Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Dëshiroj t’ju falënderoj për pjesëmarrjen dhe mbështetjen tuaj Mirela dhe Blendi, si dhe të falënderoj Ambasadën e Norvegjisë dhe Këshillin Britanik për realizimin e këtij aktiviteti.

Nisma “Ngjyrat e Shqipërisë” (Colours of Albania), në edicionin e tretë të saj, është kthyer në një traditë të përvitshme. Një formë e re për të promovuar Shqipërinë, duke ndërthurur diplomacinë me dixhitalizimin, rininë me promovimin e vendit, risinë me të vjetrën.

Fakti që çdo vit pjesëmarrja sa vjen e zgjerohet dhe numri i fotografive sa vjen e shtohet, tregon se kemi evidentuar një instrument të dobishëm dhe alternativ, ku me pak shpenzime kemi krijuar një mekanizëm të vogël për një qëllim të madh.

Nisma “Ngjyrat e Shqipërisë” është në fakt shembulli më domethënës i motos së qeverisë tonë “më shumë me më pak”, çka tregon se vullneti për të realizuar një projekt është më i rëndësishëm se sa fondet. Mishërim i fjalës së urtë “më mirë të dish, se sa të kesh”.

 

Të nderuar miq,

Dëshiroj të ndaj me ju diçka personale. Po të shohësh rubrikat e lajmeve nëpër media, ligjëratat në Kuvend, morinë e emisioneve me fjalë kuturu dhe po ta vendosësh atë çka përcillet nëpërmjet tyre përballë fotografive të “Ngjyrave të Shqipërisë”, duket sikur jeton në dy realitete përjashtuese.

Mirëpo, përmes nismës tonë mëson se jo çdo gjë është bardh e zi, se pavarësisht sfidave, këtu në Shqipëri jetohet. Si mesdhetar tipik, njerëzit dinë ta shijojnë jetën. Dhe ata që e kanë vizituar Shqipërinë gjithmonë dëshirojnë të kthehen. Mjafton të pyesësh ekipet e ambasadave në Shqipëri kur ju duhet të largohen për shkak të detyrës.

Këtë vit, nisma “Ngjyrat e Shqipërisë” u hap në prag të sezonit veror, në Fototekën “Marubi” në Shkodër. Kjo mbase është edhe arsyeja se përse në këtë edicion ka shumë fotografi që i kushtohen peizazheve të natyrës tonë.

Por interesant është fakti se krahas fotografive nga vende të njohura si Thethi, Dhërmiu, Valbona gjejmë edhe fotografi nga vende më pak të njohura, por me bukuri po aq mahnitëse si Vermoshi, Kanionet e Erzenit, fushat e Mallakastrës, Banjat e Bënjës, apo Shkopeti.

Gjithashtu, bie në sy edhe rritja e pjesëmarrjes së të huajve në këtë edicion. Një numër i madh fotografish janë shkrepur nga vizitorë të huaj.

Deri vjet ishin të rralla fotografitë nga qendrat e qyteteve tona. Ndërsa në këtë edicion, krahas Gjirokastrës dhe Beratit, tanimë kemi fotografi nga qytete të tjera, si Shkodra, Pogradeci, Korça, Tirana.

Një imazh flet sa një mijë fjalë. Fotografitë e shkrepura nga njerëzit e zakonshëm, shqiptarë apo të huaj, flasin më qartë se sa sherrnajat për efikasitetin e programit të Rilindjes Urbane.

Arkiva e nismës “Ngjyrat e Shqipërisë” në vetëm 3 vjet ka në fondin e saj më shumë se 20 mijë fotografi duke shënuar rritje në çdo edicion. Ndërveprimi i shumëfishuar me rrjetet sociale dhe impakti i jashtëzakonshëm që ka pasur sidomos tek të rinjtë, e ka shndërruar nismën tonë në një ekspozitë të gjallë të artit figurativ.

Në fakt, shumë të rinj, tashmë e përdorin rregullisht hashtagun #ColoursofAlbania në shumë prej fotografive që postojnë në rrjetet sociale. Deri tani ky hashtag (#ColoursofAlbania) është përdorur 23 mijë herë.

Gjithashtu, shumë faqe të cilat promovojnë turizmin kanë ndarë fotografi nga #ColoursofAlbania, si Albania Explorer, In City Albania, Choose Balkans, Fantastic Albania, Colours of Durres, Inst Albania Official, Visit Gjirokastra, Theth Albania – duke e shndërruar atë në një guidë promovimi.

Ministria për Evropën e Punët e Jashtme ka organizuar çdo vit ekspozitën shëtitëse me fotot më të mira nga “Ngjyrat e Shqipërisë”. Deri tani këto ekspozita janë mbajtur në: SHBA (Uashington, Boston,  Nju Jork), Belgjikë, Francë, Gjermani, Kinë, Hungari, Holandë, Poloni dhe do të vazhdojnë me shtrirjen e ekspozitave shoqëruese edhe në vende të tjera që përbëjnë interes për vendin tonë.

Motoja e këtij edicioni “guxo e zgjidh shtegun më pak të rrahur” është një varg i huazuar nga një poemë e Robert Frost-it dhe u zgjodh për t’iu referuar, ndër të tjera, edhe rritjes së interesit të të huajve për vendin tonë.

Natyrisht është një moto edhe për ne, sepse nisma “Ngjyrat e Shqipërisë”, është në vetvete shtegu më pak i rrahur. Dhe ne me vetëdije zgjodhëm të ecim në këtë shteg. Ashtu siç e thotë vargu pasues në poezinë e Robert Frost-it “dhe kjo bëri gjithë dallimin” (and it made all the difference).

Ju faleminderit!