Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Bushati: “Rinia është burimi ynë unik dhe potencial për ndërtimin e modelit të vetëm të paqes dhe bashkëpunimit që kemi zgjedhur t’i përmbahemi: Bashkimi Evropian”

Datë 29.08.2018

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati dhe Sekretari i Përgjithshëm i Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor, Djuro Blanusa nënshkruan Marrëveshjen e vendit pritës ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO). “Ngjarja e sotme shënon një moment kyç në transformimin e RYCO-s në shembullin më të mirë të një kontributi të vërtetë që Shqipëria ofron në nivel rajonal” – u shpreh Ministri Bushati.

 

Fjala e plotë e Ministrit Ditmir Bushati gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes së vendit pritës me RYCO

 

Zonja dhe zotërinj, miq të kësaj shtëpie,

I dashur Djuro,

Është kënaqësi t’ju uroj të gjithëve mirëseardhjen me rastin e ceremonisë së nënshkrimit të Marrëveshjes së vendit pritës midis Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor.

Ngjarja e sotme shënon një moment kyç në transformimin e RYCO-s në shembullin më të mirë të një kontributi të vërtetë që Shqipëria ofron në nivel rajonal.

Si vendi pritës i RYCO-s, por edhe i Fondit të Ballkanit Perëndimor, ne kemi treguar përkushtim dhe vendosmëri për të ndërmarrë drejtimin më transformues që rajoni ka pësuar gjatë viteve të fundit në sajë të Procesit të Berlinit.

Gjatë takimit të djeshëm të Kryeministrave në Durrës për integrimin ekonomik të rajonit, çdo fjalim dhe koncept fillonte dhe bazohej në të njëjtin komponent: mundësitë për të rinjtë tanë. Si t’i bëjmë vendet tona të vlefshme për të rinjtë. Si t’i mbajmë ata këtu, në shtëpi dhe në të njëjtën kohë, si t’u japësh më shumë mundësi për të njohur botën e madhe dhe si ta njohin Evropën, pjesë e së cilës ata janë.

Ky ndërveprim mes nesh, kjo bisedë e rëndësishme filloi në 2014 në Berlin, por tani po na kthen në shtëpi, në rajonin tonë.

RYCO u krijua sipas modelit dhe vizionit të Zyrës së Rinisë Franko-Gjermane, me qëllim që të të rrezatojë përmes kontakteve dhe shkëmbimeve mes njerëzve vlerat e vërteta më të të mira që gjenden në themelet e Evropës së sotme.

Arritja e njohurive më të mira mbi njëri-tjetrin në Rajon do të thotë së pari dhe mbi të gjitha tejkalimi i trashëgimive dhe armiqësive të dhimbshme, shërim i plagëve dhe paragjykimeve, por edhe të marrësh hapa vendimtarë për pajtimin, mirëkuptimin dhe zhvillimin shoqëror. Por shërimi nuk do të thotë të harrosh, përkundrazi. Prandaj, pjesë e misionit të RYCO-s është që të gjenerojë më shumë ndërgjegjësim tek të rinjtë tanë mbi historitë kombëtare dhe locale. Kjo është një detyrë vendimtare dhe emancipuese për ne si politikanë dhe RYCO si një platformë unike e ndërveprimit, shkëmbimit dhe dialogut.

Rinia është burimi ynë unik dhe potencial për ndërtimin e modelit të vetëm të paqes dhe bashkëpunimit që kemi zgjedhur t’i përmbahemi: Bashkimi Evropian.

Një mision i tillë nuk është detyrë e lehtë në këto kohë sfidash: rritja e populizmit, ksenofobisë, politikave joliberale dhe propagandës përçarëse duket që shumë shpesh është kundërpeshë e një pikëpamje të jashtme sesa të brendshme në rrugën tonë evropiane.

Megjithatë, RYCO është një dëshmi e gjallë se bashkëpunimi është më i dobishëm se mungesa e angazhimit. Përpjekjet tona serioze dhe të vazhdueshme për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore në Ballkanin Perëndimor, pavarësisht nga të gjitha shanset.

Krijimi i saj ishte rezultat i vullnetit të përbashkët politik të qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe i ndihmës së çmuar të partnerëve tanë evropianë, si Franca dhe Gjermania. Kujdesi i tyre dhe mbështetja financiare kanë qenë të dobishëm për suksesin e RYCO-s. Unë shfrytëzoj rastin t’i falënderoj për mbështetjen që kanë dhënë deri më tani.

Është kënaqësi të dëshmojmë se përpjekjet tona të përbashkëta kanë dhënë rezultat.

Sot RYCO është plotësisht funksionale dhe projektet përkatëse po zbatohen në funksion të ndjekjes së qëllimeve të bashkëpunimit rajonal në fusha kyçe si promovimi i lëvizshmërisë, shkëmbimet, me prioritet rininë, barazinë gjinore dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Së bashku me nënshkrimin e Marrëveshjes për Vendin Pritës, ju siguroj të gjithëve për mbështetjen e pakursyer dhe të vazhdueshme të Qeverisë Shqiptare dhe Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme jo vetëm në drejtim të përforcimit të kapaciteteve operacionale të RYCO-së, por edhe në drejtim të avancimit të misionit të saj, në mënyrë që të vazhdojë të gjenerojë ndryshim pozitiv në rajonin tonë.

Ne presim me padurim rritjen e aktivitetit të RYCO-s përmes përfshirjes aktive në agjendën evropiane në rajon, si edhe duke nxitur partneritetet me institucionet evropiane dhe aktorët e tjerë relevantë.

E fundit por jo më pak e rëndësishme, dëshiroj të përgëzoj Sekretarin e Përgjithshëm dhe ekipin e Sekretariatit RYCO për punën e madhe që kanë bërë deri më tani.

Faleminderit.