Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Komiteti i  Ekspertëve të Konventës  “Për mbrojtjen e të gjithë personave nga Zhdukjet me Forcë” përfundoi shqyrtimin e raportit fillestar të Shqipërisë për zbatimin e dispozitave të Konventës në datat  24-25 maj 2018. Në datë 4 qershor 2018, Komiteti CED miratoi dhe publikoi vërejtjet e tij përmbyllëse në lidhje me zbatimin  e Konventës nga Shqipëria.

Vendi ynë u përfaqësua nga një delegacion i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve së Zyrës së Prokurorit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, Autoritetit Shtetëror për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, dhe Misionit të RSH-së pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë.

Në fjalën e hapjes, Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Artemis Dralo, nënvizoi se Shqipëria i kushtoi rëndësi të madhe procesit të raportimit si një mjet për të siguruar përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare. Si shtet palë në këtë Konventë që nga viti 2007, Shqipëria është angazhuar  në përmirësimin e kuadrit ligjor për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfshirë zhdukjet me forcë.

Zhdukjet me Forcë, u parashikuan si një vepër penale me ndryshimet në Kodin Penal të miratuara në vitin 2013. Gjatë raportimit u evidentua se janë ndërmarrë një sërë masash për përmirësimin e kuadrit ligjor në përputhje me Konventën. Gjatë prezantimit dhe dialogut me Komitetin e Ekspertëve, përfaqësuesit e institucioneve informuan mbi masat e ndërmarra për të garantuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut, veçanërisht të personave të privuar nga liria, të drejtën e viktimës për të njohur të vërtetën, pasojat e zhdukjes me forcë, sigurimin e drejtësisë, hetimin e rasteve dhe sjelljen e shkelësve para drejtësisë, mjetet efektive dhe kompesimi dhe ruajtjen e memories historike me qëllim parandalimin e zhdukjeve me forcë të ndodhura  gjatë periudhës së komunizmit.

Historikisht, Shqipëria ka pësuar shumë nga ky krim, ku gjatë regjimit komunist një numër i konsiderueshëm qytetarësh janë ekzekutuar, ndërsa të tjerët ishin zhdukur në rrethana të panjohura. Në këtë drejtim, Shqipëria ka ndërmarrë masa konkrete dhe është hartuar një marrëveshje bashkëpunimi me Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur.

Gjatë dialogut, ekspertët paraqitën pyetje konkrete për masat e ndërmarra nga Shqipëria në zbatimin e dispozitave të Konventës mbi Zhdukjet me Forcë. Ata shprehën vlerësimin për dialogun e frytshëm dhe të hapur me delegacionin shqiptar, si dhe informacionet e paraqitura mbi çështjet specifike.

Zëvendësministrja Dralo, në komentet e saj përfundimtare, falenderoi ekspertët e Komitetit për rekomandimet dhe sugjerimet e tyre dhe siguroi Komitetin se këto rekomandime do të zbatohen nga Shqipëria, duke përmirësuar kuadrin ligjor, institucional dhe politikat në përputhje me këtë Konventë.