Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe me ftesë të Ministrit të Jashtëm Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan. Ministri Bushati po ndjek punimet e Forumit Sir Bany që mbahet në Emirate, një platformë e rëndësishme e diskutimit politik e cila trajton çështjet dhe sfidat me të cilat përballet Lindja e Mesme dhe impakti i tyre në arkitekturën evropiane të sigurisë.

Gjatë punimeve të Forumit, Ministri Bushati zhvilloi një takim me homologun emiratas Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan. Të dy ministrat vlerësuan nivelin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona, duke e vënë theksin në bashkëpunimin ekonomik dhe financimin nga Emiratet të projekteve infrastrukturore në Shqipëri. Në këtë kuadër ministri Bushati kërkoi mbështetje për financimin e projektit për zgjatimin e bulevardit të ri të Tiranës. Duke u ndalur tek bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e turizmit, Ministri Bushati e falënderoi homologun e tij për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë për pjesëmarrjen në panairin 6-mujor Ekspo 2020 në Dubai. Të dy ministrat vlerësuan si mjaft të frytshëm edhe bashkëpunimin shumëpalësh dhe mbështetjen reciproke në organizatat ndërkombëtare.

Në fund të takimit Ministrat Bushati dhe Abdullah bin Zayed Al Nahyan nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit për Konsultime Politike midis Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Jashtme të Emirateve të Bashkuara.