Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Mirëmëngjesi të gjithëve,

Faleminderit në radhë të parë Fondacionit “Fredrich Ebert” për organizimin e këtij eventi, Forumin dhe dua të falënderoj edhe njëherë tjetër Knut-in i cili ka bërë edhe njëherë tjetër një punë fantastike si reporter i Shqipërisë, me reporterin tjerër hije, siç quhet ndryshe nga Grupi i Partive Popullore, Eduard Kukan duke dëshmuar një vëmendje të posaçme për Shqipërinë nga dy grupet kryesore në Parlamentin Evropian. Dua t’i bëj fillimisht eko asaj çka ai tha në lidhje me vendimin e Bashkimit Evropian dhe mbi nevojën për të thelluar kursin e reformave nga ana jonë si Shqipëri, dukë përfshirë të gjithë spektrin politik shqiptar por edhe duke vazhduar më tej procesin e transformimit shoqëror sepse është shumë i rëndësishëm.

Pa diskutim që në asnjë lloj rrethane, duke u nisur dhe nga precedenti që BE ka vendosur me Malin e Zi dhe Serbinë, të cilat janë vende para nesh në këtë proces, çdo lloj vendimi nga ana e BE dhe në analizën më optimiste që ne bënim, do të ishte me hapa të ndërmjetëm. Nuk ka diskutim që do të kishim dashur që ky precedent të mos ishte vendosur ndoshta që në rastin e Malit të Zi dhe Serbisë, po aty për herë të parë BE filloi procesin e “screening” dhe punën analitike para fillimit zyrtarisht të negociatave të anëtarësimit.

E njëjta gjë ndodh dhe tek rasti ynë. Në korrik, ne do të kemi mundësi të fillojmë procesin e punës analitike, por fillimisht për kapitujt 23 dhe 24 që janë kapituj që kanë lidhje me lirinë, drejtësinë, sigurinë, të drejtat e njeriut dhe besoj se një vit kohë do të jetë mjaftueshëm si për ne dhe për fqinjin tonë, për të filluar punën përgatitore, në mënyrë që të fillojë zyrtarisht procesi i bisedimit për anëtarësim. Shpresoj shumë që gjatë këtij viti dhe BE të ecë në procesin e reformave siç e tha vetë Knuti, sepse ka pasur disa pikëpamje në lidhje me ecurinë e këtij procesi dhe vetë vendet anëtare kanë folur për këtë proces, prandaj nuk do të dëshiroja që t’i komentoj ato më tej.

Lutfi Dervishi: Lista e detyrave të shtëpisë, duket më e qartë tashmë. Konkluzionet e përgjithshme dhe çfarë pritet gjatë këtij viti nuk duken fortë të lehta. Të kemi parasysh stafet konkrete për vetigun, ligji elektoral në kuptimin që në qershor të 2019 ju të thoni që kjo punë është e kryer, detyrat tona ne i bëmë.

Ministri Bushati: E para, më lejoni që të jem sa më preciz përsa i përket konkluzioneve të Këshillit të Bashkimit Evropian, sepse konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Evropian thjesht pasqyrojnë evolucionin e përmbushjes së kritereve në këtë proces.

Për herë të parë, 12 prioritetet apo kriteret, janë vendosur në momentin që Shqipëria aplikoi për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Pra, nuk ka qenë asnjëherë kusht nga ana e BE procesi i vetingut, as ngritja e SPAK-ut, as Byrosë Kombëtare të Hetimit. Të gjitha këto çështje kanë qenë pjesë e platformës sonë qeverisëse. Është sqaruar dhe stërsqaruar momenti i 2016-s kur edhe brenda koalicionit tonë, ne kishim qasje të ndryshme përsa i përket plotësisë dhe gjerësisë së reformës. Shqipëria e ka zgjedhur vetë duke pasur një prani ndërkombëtare në procesin e vetingut, nuk na e ka imponuar askush këtë model. Dhe tanimë, konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Evropian, pasqyrojnë dhe ato se çfarë ka shkruar Komisioni në raportin e tij. Pra, nëse në 2016-n, rekomandimi i Komisionit Evropian për nisjen e bisedimeve për anëtarësim ishte i lidhur ngushtë me kalimin e ligjit të vetingut dhe në zbatimin e tij, sot për sot, askush nuk e vë në pikëpyetje që jo vetëm ligji ka kaluar por dhe ka filluar procesi i vetingut. Tanimë energjitë tona duhet të fokusohen në faktin që ky proces ka arritur pikën e moskthimit mbrapsht. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për elementë të tjerë që e detajojnë procesin e zbatimit të reformës në drejtësi, apo luftës kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit, apo konsolidimit të reformave në fusha që kanë të bëjnë me të drejtën pronësore, me liritë e të drejtat themelore të njeriut, me gëzimin e të drejtave nga ana e pakicave kombëtare. Kjo është pika e parë.

Pika e dytë. Ju thatë dhe për një ligj elektoral në konsensus me opozitën. Më duhet t’ju korrigjoj. E para, konkluzionet e Këshillit flasin për mbajtje në vëmendje dhe adresim të rekomandimeve të OSBE-ODIHR, sepse ne kemi këtu një arbitër ndërkombëtar, me një autoritet të padiskutueshëm që monitoron proceset zgjedhore jo vetëm në Shqipëri por qoftë dhe në vende anëtare të BE, qoftë dhe në SHBA. Ka hartuar një dekalog, ka një komision bipartizan që është ngritur në Kuvendin e Shqipërisë, është i gjithë vullneti ynë si maxhorancë por jemi vetëm njëra rrotë e biçikletës, sepse biçikleta ka dy rrota në këtë drejtim. Duhet dhe rrota tjetër që është opozita dhe nuk duhet humbur kohë. Të gjitha rekomandimet e  OSBE-ODIHR, qoftë për depolitizimin e administrimit të procesit zgjedhor që është rekomandimi më i rëndësishëm, por dhe të tjerat, duhen përkthyer në nisma konkrete legjislative.