Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati ndodhet në Malaga, Spanjë, për të marrë pjesë në punimet e Konferencës Mesdhetare të OSBE-së 2018. Në këtë konferencë marrin pjesë përfaqësuesit e 57 shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së, si dhe gjashtë partnerët Mesdhetarë të OSBE-së për Bashkëpunim: Algjeri, Egjipt, Izrael, Jordani, Marok dhe Tunizi si dhe disa organizata ndërkombëtare.“Rëndësia e Energjisë për Rritjen Ekonomike dhe Bashkëpunimin në Mesdhe”, ishte tema e diskutimit të Segment Politik të Nivelit të Lartë.

Ministri Bushati në fjalën e mbajtur vlerësoi zhvillimin e kësaj konference, e cila i shërben nxitjes dhe bashkëpunimit në fushën e energjisë jo vetëm mes vendeve në brigjet e Mesdheut por edhe me të vendet pjesëmarrëse të OSBE-së.Bushati theksoi se OSBE dhe vendet mesdhetare mund të luajnë një rol të rëndësishëm për sa i përket bashkëpunimit në nivel rajonal në adresimin e sfidave të përbashkëta. “Energjia është një çështje kyçe në dinamikën euro-mesdhetare dhe luan një rol shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet ndëretnike, rritjen ekonomike dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Kur i shtohet sfidave të tjera specifike të rajonit tonë, si migracioni, terrorizmi dhe vonesa në zhvillimin ekonomik, mund të bëhet faktor kritik për sigurinë e pellgut të Mesdheut”, nënvizoi ai. Shqipëria e konsideron sektorin e saj energjetik vendimtar për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë ndaj dhe po punon për integrimin e tregut të energjisë elektrike në tregun evropian, dhe për krijimin e një burse shqiptare të energjisë elektrike.

Në këtë kuadër, Ministri Bushati u ndal tek perspektiva sociale dhe politike për të cilën shprehu bindjen se “siguria energjetike dhe ndërlidhja i kundërvihen të gjitha burimeve të ekstremizmit dhe radikalizimit, veçanërisht ndërmjet të rinjve”. Bushati përsëriti angazhimin e qeverisë shqiptare për të kontribuar për sigurinë dhe qeverisjen demokratike në fushën e OSBE-së në përgjithësi dhe rajonin tonë në veçanti, në fusha të tilla si ndërlidhja, harmonia ndër fetare dhe respektimi i të drejtave të pakicave, përfaqësimit të të rinjve dhe grave, si dhe kundërshtimit të ekstremizmit të dhunshëm.

Fjala e Ministrit Bushati mbajtur në Konferencën Mesdhetare 2018 të OSBE
Segment Politik i Nivelit të Lartë
“Rëndësia e Energjisë për Rritjen Ekonomike dhe Bashkëpunimin në Mesdhe”
25-26 Tetor 2018
Malaga, Spanjë

Faleminderit Zoti Kryetar,

Të Dashur Kolegë,

Përgëzojmë vendimin e Sllovakisë për të angazhuar partnerët Mesdhetarë në nxitjen e bashkëpunimit në fushën e energjisë. Vendet në të dy brigjet e Mesdheut, dhe të gjitha shtete pjesëmarrëse të OSBE-së, duhet të punojnë së bashku për forcimin e sigurisë së energjisë në rajonin euro-mesdhetar. Përfitoj nga kjo mundësi për t’i uruar Sllovakisë një Kryesi shumë të suksesshme të Grupit të Kontaktit të Mesdheut dhe gjithashtu Kryesisë Italiane të OSBE-së. Fakti se çështjet mesdhetare janë ndër prioritetet e kryesisë italiane në detyrë do të kontribuojnë patjetër në punën e këtij grupi. Të dyja kryesitë mund të mbështeten në bashkëpunimin dhe mbështetjen shqiptare në këtë përpjekje.

Ekzistojnë tri lidhje që vlen të nënvizohen në kontekstin e konferencës së sotme:

1. Marrëdhëniet midis sigurisë energjetike dhe zhvillimit të përgjithshëm ekonomik të pellgut të Mesdheut.
2. Ndërlidhja dhe sinergjia ndërmjet dinamikave të ndryshme nën-rajonale dhe kryesisht midis sigurisë energjetike dhe lidhjes në rajonin Adriatik-Ballkan dhe pellgun e Mesdheut.
3. Potenciali i OSBE-së për të transformuar rajonin e Mesdheut nga një rajon me sfida për sigurinë në një rajon të mundësive, në bashkëpunim me nismat e tjera dhe platformat shumëpalëshe.

Rajoni i Mesdheut po përballet me sfidën e furnizimit me energji dhe të sigurisë. Energjia është një çështje kyçe në dinamikën euro-mesdhetare dhe luan një rol shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet ndëretnike, rritjen ekonomike dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Kur i shtohet sfidave të tjera specifike të rajonit tonë, si migracioni, terrorizmi dhe prapambetja, mund të bëhet faktor kritik për sigurinë e pellgut të Mesdheut.

Vendet fqinje në rajonin e Mesdheut mirëpresin prodhuesit e hidrokarbureve nga Azia Qendrore dhe Rezervat e Gjirit Persik në tregjet e BE-së, si dhe burimet e rinovueshme të energjisë për të prodhuar energji elektrike të gjelbër drejt Evropës. Ekzistojnë korridore të shumëfishta dhe të ndryshme mesdhetare të burimeve të ndryshme të energjisë, origjinave gjeografike dhe destinacioneve të ndryshme. Kombinuar me çështjet ekonomike dhe mjedisore, ato po bëhen faktorë gjithnjë e më të rëndësishëm të sigurisë në rajonin euro-mesdhetar.

Rëndësia e transformimit të sistemit energjetik, zhvillimi i teknologjive të reja, të pastra ose të rinovueshme të energjisë dhe rritja e aksesit në energji rrjedh nga nevoja për transformimin dhe formimin e tregjeve energjetike, tregtisë dhe furnizimit me energji, si dhe orientimin e zhvillimit ekonomik drejt një të ardhmeje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Takimet, si ky i sotmi, që zhvillohen si në nivelin politik edhe në atë teknik, janë mundësi e mirë për të diskutuar midis nesh për politikën, për të shkëmbyer përvojat dhe praktikat dhe për të zhvilluar strategji për të nxitur rritjen ekonomike dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në rajonin e Mesdheut si dhe për të maksimizuar përfitimet ekonomike të vendeve tona.

Vendi im është i pozicionuar shumë mirë, gjeografikisht dhe politikisht, për të diskutuar për sigurinë në pellgun e Mesdheut dhe më konkretisht për sigurinë e energjisë, sepse është plotësisht i integruar në Ballkanin Perëndimor dhe është i hapur në Detin Mesdhe. Pozicioni gjeografik i ngjan atij të qarqeve koncentrike. Ai shërben si urë për lidhjen e Ballkanit me Evropën Perëndimore.

Shqipëria e konsideron sektorin e saj energjetik vendimtar për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë së saj dhe lidhjen midis vendeve të rajonit dhe me pjesën tjetër të Evropës. Për këtë qëllim tashmë kemi ndërmarrë investime të mëdha në këtë sektor strategjik. Projekti TAP, për shembull, përfaqëson një burim të mirë potencial dhe konsiderohet si mundësi e shkëlqyer për të diversifikuar rrugët e furnizimit të gazit natyror. IAP është një tjetër tubacion i propozuar i gazit natyror në Evropën Juglindore (SEE) që do të shtrihet nga Shqipëria përmes Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës, deri në Split në Kroaci.

Në bashkëpunim me USAID-in dhe Sekretariatin e Energjisë, Qeveria e Shqipërisë po punon për integrimin e tregut tonë të energjisë elektrike në tregun evropian dhe për krijimin e një burse shqiptare të energjisë elektrike.

Nga një perspektivë më sociale dhe politike, ne besojmë se siguria energjetike dhe ndërlidhja i kundërvihen të gjitha burimeve të ekstremizmit dhe radikalizimit, veçanërisht ndërmjet të rinjve.Shoqëria civile, gratë dhe të rinjtë janë shtresë e rëndësishme e popullsisë për t’u përfshirë në të gjitha sferat e zhvillimit dhe aspektet e sigurisë. Qeveria Shqiptare ka vendosur promovimin e fuqizimit të të rinjve dhe grave në thelbin e politikave dhe reformave të saj. Të rinjtë dhe fuqizimi i grave janë vendimtare.

OSBE-ja është angazhuar në mënyrë aktive në lehtësimin e dialogut për mjedisin dhe sigurinë në rajonin e Mesdheut që nga viti 2007 dhe energjia është një element i rëndësishëm në këtë diskutim. Ekzistojnë një numër praktikash të mira të bashkëpunimit energjetik midis shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe përvojat e përbashkëta sot mund të ndihmojnë në rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit me partnerët e Mesdheut në këtë fushë dhe të çojnë në iniciativa konkrete.

Qeverisja e mirë është gur themeli për promovimin e stabilitetit dhe sigurisë dhe luan rol të rëndësishëm në sigurimin e një klime të shëndoshë biznesi dhe investimesh, madje edhe në sektorin e energjisë. Në të njëjtën kohë, lidhja midis vendeve ka një potencial të pakufishëm për të rritur partneritetet rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe stabilitetin dhe sigurinë në të gjithë zonën e OSBE-së.

Ne jemi të gatshëm për të përfituar në mënyrë të veçantë nga ajo që bëjmë më së miri për sigurinë dhe qeverisjen demokratike në fushën e OSBE-së në përgjithësi dhe rajonin tonë në veçanti, në fusha të tilla si ndërlidhja, harmonia ndërfetare dhe respektimi i të drejtave të pakicave, përfaqësimit të të rinjve dhe grave, si dhe kundërshtimit të ekstremizmit të dhunshëm.

Ju faleminderit.