Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, prezantoi sot para Komisionit për Politikën e Jashtme, projekt-buxhetin e vitit 2019. Gjatë fjalës së tij, Ministri Bushati theksoi se ky buxhet reflekton përparësitë e politikës së jashtme, procesin përgatitor për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, intensifikimin e diplomacisë ekonomike si dhe përmirësimin e shërbimeve konsullore për shqiptarët që jetojnë jashtë atdheut.

Sipas Ministrit, brenda këtyre prioriteteve reflektohet edhe mbështetja financiare e vijimit të fushatës për një vend jo-permanent në Këshillin e Sigurimit për vitet, 2022-2013 si dhe për vijimin e punës për objektivin tonë për të marrë drejtimin e OSBE në vitin 2020.

Fjala e ministrit Bushati: Ja prioritetet e ministrisë për vitin e ardhshëm!

Faleminderit Zonja Kryetare dhe kolegë deputetë,

Faleminderit zonja Nënkryetare e Kuvendit,

Sot, ne sjellim këtu diskutimin për buxhetin e vitit 2019 përsa i përket Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme duke qenë se një pjesë e mirë e kolegëve e kanë bërë diskutimin për projekt buxhetin në Komisionin e Ekonomisë e Financës dhe komisione të tjera.

Do përpiqem të jem konçiz.

Së pari, flasim për një rritje me rreth 3% të buxhetit për vitin 2019 në raport me vitin 2018 apo edhe në përllogaritjen tonë për buxhetin që merr ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ku ky buxhet zë 0.76% të produktit të brendshëm bruto. Është një buxhet i cili synon realizimin e prioriteteve që ne kemi për vitin 2019 për integrimin evropian të vendit, pra vijimin e procesit “screening”, marrëveshjen e stabilizim – asociimit dhe gjithë punës bashkërenduese për procesin e fillimit të bisedimeve për anëtarësim dhe koordinimin e asistencës që jep Bashkimi Evropian. Pjesë e këtij prioriteti janë edhe aktivitetet kryesore politike që bëjmë gjatë gjithë vitit.

Së dyti, prioritet i dytë është diplomacia ekonomike dhe puna që ne përpiqemi të bëjmë me diasporën apo me shqiptarët që jetojnë jashtë atdheut. Në këtë kontekst, përmes këtij buxheti ne do të vazhdojmë punën që kemi nisur në vitin 2018 qoftë me koordinimin e komisioneve të përbashkëta të karakterit ekonomik me shumë vende, krijimin e bazës së të dhënave ndërinstitucionale për investitorët e huaj që do të vazhdojmë të bëjmë, sidomos më shqiptarët e suksesshëm në diasporë.

Prioriteti i tretë ka lidhje me çështjet e sigurisë, me marrëdhëniet me fqinjët dhe shqiptarët në rajon. Fakti që ka një rritje më të ndjeshme këtë vit nga vitet e tjera, buxheti ka të bëjë më objektivin tonë për të marrë drejtimin e OSBE në vitin 2020 dhe në rast se një gjë e tillë do të rezultojë e suksesshme që në vitin 2019, për Shqipërinë do të lindin disa detyrime për shkak të hyrjes së vendit tonë në Trojkën e OSBE-së dhe kjo është arsyeja që pse në 2019-ën, në buxhetin e shtetit është parashikuar një fond specifik për aktivitetet që do të ndërmarrë Shqipëria gjatë vitit 2019.

Në vitin 2020, natyrisht me marrjen e presidencës së OSBE-së, do të duhet që ky fond të jetë akoma më i madh, për të realizuar të gjitha detyrimet që ka një vend që mban drejtimin e OSBE-së. Në rast se një gjë e tillë do të finalizohet në Ministerialin e Milanos këtë dhjetor, do të jetë për herë të parë që Shqipëria do të marrë kryesinë e kësaj organizate të rëndësishme. Deri tani përgjithësisht ne kemi qenë konsumatorë, jo thjeshtë të prezencës tonë në OSBE, duke ditur edhe rolin specifik që organizata ka luajtur në Shqipëri dhe në rajon, duke qenë se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një zyrë të OSBE-së pak a shumë me mision të njëjtë me atë që kanë në Shqipëri dhe për herë të parë gjithashtu ne do të kthehemi në kontributorë në këtë organizatë e aq më tepër që sot për sot, është ndër të paktat forume ku vende të ndryshme të cilat kanë lexime krejt të ndryshme për sa i përket të Drejtës Ndërkombëtare, takohen dhe e konsiderojnë OSBE-në si një forum dialogu.

Ne kemi bërë një skaner paraprak të kryesimit që i kanë bërë vende të ndryshme OSBE-së për të kuptuar jo thjeshtë dinamikën që do të duhet të ndjekim gjatë 2019-ës dhe 2020-ës por, edhe dimensionin financiar të kësaj sipërmarrjeje dhe besojmë që në këtë fond të alokuar për 2019-ën, ne kemi mundësi që të përgatisim vehten tonë në Trojkë dhe kryesisht për aspektet mesdhetare që lidhen me organizatën.

Po kështu, brenda këtij prioriteti reflektohet edhe mbështetja financiare që ne bëjmë për sa i përket vijimit të fushatës për një vend jo permanent në Këshillin e Sigurimit 2022-2013, votim i cili do të kryhet në qershorin e 2021-it por që natyrisht, është një proces pune në vijimësi, i nisur disa vite më parë dhe kërkon një komunikim të zhdërvjelltë me shumë vende ku shumë prej tyre nuk e njohin Shqipërinë në aktivitetin e saj të përditshëm dhe në aspektet që kanë të bëjnë me blerjen e shtuar që mund të sjellë Shqipëria në Këshillin e Sigurimit.

Pikë e katërt janë çështjet që kanë të bëjnë me modernizimin e mëtejshëm të sistemit dhe përmirësimit të shërbimeve konsullore. Ne kemi disa vite që jemi futur në procesin e digjitalizimit të shërbimeve konsullore, duke reduktuar në maksimum kontaktet fizike mes shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë atdheut dhe sporteleve tona konsullore.

Këtë vit, ne vijmë edhe me dy projekte të reja mbështetëse që nuk figurojnë në buxhetin e Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme por, përfitues jemi ne. Janë dy projekte të cilat zbatohen nga AKSH-I, prokurohen nga AKSH-i dhe njëra ka të bëjë me komunikimin në rrjete-qendër e përfaqësi që mundëson komunikimin elektronik nga qendra në përfaqësi, duke qenë se ministra për Evropën dhe Punët e Jashtme është një prej atyre institucioneve që trajton informacion të klasifikuar dhe së dyti, ka të bëjë me sistemin e-Viza që do të mundësojë trajtimin e vizave në mënyrë digjitale, çfarë është faza e dytë e një procesi që ne kemi nisur për digjitalizimin e të gjitha shërbimeve që ofrojmë qoftë për shtetasit tanë, ashtu edhe për shtetasit e huaj të cilët në këtë rast synojnë të hyjnë në territorin shqiptar përmes vizave.

Çështjet e tjera që preken direkt nga buxheti i paraqitur janë ato çështje klasike që ne i kemi diskutuar çdo vit. Së pari, janë kuotat apo kuotistacionet ndërkombëtare në detyrimet që ka Shqipëria në instanca dhe në organizma ndërkombëtare, janë projektet me financime të huaja ku ju keni pasur dhe debat të gjatë për sa i përket bashkë financimeve dhe kontributit që japin vendet kryesisht në projektet ndërkufitare të mbështetura nga Bashkimi Evropian, regjistrimi i shtetasve shqiptarë, duke qenë se në vitin 2018 ka kaluar dhe e gjithë baza e akteve normative për këtë proces dhe rikonstruksioni i pjesëve të ndryshme, logjistikave të institucionit. E fundit, para se të kalojmë te seanca e diskutimeve apo pyetje -përgjigjeve, këtë vit për herë të parë që nga viti 2006, Qeveria ka vendosur për të bërë një rritje cilësore në lidhje me pagat e diplomatëve dhe të gjithë njerëzve që punojnë në Shërbimin e Jashtëm, qofshin këta diplomatë apo në gjuhën e përditshme, staf teknik, të paktën 20 përqind, një rritje e cila do reflektohet nga 1 prilli i vitit të ardhshëm. Është besojmë një kontribut i mëtejshëm për ta stabilizuar Shërbimin e Jashtëm dhe për ta sjellë në ato parametra të një pune normale që e kanë edhe vendet e tjera të rajonit .