsignor Massafra,

E dashur Mirela,

I dashur Dom Artur,

Zonja Luçia,

Të dashur miq

Përshëndetje të gjithëve,

Ky përvjetor i 550-të i shpërnguljes së Zojës së Këshillit të Mirë nga Shkodra në Genazzano është paradoksalisht një moment për të kremtuar rikthimin.

Nga njëra anë, kujtojmë një histori mistike e cila vazhdon të na intrigojë, një parabolë e përkryer e historisë së popullit tonë.

Nga ana tjetër, sot mund të gëzohemi për restaurimin e kësaj pikture të mëvonshme të Zojës, e cila mbijetoi mrekullisht si një pasqyrë e krisur por ende e pathyer e afreskut shekullor; e murosur matanë detit, por e thirrur këtu.

Tradita thotë se piktura e Zojës u porosit në Venecia nga Imzot Serreqi, imzoti që bashkëthemeloi shoqërinë “Bashkimi”, mbrojti Shkodrën nga pushtuesit veriorë dhe la gjurmë të thella në këtë tokë.

Mendoj, se nuk është rastësi që ata të cilët, në shekullin XIX, e rikthyen Zojën në qendër të veprimtarisë shpirtnore të katolikëve shqiptarë, janë po ata të cilët nuk reshtën së kontribuari në shtet-ndërtimin e vendit tonë; si Imzot  Jak Serreqi.

Vetë fakti se piktura u porosit në Venecia ka domethënien e vet, si një përpjekje jo vetëm artistike, por edhe arkeologjike, për të kthyer në Shqipëri një traditë që u mbajt gjallë në mërgim.

Dom Arturit i pëlqen të thotë se Zoja e Këshillit të Mirë është Krye-Zojë, e Krye-Prijëse. Dhe ka një të drejtë, sepse Zoja e Këshillit të Mirë ishte gjithashtu, Zoja e Shqiptarëve në Venedik. Zoja e shpërngulur ishte natyrshëm Zoja e të arratisurve, Zoja e diasporës, Zoja e kurbetit.

 

Të dashur miq,

Në kumtesat e këtyre ditëve kemi dëgjuar shumë të flitet për restaurimin. Por unë kam dëshirë të them dy fjalë sot mbi dëmtimin.

Nuk mund të ketë rikthim në identitet pa pajtim me vedin. Sikundër nuk mund të ketë restaurim pa kuptuar plotësisht se çfarë është dëmtimi.

Dëmtimi i një vepre është në fakt i barazvlefshëm me censurën e saj. Vepra që na ka mbledhur sot këtu është dëmtuar, jo vetëm nga koha dhe kushtet e këqija të mirëmbajtjes ndër vitet e errëta, por edhe nga presioni i marrëzisë censuruese.

E njëjta marrëzi censuruese që dëmtoi dalëngadal dhe në heshtje pelikulin piktorik, hodhi rrëmbyeshëm e paturpësisht në lum eshtrat e Imzot Serreqit.

Një marrëzi dhe një dhunë ku nuk kishte më hapësirë, as për mrekulli e as për shtet-ndërtim.

Por, me siguri marrëzi u dukej edhe qytetarëve të Shkodrës kur Pjerin Sheldija i tregonte se e kishte fshehur ai pikturën e Zojës, për ta shpëtuar nga marrëzia tjetër.

Më vonë, nga përballja e dy marrëzive, dëmtimit dhe mirëmbajtjes, do dukej qartë se me cilën prej tyre “punonte Zoti duke vërtetuar Fjalën”, siç thotë Shën Marku, të cilin e festojnë katolikët sot.

 

Të dashur miq,

Në këtë sallë nuk jemi të gjithë të të njëjtit besim.

Megjithatë, besoj se është e lehtë të ndjejmë të gjithë se, puna e përbashkët e Ministrisë së Kulturës dhe Palazzo Spinelli duke restauruar Zojën, na ofron një shans për të rigjetur pranë Muzeut Dioqezian memorien kolektive të Pajtores mes nesh.

Vendi ynë ka po ashtu nevojë për memorien kolektive të shtet-ndërtimit. Shoqëria jonë sot përjeton ende për fat të keq simptomat e marrëzisë së dëmtimit, i cili nuk ka sot trajtën e censurës por atë të frikës, pasigurisë dhe kundërshtimit të interesit publik.

Vetëm duke rigjetur momentet e shpresës dhe duke restauruar brenda vetes copëzat e shtet-ndërtimit, vetëm në këtë mënyrë do të dalim përfundimisht nga marrëzia e dëmtimit, nga marrëzia e vetëkënaqësisë dhe nga ajo e urrejtjes.

Ju faleminderit !