Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme zhvilloi një dëgjesë publike me “Pakicat Kombëtare-Urë lidhëse” mbi procesin e hartimit të akteve nënligjore në zbatim të ligjit “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në RSH-së”, me praninë e përfaqësuesve të pakicës kombëtare greke. Kjo dëgjesë u zhvillua edhe në kuadrin e Ditës së Diversitetit Kulturor në Grapsh, Gjirokastër me pjesëmarrjen e Kryeministrit, z. Edi Rama dhe deputeteve të zonës, përfaqësuesve të komitetit të pakicave kombëtare dhe përfaqësues të pushtetit lokal.

Kryeministri, Rama, vuri në dukje, ndër të tjera në këtë takim me minoritetin grek se hapat që ka bërë qeveria me ligjin për minoritetet janë të lavdërueshme. Ligjet janë ato që përcaktojnë përparimin, mirëqenien dhe rregullimin e marrëdhënieve të qytetarit me shtetin, vlerësoi Kryeministri shqiptar. Besoj se ligji për minoritet është një sipërmarrje e rëndësishme, mbasi kaluan mbi 25 vjet ku veç pretendohej për tu bërë një ligj i tillë.

Në fjalën e tij, Ministri Bushati vuri në dukje vlerat dhe kontributin e pakicës kombëtare greke në bashkëjetesën në shoqërinë shqiptare. Është detyra jonë të punojmë me ju për të çuar përpara ligje të standardeve evropiane, si dhe të punojmë me qeverinë greke dhe organizmat ndërkombëtare për zbatimin e projekteve që lidhen me “unitetin në diversitet”, u shpreh ministri Bushati. Gjithashtu ai vuri në dukje kontributin e dhënë jo vetëm nga institucioni që ai drejton, por pothuajse të të gjithë ministrive të linjës për përgatitjen e akteve nënligjore, me asistencë dhe kontribute edhe te ekspertizës ndërkombëtare.

Përfaqësuesit e pakicës kombëtare greke vlerësuan pozitivisht miratimin e ligjit mbi pakicat kombëtare dhe masat e ndërmarra për përmirësimin e gjendjes dhe garantimin e të drejtave të tyre në praktikë. Gjithashtu, të pranishmit parashtruan çështje specifike lidhur me vetë-identifikimin e pakicave, arsimimin në gjuhën amëtare, pjesëmarrjen në jetën publike, ekonomike, sociale dhe përmirësimin e kushteve dhe infrastrukturës së nevojshme në përditshmërinë e këtij komuniteti.