Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Mirëmëngjesi të gjithëve!

Faleminderit Armela dhe Branka për ftesën që më keni bërë për të qenë këtu sot me ju. Për mua është kënaqësi. Kujtoj që para pak vitesh kam qenë në pozicionin tjetër, së bashku me profesor Paskal Milon, Aleksandrën, por dhe me disa kolegë të tjerë shqiptarë e serbë që nuk janë këtu dhe me Ben Andonin, natyrish. Ne patëm filluar një dialog ndërmjet studiuesve apo njerëzve që mbajnë pozicione të ndryshme në shoqëritë respektive, rreth marrëdhënies shqiptaro-serbe dhe më duhet që në fillim të kësaj hyrjeje të bëj të qartë që kur flasim për marrëdhëniet shqiptaro-serbe, besoj se të gjithë biem dakord që ato shkojnë përtej raportit që është vendosur mes Shqipërisë dhe Serbisë gjatë gjithë këtyre viteve.

Dhe gjëja e parë që më vjen në mend është te përkufizimi i marrëdhënies ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë. Mund të jetë një marrëdhënie normale mes dy fqinjëve që zhvillohet në mënyrë progresive që ka ulje-ngritje, ka frymën polemizuese e cila vjen dhe për shkak të historisë së mbarsur të kësaj marrëdhënieje. Mund të konsiderohen ende marrëdhënie të brishta që mund të vihen në pikëpyetje qoftë nga një incident, siç ishte rasti i ndeshjes së futbollit, por fatmirësisht nuk vihen më në pikëpyetje as nga deklaratat e Sheshelit apo nacionalistëve të tjerë, ç’ka do të thotë se ka kaluar ndoshta ajo fazë fillestare e brishtësisë. Janë marrëdhënie dinamike me potencial gjithashtu të pa eksploruar mirë. Siç tregojnë dhe vitet e fundit ku kemi një frymë dhe zhvillim pozitiv, sidomos për sa i përket zhvillimit të sektorit të turizmit ku gjithnjë e më shumë serbë po e shohin Shqipërinë si një destinacion turistik, dhe janë gjithashtu marrëdhënie në progres e sipër edhe për shkak të faktit që programet e mobilitetit kanë filluar dhe po zbatohen ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, duke i dhënë kësisoj frymë dhe konceptit të ndërlidhjes që 6 vendet e Ballkanit Perëndimor ranë dakord në kuadër të Procesit të Berlinit.

Siç dihet, dy arteriet kryesore të programeve të ndërlidhjes, kanë si bosht kryesor Tiranën dhe Beogradin, apo Shqipërinë dhe Serbinë. Natyrisht, mes Shqipërisë e Serbisë ka pika të përbashkëta për sa i përket pakicave. Ka një pakicë serbe që është e përqendruar në qarkun e Shkodrës si dhe një pakicë shqiptare në Luginën e Preshevës. Ka disa hapa pozitivë që janë ndërmarrë nga ana jonë, qoftë me miratimin e ligjit për pakicën kombëtare, ndarjen mes pakicës serbe dhe malezeze, ç’ka nuk është e lehtë në praktikë për shkak të martesave mikse që ekzistojnë. Por nga ana tjetër, ne si Shqipëri do të mirëprisnim çdo hap tjetër pozitiv që hidhet në drejtim të gëzimit të të drejtave të pakicës shqiptare në Luginën e Preshevës. Jo rrallë ndodh që jo vetëm të vizitojmë atë pjesë të Serbisë ku popullohet kryesisht me shqiptarë, apo të lexojmë raporte që vijnë qoftë nga agjenci ndërkombëtare, apo raportet e Komisionit Europian për të kuptuar që Lugina e Preshevës është lënë disi në harresë nga pjesa tjetër e Serbisë, qoftë në planin ekonomik, duke të lënë një shije të hidhur të një politike deri diku diskriminuese. Në fund të ditës, besoj që ky është një dialog i cili duhet të jetë mbi baza të sinqerta, ku shqiptarët e serbët duhet t’i thonë njëri-tjetrit disa të vërteta të paktën, ashtu siç i mendojnë. Dhe rasti i Luginës së Preshevës është një nga ato të vërteta të hidhura që nuk mund të adresohen thjesht me detyrimet që duhet të ketë Serbia në kuadër të kapitullit 23 për anëtarësimin në BE, por kërkohet një vendimmarrje më e shtuar politike, qoftë për sa i përket procesit të lënë në harresë të njohjes së ndërsjellë të diplomave, çka do i krijonte mundësinë të rinjve që kanë studiuar në universitete të tjera, të ushtrojnë zanatin e tyre në Luginën e Preshevës, gëzimit i një të drejte që ka lidhje me mësimin në gjuhën amtare. Ka një grup të ngritur për këtë drejtim që quhet “Miq të Luginës së Preshevës” me ambasadorë të disa vendeve perëndimore në Serbi ku ne, përpiqemi për të bashkëpunuar e për të bërë atë gjë që praktikisht ndodh me shqiptarët kudo ku ata jetojnë në lidhje me mësimin në gjuhën shqipe dhe me marrjen e shërbimeve bazike, të cilat për fat të keq ende mungojnë.

Natyrisht që kemi pika shumë të përbashkëta për sa i përket mobilitetit. Ka disa raste simbolike si vendosja e “Romeo e Zhulietës” në skenën e Beogradit e të Tiranës, koncerti i Inva Mulës në Beograd apo promovime të ndryshme librash në Beograd e Tiranë dhe në disa raste në Prishtinë, të cilat të krijojnë bindjen që ka një tendencë e një vullnet për të tejkaluar stereotipet negative që shpesh i shoqërojnë marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, apo marrëdhëniet më të gjera ndërmjet shqiptarëve e serbeve në rajon. Sikundër dua të nënvizoj dhe dallueshmëri. Ka dallueshmëri të qartë. Që pas rënies së regjimit komunist nuk ka asnjë qeveri në Shqipëri që ta ketë vënë në pikëpyetje vokacionin euroatlantik të Shqipërisë. Ndërkohë, nga kontaktet e mia, jo thjesht me autoritetet serbe por dhe gjatë periudhës së militimit të shoqërisë civile, vihet re që dhe sot e kësaj dite Serbia nuk e ka ende të kristalizuar rrugën e saj në raport me NATO-n dhe në raport me familjen transatlantike. Ne na mbetet vetëm të respektojmë qasjen e saj neutrale që duket se u konfirmua dhe dje nga presidenti Vuçiç në takimin me presidentin rus Putin. Por nga ana tjetër duhet që t’i kujtojmë miqësisht se në rrugën e procesit të integrimit europian, vendet kanë disa detyra në raport me linjëzimin e politikës së Jashtme dhe politikave që lidhen me çështjet e sigurisë që në fakt, kanë të bëjnë me zgjedhjen e popujve për t’iu bashkangjitur një klubi, një familjeje vlerash, siç është ajo e Bashkimit Europian.

Një çështje tjetër që ne bashkëpunojmë ngushtësisht ka lidhje me procesin e Berlinit dhe iniciativat rajonale që janë zhvilluar sidomos gjatë 4-5 viteve të fundit, që në momentin kur kancelarja gjermane Merkel inicioi Procesin e Berlinit. Dhe këtu kam parasysh jo vetëm agjendën e ndërlidhjes, por edhe elementët që kanë të bëjnë me bashkëpunimin në fushën rinore, elementët që kanë të bëjnë me bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Dy seli shumë të rëndësishme të këtyre dy nismave rajonale janë në Tiranë. Njëra drejtohet nga një serb dhe nëndrejtori i nismës është një shqiptar nga Kosova, tjetra drejtohet nga një shqiptar, ç’ka do të thotë se ka sërish shenja që vendet tona duan që t’i tejkalojnë plagët e së kaluarës.

Por, teksa përgatitesha me ekipin për këtë aktivitet dhe ftesën që më bëri Armela, natyrisht siç ndodh rëndom në të gjitha ministritë e Jashtme, ekipi po lexonte edhe ç’ka kishte ndodhur para dy muajsh në Beograd dhe nuk është sekret të thuhet dhe as surpriza, më bëri paksa përshtypje fjala e mikut tim Ivica Daçiç, me të cilin shpesh dhe i’a marrim këngës pasi përfundojmë ditën e lodhshme të punës. Ai e konsideronte Kosovën si djepin apo thelbin e kombit serb dhe shqiptarët, si njerëz që jetojnë jashtë Atdheut. Me gjithë respektin për postin që miku im mban në qeverinë e shtetin serb, më duhet të them që kjo retorikë e shek. të 19 nuk është se i bën fort nder gjithë diskutimeve të sotme që janë të përqendruara tek procesi i normalizimit, i stabilizimit dhe pse jo, hapja e një perspektive të qartë për pajtimin. Sepse kemi besuar dhe vazhdojmë të besojmë që procesi i normalizimit duhet t’i hapë rrugë procesit të pajtimit ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. E kur flitet për marrëdhëniet shqiptaro-serbe, apo Shqipëri-Serbi, është shumë e vështirë që të injorohet elefanti në dhomë dhe elefanti në dhomë, në rastin konkret është Kosova.

Kosova ka përfaqësuesit e saj legjitim të zgjedhur nga vota e popullit që flasin me emër dhe për interesin e Kosovës. Por qëndrimi i Shqipërisë në këtë pikë është i qartë. Procesi i normalizimit, një proces i vështirë mes Serbisë e Kosovës që zhvillohet me ndërmjetësimin e Përfaqësues së Lartë të Bashkimit Europian, Mogerini, me mbështetjen e SHBA, nuk është një proces që mund të zëvendësohet nga një raport i mirë mes Shqipërisë e Serbisë, por është një proces që veçse mund të përplotësohet nga një raport dhe më i mirë mes Shqipërisë dhe Serbisë. Prandaj, çdo tentativë për ta sjellë këtë çështje si pjesë të të dy shteteve, si pjesë të Shqipërisë dhe Serbisë në tryezën e tyre, besoj se do të ishte një shërbim shumë i dëmshëm për vetë procesin e normalizimit që po ndodh ndërmjet Serbisë e Kosovës. Natyrisht ne kemi besuar dhe vazhdojmë të besojmë te fuqia e diplomacisë, fuqia e dialogut dhe shpresojmë e urojmë që konteksti i normalizimit të sjellë më shumë stabilitet demokratik, më shumë siguri për themelet e rendit ndërkombëtar dhe për investimin e vetë komunitetit ndërkombëtar, sepse nuk ka një rajon më të suksesshëm ku mund të evidentohet qartë suksesi i politikës së Jashtme të BE e SHBA se ç’është rajoni i Ballkanit Perëndimor. Dhe në këtë kontekst, ne besojmë që procesi i dialogut të normalizimit duhet të përfundojë me një njohje të ndërsjellë dhe duhet të ndriçojë rrugën europiane si të Serbisë, edhe të Kosovës me një impakt në sigurinë e rajonit dhe perspektivën tonë të përbashkët europiane.

Pika e fundit që kam për të ndarë këtu me ju është çështja e pajtimit. Nuk është për ne një dallim semantik procesi i normalizimit dhe procesi i pajtimit. Normalizimi ka të bëjë me përditshmërinë ndërmjet qytetarëve të Serbisë e Kosovës, me njohjen e ndërsjellë të diplomave, me ofertat më të mira në telefoni, me zhbllokimin e zonave të caktuara që krijojnë probleme për qytetarët e të dy vendeve, me aksesin në shërbime, me aksesin në tregun rajonal që BE kërkon ta promovojë sa më shumë të jetë e mundur në rajonin tonë. Ndërkohë, procesi i pajtimit, është një proces edhe më i gjerë, dhe më i dhimbshëm, jo një proces që mund të lihet në harresë. E keqja nuk mund të lihet kurrë në harresë. Nuk është një proces që mund të arrihet nga ana tjetër duke glorifikuar të keqen dhe simbolet e së keqes, siç për fat të keq ende ka tendenca për ta sjellë Millosheviçin në kohët e sotme, ndërkohë që rruga jonë duhet të jetë drejt Brukselit.

Ne vlerësojmë qoftë hapat që janë hedhur në Serbi për të trajtuar të shkuarën, qoftë hapat që janë hedhur në Kosovë për të trajtuar të shkuarën, qoftë edhe hapat që janë hedhur në Bosnjë apo zona të tjera që janë prekur nga konflikti, që mund të mos duken për një çast që kanë një imapkt në marrëdhëniet mes Shqipërisë e Serbisë por, që në një mënyrë a një tjetër, e impaktojnë klimën politike dhe situatën e sigurisë në rajon.

Në këtë kontekst, duke marrë parasysh dhe duke pasur në konsideratë dhe zhvillimet e fundit te fqinji ynë tjetër në Maqedoni, po shihet qartë që ne nuk jetojmë më në kohët e arta ku secili kishte besim te multilateralizmi, rendi ndërkombëtar, ndërhyrjet te baza humanitare, të drejtat e njeriut dhe respekti për to që vinin gjithnjë në rend të parë.

Sot për sot po jetojmë kohë më të vështira prandaj, është shumë e rëndësishme të jemi më shumë solidarë me njëri-tjetrin, duke ia thënë të vërtetat njëri-tjetrit në sy, siç është në fakt edhe “survey” që është përgatitur për këtë konferencë ku dëshmohet qartë se stereotipet janë ende larg, ende negative, ku dëshmohet qartë dhe nga studimi që ka bërë “Tanjug Faktor” që është shumë e vështirë që shqiptarët dhe serbët të jetojnë në një mëhallë, është shumë e vështirë që shqiptarët dhe serbët të punojnë në një manifakturë dhe tentojnë shpesh t’i shmangen njëri-tjetrit. Ndoshta shekulli 21 dhe ajo që thotë Habermas me të drejtë është mundësia më e mirë që ne gradualisht të transformohemi nga armiq të dikurshëm, në fqinj të vërtetë, në ditë të mira por sidomos, në ditë të vështira.

Faleminderit të gjithëve që patët durimin të më dëgjoni dhe ju kërkoj ndjesë sepse më duhet të largohem për mbledhjen e Këshillit të Ministrave dhe kjo është arsyeja që mora fjalën para dy drejtoreshave të nderuara.

Faleminderit!