Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati mori pjesë në takimin e nivelit të lartë “Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut: Një mjet parandalues në arritjen e paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, i cili u mbajt në selinë e OKB-së.

Në fjalën e tij, Ministri Bushati tha se Shqipëria është e angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, duke theksuar se arsimi, përfshirja sociale, lufta kundër të gjitha formave të diskriminimit janë elemente të rëndësishme në forcimin e paqes, sigurisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

“Ne kemi integruar të drejtat e njeriut në veprimtarinë diplomatike dhe politike në rajonin tonë, në Evropën Juglindore, në kontekstin e agjendës sonë evropiane për reforma, si dhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare. Diversiteti është një pjesë integrale dhe një pasuri e madhe e shoqërisë sonë”, tha ministri Bushati.

Ministri shtoi më tej se të drejtat e njeriut, duke përfshirë të drejtat e minoriteteve, mund të sigurohen vetëm në një shoqëri ku dialogu, mirëkuptimi dhe diversiteti kulturor shihen si pasuri.

Shqipëria ka marrë iniciativën për zbatimin e Objektivit 16 të Agjendës së OKB-së për Zhvillim të Qëndrueshëm 2030, lidhur me qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit dhe institucione të forta demokratike. “Ne e kemi bërë prioritet përfaqësimin gjinor dhe buxhetimin dhe kjo na bën një vend shembull për barazinë gjinore në rajon dhe më gjerë”, u shpreh Ministri Bushati.

“Kuadri ligjor i Shqipërisë dhe veprimi politik në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve janë plotësisht në përputhje me praktikat më të përparuara evropiane dhe ndërkombëtare në këtë fushë”, përfundoi Ministri.

Takimi i nivelit të lartë “Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut: Një mjet parandalues në arritjen e paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm” u zhvillua në nivel ministrash dhe këtë vit përkonte me 70-vjetorin e Deklaratës.

Ndërkaq, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Ministri Bushati zhvilloi disa takime bilaterale.

Në takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Thomas Greminger, Ministri Bushati diskutoi mbi zhvillimet më të fundit në lidhje me çështjet e sigurisë dhe adresimin e përbashkët të krizave. Të dy zyrtaret diskutuan për thellimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe OSBE-së për sfidat e përbashkëta që kemi përpara.

Ministri Bushati u takua gjithashtu me Ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe Sheikh Abdullah Bin Zayed Al Nahan dhe me Ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite Adel Al-Jubeir. Në këto takime bashkëbiseduesit diskutuan mbi thellimin e bashkëpunimit bilateral në kuadër të OKB-së dhe diplomacisë ekonomike.

Kreu i diplomacisë shqiptare mori pjesë edhe në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Nismës së Evropës Qëndrore (CEI).