Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

I nderuar Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, i dashur Skënder,

Të dashur motra e vëllezër,

 

Ju falenderoj për pjesëmarrjen në një nga momentet më simbolike të besimtarëve myslimanë: muajin e madhnueshëm të Ramazanit, i cili përbën një oaz shpirtëror ku gjallërohen ndjenjat e larta dhe sublime si dashuria për tjetrin, mëshirimi, ndihma.

Më 28 Nëntor 1913, këtu në Shkodër u mbajt një aktivitet përkujtimor me rastin e përvjetorit të parë të pavarësisë së Shqipërisë. Aty ishin mbledhur tok muslimanë e të krishterë që brohoritën njëzëri: “Rroftë Shqypnia”.

Atë natë kambanorja e kishës së Gjuhadolit u lidh me minaren e xhamisë së Fushë-Çelës nëpërmjet një teli ku valëvitej flamuri kombëtar ndërmjet rreshtit të gjatë të kandilave kuq e zi.

At Gjergj Fishta shkruante për këtë episod: “Ishin mbledhë t’thuesh 20 mijë vetë, me zotnitë Shkodranë, ku ishin ma t’zgjedhunt… M’atë ditë përtamand m’asht gzue zemra, jo vetëm pse ishem tujë pa muhamedan e t’kshtenë t’vllaznuem nen hije t’bajrakut (flamurit) t’Shqypnis, por edhe për burrni e bujari, me t’cilën ky popull ishte tujë u interesue për interesë ma t’gjalla t’Shqypnis e t’vendit t’vet. Kështu kishte dashtë me punue gjithmonë për Shqipni: popull e punë shum; zhurmë, sa ma pak”.

Fjalët e At Gjergj Fishtës për vllaznit muslimanë, ata bij të Shkodrës që kanë dhënë shumë, jo vetëm për komunitetin e këtueshëm, po për të gjithë Shqipërinë, tingëllojnë aktuale edhe sot. Kur sfidat me të cilat përballemi kërkojnë vendosjen e interesit kombëtar mbi gjithcka tjetër.

Hafiz Ali Tari (Kraja), Daut Borici, Haxhi Hafiz Muhamed Bekteshi, Sali Myftiu (plaku dhe i riu), Hafiz Ibrahim Repishti edhe Hafiz Sabri Koci (pavarësisht se nuk lindi në Shkodër, por dha shumë për Shkodrën, janë vetëm disa nga figurat e ndritura që kanë lartësuar Shkodrën dhe vendin tonë.

Mbi të gjitha, ata na kanë përcjellë mesazhin se të jesh shqiptar do të thotë të kesh qytetarinë për të treguar tolerance fetare që është në ADN-në e popullit tonë.

Më 7 prill 1858 në përurimin e fillimit të ndërtimit të Kishës së Madhe, gur themeli i Katedrales u bekua nga arqipeshkvi Topich, ku ishte i pranishëm Dom Ejll Radoja, famulltar i qytetit dhe meshtarë të tjerë.

Daut Efendi Boriçi, dijetar dhe atdhetar i shquar mysliman, drejtori arsimit në Stamboll dhe Shkodër, autori një alfabeti shqip, mbajti fjalimin e rastit. Përurimin e fillimit të ndërtimit të katedrales ai e quajti një gëzim të madh për të gjithë shkodranët pa dallim feje.

***

Jemi të ndërgjegjshëm që bota po ndryshon me hapa të shpejtë dhe përshtatja ndaj një bote të tillë nuk është e lehtë. Në kohëra si sot, pyetja mijëravjecare e njerëzimit ‘Si duhet ta jetoj jetën’ – bëhet gjithnjë e më imperative. E shtroj këtë pyetje si prind, si bashkëshort, si qytetar i këtij vendi.

Në shkollë mësohen dije, po ku do t’i mësojnë brezat e sotëm dhe të nesërm vlerat morale dhe parimet mbi të cilat duhet të bazohet një jetë e virtytshme?

Familja është nën trysninë e tregut të punës i cili ende nuk është i udhëhequr nga parimet e shtetit të së drejtës. Aq sa prindërit ose shihen vetëm në darkë, ose na rroftë what’s app-i.

Mediat dhe platformat sociale të komunikimit, dikur kanale të mirefillta informacioni, sot theksojnë konsumatorizmin duke promovuar hera herës figura dhe modele të dëmshme për shoqërinë tonë.

Shpesh flasim në emër të rinisë dhe të së nesërmes. Por, le mos të harrojmë të tashmen sepse njerëzit jetojnë tani dhe këtu.

Shoqëria shqiptare është në transformim e sipër. Kemi investuar në transformimin material, por nuk duhet të harrojmë se transformimi i vërtetë ndodh brenda vetes. Te njeriu!

Në këtë transformim është e rëndësishme që ne të gjejmë mbështetje sidomos te komunitetet fetare për të nxjerrë në pah atë çka është hyjnore te njeriu.

Shoqëria ka nevojë për myslimanë e të krishterë të mirë, që të mbartin ato vlera që i kemi trashëguar, pavarësisht se sa të ndërgjegjshëm kemi qenë.

Shkodra është simboli tolerances ndër-fetare, mjaft të kujtojmë faktin se kolegjin saverian e ndoqën dhe e ndjekin bazuar në një traditë të mirë, përveç nxënësve katolikë, edhe nxënës myslimanë dhe ortodoks.

Nga libri “50-vjetori i kolegjit saverian” mësojmë se në këtë kolegj jepej edhe mësimi i fesë islame për nxënësit myslimanë. Disa prej këtyre nxënësve ishin Faik Konica, Tahir Dizdari, Teofik Bekteshi, Myzafer Pipa etj.

Të pakta janë vendet të cilat kanë njohur një bashkëjetesë harmonike midis feve të ndryshme, si këtu te ne. Por kjo pasuri nuk është dicka që erdhi nga lart. Ajo që sot ne e marrim si të mirëqenë, vëllazëria fetare, ka ardhur si rezultat i një pune dhe përkushtimi shekullor të shqiptarëve brez pas brezi. Është detyra jonë ta vazhdojmë punën e tyre me përulësi dhe modesti.

Në fund dëshiroj ta mbyll me një histori nga e kaluara, sepse të kuptosh kush je e ku shkon, duhet patjetër të dish se nga vjen e kush ke qenë.

At Gjergj Fishta tregonte se: “Në Veri të Shqypnisë, asht nji Bajrak (bajraku i Hotit), ku të gjithë janë katolikë përpos shpisë së bajraktarit qi asht muhamedan. Tash ndodhi qi n’vjetin 1904 kisha e atij bajraku mbeti pa meshtar për shum ditë. Kur qe një dit nderdit, bajraktari me një tjetër në krye t’atij vendi, po ulej në Shkodër fill e te i pari i fretërve, e muhamedan tuj kenë, i thotë: “Pasha Zotin, zotni, kisha jonë ka mbetë keq pa frat. As s’ka kush na bekon shpirt për s’gjalli, as vorret përs’dekuni. Rixha kam me zotninë tate me na çue fratin sa ma pare te kisha se kem mbetë keq. Kaq me interes pra aj bajraktar muhamedan për çashtjen e të dërguemit të meshtarit katolik n’atë kishë!”

Agjerim te mbare dhe qofshin të pranuara sakrificat tuaja!