Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Të nderuar Kryeministra,

Të nderuar kolegë Ministra,

Së pari jam i lumtur që arritëm të realizonim takimin e parë ndërqeveritar mes dy vendeve tona, dhe së dyti, që këtë takim ndërqeveritar po e zhvillojmë në Shkodër, në këtë qytet-nyje të ndërveprimit ekonomik, kulturor e njerëzor mes dy brigjeve të Liqenit me të njëjtin emër, e përgjatë të gjithë Adriatikut.

Në shembullin e shkëlqyer të fqinjësisë së mirë që gëzojnë Shqipëria dhe Mali i Zi, por nisur edhe nga rezultatet konkrete të mbledhjeve të përbashkëta me Kosovën dhe Maqedoninë, sot jemi të bindur se zgjerimi i shtrirjes gjeografike të takimeve të tilla me vendet e rajonit është instrumenti më efektiv në trajtimin ndërdisiplinor të çështjeve të bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal.

Ky takim i dy qeverive të Shqipërisë dhe Malit të Zi është në vazhdën e një tradite të bashkëpunimit që ne kemi themeluar në harkun e pak viteve. Prej katër vitesh zhvillojmë çdo vit mbledhjen e përbashkët të qeverive me Kosovën, në shinat e një partneriteti strategjik që shtrihet në të gjitha fushat e politikë-bërjes. Në dhjetor të vitit të kaluar zhvilluam me Maqedoninë mbledhjen e parë ndërqeveritare, duke e orientuar bashkëpunimin tonë drejt perspektivës së përbashkët euro-atlantike dhe ndërlidhjes infrastrukturore.

Po ashtu, dy formatet trilaterale: Shqipëri-Serbi-Itali, dhe Shqipëri-Mal i Zi-Kroaci me fokus bashkëpunimin politik dhe në fushën e sigurisë janë platforma të mirëfillta dialogu politik dhe të sigurisë rajonale. Në këtë frymë dhe me vizionin e një rajoni të sigurt, në paqe dhe demokratik, ne luajmë një rol proaktiv dhe brenda katërpalëshit Shqipëri-Greqi-Bullgari-Maqedoni.

Shtrirja e bashkëpunimit me fqinjët si në planin politik e të sigurisë, ashtu dhe në atë ekonomik e zhvillimor është pjesë e qasjes sonë koherente ndaj fqinjëve dhe ndaj bashkëpunimit rajonal në tërësi.

Këtë vlerë të qenësishme të politikës sonë të jashtme që u njoh posaçërisht edhe nga konkluzionet e Këshillit Evropian para pak ditëve. Ne dëshmuam palëkundshëm përmes mbështetjes për pranimin e Malit të Zi, si anëtari i 29-të i Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Vendet tona i përkasin të njëjtës hapësirë Adriatike të sigurisë. Projektet e përbashkëta energjetike si IAP, si një segment i Trans-Adriatik Pipeline, kontribuojnë drejtpërsëdrejti në sigurinë energjetike dhe të ardhmen tonë. Për pasojë kërkojnë angazhimin tonë si përfitues të parë të tyre.

Nuk ka dyshim se bashkëveprimi në NATO dhe ecuria në kuadër të përafrimit me BE-në i bën dy vendet tona kontributore të drejtpërdrejta në sigurinë dhe prosperitetin afatgjatë të Rajonit.

Ne takohemi sot vetëm një javë pas dritës së gjelbër të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë në 2019. Ky vendim i vendeve anëtare të BE-së na vendos para përgjegjësisë së thellimit të reformave e njëkohësisht të fillojmë që sot përgatitjet për hapjen e negociatave.

Në këtë kontekst, shkëmbimi i eksperiencave për sa i përket procesit të negociimit me Malin e Zi, merr një rëndësi të posaçme. Marrëveshja dypalëshe e bashkëpunimit në fushën e integrimit evropian përbën një bazë të mirë të këtij bashkëpunimi si politik ashtu dhe teknik për fazën e re të procesit që na pret përpara.

Por, mes nesh, si dy vende fqinje me potenciale të panumërta, por njëkohësisht me tregje të vogla e afërsi kulturore duhet të orientohet drejt perspektivës së përbashkët zhvillimore, e mbështetur në bashkëpunimin ndërkufitar.

Ky është momenti i duhur që hapësira Adriatike nga një hapësirë e sigurisë dhe e bashkëpunimit politik të kthehet në hapësirë zhvillimore. Hapësira e përbashkët ndërkufitare është në fakt pasuria jonë më e madhe.

Kësaj hapësire i referohet Lucia Nadin, në parathënien e Statuteve të Shkodrës kur shkruan se: ‘Shkodra ishte një qytet që nuk shtrihej drejtpërdrejtë mbi det, por që ishte e lidhur me të nëpërmjet sistemit të lumenjve dhe liqenit të saj; që prej rrethinave – dhe më larg akoma prej zonave më të brendshme – vinin drejt detit mallra dhe lëndë të para me të cilat ngarkoheshin anijet; që prej anijeve zbrisnin në limanin e saj mallra dhe produkte manifakture për t’u këmbyer me ato vendase”. Në këtë peizazh të kësaj qendre të zhvillimit ekonomik rajonal, krejtësisht harmonik me peizazhin kulturor e ekonomik të qyteteve mesdhetare të shekullit të 14-të, marrëdhëniet tregtare e ndërlidhja ekonomike me fqinjët më të afërt, zinin një vend të veçantë.

Në këtë hapësirë kryqëzohen, si atëherë dhe sot, pasuritë tona të shumta ujore e natyrore, potencialet njerëzore, dhe trashëgimia unike kulturore: të tria këto meritojnë më shumë vëmendje në kuadër të strategjive të përbashkëta dypalëshe, por dhe në kuadër të vizionit për transformimin ekonomik të Ballkanit të lançuar nga Komisioni Evropian në shkurt të këtij viti, si dhe të axhendës së ndërlidhjes të Procesit të Berlinit.

Mundësitë tona të ndërlidhjes infrastrukturore janë të shumta: Shëngjini, Velipoja e Ulqini e Budva duhet të lidhen me njëri tjetrin për ta kthyer bregdetin e Adriatikut në një brez zhvillimi e atraksioni turistik. Alpet tona, të kthyera tashmë në një destinacion të përvitshëm e preferencial janë pasuri të cilat përbejnë dhe një potencial të pashfrytëzuar zhvillimor për të dy vendet. Dhe së fundi hapësira e liqenit, e cila i jep jetë qyteteve e komuniteteve të vendeve tona në të dy anët e kufirit.

Dy qeveritë tona kanë punuar intensivisht muajt e fundit në këtë drejtim, çka bëri të mundur edhe marrëveshjet për hapjen e Pikës së Përbashkët Kalimtare Kufitare Zogaj-Skje. Ky investim do të nxisë komunikimin e banorëve të zonës dhe paraqet një mundësi reale për zhvillimin e turizmit.

Jemi në diskutime me Bashkimin Evropian që nëpërmjet IPA CBC Shqipëri-Itali-Mal i Zi të garantojmë një financim prej rreth 7 mln Euro i cili do të shërbejë për të ndërtuar infrastrukturën e nevojshme për nisjen reale të qarkullimit në këtë zonë.

Në këtë kontekst, hapja e pikës tjetër kufitare Pulaj  (Shqipëri) – Shën Nikolla/Sveti Nikola (Mali i Zi), do të shërbejë për rritjen e qarkullimit të njerëzve përgjatë brigjeve të Adriatikut. Gjej rastin të vë në dukje këtu, se Shqipëria ka përfunduar punën në territorin e saj për një pikë tjetër kalimtare, Grabon-Zetrijebacka Cijevna, që shpresojmë të vihet në funksion sapo pala malazeze të mbyllë punimet infrastrukturore në territorin e saj.

Përtej qarkullimit të njerëzve, dy palët tona mbesin të angazhuara në lehtësimin e qarkullimit të mallrave. Pika kalimtare doganore Hani i Hotit – Bozhaj po zgjerohet, ndërsa synojmë të njëjtën gjë edhe për pikën kalimtare Muriqan – Sukobinë dhe vënien e saj në funksion si pikë doganore.

Një tjetër prioritet është lidhja e Ulqinit me Velipojën nëpërmjet një pike të re kufitare në lumin Buna. Ky investim do të ulte presionin mbi pikën aktuale të Muriqanit duke përmirësuar ofertën e përbashkët turistike të dy vendeve.

Po ashtu, studimi i përbashkët dhe veprimet konkrete për të bërë të mundur lundrimin në lumin Buna duke përfshirë në një ofertë të përbashkët turistike edhe komunitetet e vendbanimeve përgjatë lumit do ta kthente këtë hapësirë në një degëzim të rëndësishëm turistik e zhvillimor mes dy vendeve dhe të gjithë rajonit.

Përmirësimi i ndërlidhjes mes vendeve tona në rajon është jo vetëm objektiv plotësues, por përcaktues i suksesit të bashkëpunimit tonë në kuadër të axhendës së Procesit të Berlinit.

Natyrshëm, përpjekjet dhe angazhimet tona madhore kanë në epiqendër nxitjen e lidhjeve të shumëfishta dhe mirëqenies e përparimit të dy popujve tanë.

Shqiptarët në Mal të Zi dhe Malazezët në vendin tonë janë dy segmente bashkuese që çimentojnë miqësinë dhe orientojnë ndërveprimin e ngushtë mes shoqërive tona. Nga ana jonë, njohja nëpërmjet Ligjit të ri të Pakicave Kombëtare, e pakicës malazeze dhe e të drejtave të saj, përbën një hap cilësor, në frymën e praktikave më të mira evropiane në respektimin e të drejtave të kësaj pakice dhe pakicave të tjera kombëtare në vendin tonë.

Në mënyrë konstante shqiptarët në Malin e Zi kanë dëshmuar vendosmërisht orientimin e tyre euro-atlantik në të mirë të vendit ku jetojnë. Ata kanë qenë dhe mbeten faktorë e konstruktivë në proceset e rëndësishme euro-atlantike të Malit të Zi. Përshëndesim çdo hap të ndërmarrë nga Qeveria e Malit të Zi që synon plotësimin e kërkesave të popullsisë shqiptare konform Kushtetutës malazeze.

Duke iu referuar Marrëveshjes brenda koalicionit qeverisës, konstatojmë me kënaqësi përmbushjen e tre prej tyre: i) miratimin e Planit Hapësinor Urban për Komunën e Ulqinit; ii) Statusin e plotë të Komunës së Tuzit; dhe iii) Miratimin e amendimeve të ligjit për të Drejtat e Minoriteteve dhe Lirive, që specifikon përdorimin e gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare. Inkurajojmë vijimin e punës për zbatimin e masave të tjera të planit për 13 pikash në këtë drejtim.

Në mbyllje dëshiroj të konfirmoj sërish përkushtimin e plotë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme në funksion të realizimit dhe zbatimit të angazhimeve të ndërmarra gjatë këtij takimi.

Faleminderit!