Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

I nderuar Ministër Kishi,
E nderuar Ministër Ekonomi,
E dashur Milva,
I nderuar Ambasador ITO dhe Ambasador Teneqexhiu,
Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Largësia gjeografike mes Shqipërisë dhe Japonisë i ka bërë shpeshherë marrëdhëniet tona të ngjajnë të mangëta dhe të kufizuara.

Të vendosur në vitin 1922 marrëdhëniet diplomatike mes nesh njohën një farë hovi në qershor të vitit 1930 me nënshkrimin e marrëveshjes së parë të miqësisë dhe tregtisë me Japoninë dhe në prill të vitit 1932 kur Aleksandër Hobdari u emërua Konsull Nderi i Japonisë në Shqipëri.

Ky hov u ndërpre nga tragjeditë e Luftës së Dytë Botërore, që përpinë dhe transformuan rrënjësisht Mbretninë e vogël shqiptare dhe Perandorinë e madhe të Japonisë.

Periudha e Luftës së Ftohtë ishte vërtetë ashtu, e ftohtë dhe e heshtur, edhe pse në vitin 1981 dy vendet tona rivendosën serish marrëdhëniet diplomatike.

Tranzicioni ynë politik dhe ekonomik përkoi edhe me rikthimin e Japonisë në Shqipëri si një prej partnerëve më të rëndësishëm, me rreth 400 milion dollarë të shpenzuara në mbështetje për zhvillim.

Për ne Japonia përfaqëson një burim frymëzimi dhe sigurisht një model. Nuk e them këtë vetëm nga pikëpamja e diplomacisë ekonomike por edhe nga këndvështrimi i një marrëdhënieje që ka një potencial të lartë zhvillimi.

Në këtë 35 vjetor të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, Japonia është një partner ekonomik, sepse vetë volumi i shkëmbimeve tregtare ka njohur një rritje me 30% gjatë vitit të kaluar.
Këtë dinamikë dëshirojmë të shohim të konkretizohet edhe në rrafshin e investimeve dhe të shërbimeve turistike.

Hapja e Ambasadës Japoneze në Tiranë përbën padyshim një gurthemel, që përmbush pritshmërinë tonë të kahershme për një marrëdhënie të ripërtërirë, duke fshirë përfundimisht distancat gjeografike dhe duke ndërtuar një ndërsjellësi të re.

Hapja e Ambasadës përbën gjithashtu një mesazh për peshën specifike të Shqipërisë në rajon, si një vend gjithnjë i angazhuar në favor të një marrëdhënieje miqësore dhe mirëbesimi me vendet e Azisë.

Vetëm një marrëdhënie e tillë do i japë mundësinë këtij këndi të Europës jug-lindore dhe fuqive ekonomike të Azisë të tejkalojnë plotësisht periudhën e indiferencës dhe të marrin seriozisht potencialin e tyre të përbashkët.

Dialogu shqiptaro-japonez duhet t’i shërbejë këtij afrimi të domosdoshëm.

Duke përfunduar më lejoni që në emër të qeverisë shqiptare, të Kryeministrit Rama t’i shpreh edhe një herë tjetër mirëseardhjen Ambasadorit dhe gjithë stafit të ri të Ambasadës së Japonisë në Shqipëri dhe t’i siguroj për mbështetjen tonë të plotë gjatë ushtrimit të detyrave këtu në Tiranë.

Aligatô!