Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati së bashku me Ambasadorin e Italisë në Shqipëri, Alberto Cutillio, zhvilluan një konferencë për shtyp, ku lajmëruan mbi dakordësinë e arritur së fundmi mes dy ministrive të jashtme mbi procedurën e heqjen e certifikimit të përkthimit nga ana e Ambasadës Italiane.

Ministri Bushati nënvizoi se: “Pas Austrisë dhe Belgjikës, Italia është rasti i tretë i vendosjes së një praktike të tillë, por natyrisht që impakti është disa fish më i madh, duke qenë se një numër i konsiderueshëm qytetarësh shqiptarë jetojnë dhe punojnë në Itali”.

Procedura e heqjes së certifikimit nga ana e tyre, hyn në fuqi më 1 janar 2019 dhe përbën lehtësim për shtetasit tanë që konsiston si në shkurtim të afateve kohore, ashtu edhe të kostove financiare, duke marrë parasysh se ky proces, pra edhe certifikimi i përkthimit të dokumentit, tashmë do të përmbyllet pranë Sektorit të Legalizimit në MEPJ. Duke filluar nga 1 janar 2019, Sektori i Legalizimeve në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në kuadër të këtij dakordësimi, do të legalizojë dokumentin origjinal si dhe përkthimin e tij.

Në fjalën e tij Ministri Bushati theksoi se: “krahas këtij hapi pozitiv në mënyrë të përshkallëzuar, siç kemi bërë për një numër të madh të shërbimeve konsullore që ofrohen sot për sot në mënyrë elektronike, falë bashkëpunimit me qeverinë italiane, në këtë moment ne vijmë me një paketë të re për 2019-ën, në kuadër të vëmendjes sonë të shtuar ndaj qytetarëve shqiptarë që jetojnë dhe kontribuojnë në Itali, por dhe si pjesë e reformës së shërbimit konsullor”.

Me marrëveshjen e re, pas përkthimit të dokumentit tek një noter, certifikimi i përkthimit nuk do të bëhet më nëpërmjet Ambasadës italiane por nëpërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Nëpërmjet kësaj marrëveshje koha e marrjes së shërbimit shkurtohet me 4 ditë si dhe kursehen 2.830 lekë. Gjatë një viti legalizohen rreth 110.000 dokumente shqiptare për përdorim në Itali, që do të thotë se me procedurën e re, qytetarët shqiptarë do mund të kursejnë rreth 311.300.000 lekë.

 

Fjala e Ministrit Ditmir Bushati

Përshëndetje të gjithëve,

Kam kënaqësinë të jem para jush në këtë komunikim me opinionin publik për një lajm të rëndësishëm për qytetarët tanë që jetojnë në Itali. Fjala është për lehtësimin e një procedure të rëndësishme që do të fillojë të aplikohet nga 1 janari 2019, pra, vetëm në pak ditë nga ky moment, falë bashkëpunimit të ngushtë e të shkëlqyer me qeverinë italiane dhe me këtë rast, më lejoni të falënderoj në radhë të parë ambasadorin e Italisë në Shqipëri, z. Cutillio për këtë bashkëpunim.

Së bashku me ekipin tonë të shërbimeve konsullore dhe falë kësaj pune, nga 1 janari 2019, do të hiqet çertifikimi i përkthimit të dokumentit që deri më sot shtetasit tanë kanë bërë pranë ambasadës italiane.

Italia është rasti i tretë, pas heqjes së një praktike të tillë me Austrinë dhe Belgjikën por natyrisht që impakti është disa fish më i madh, duke qenë se një numër i konsiderueshëm qytetarësh shqiptarë jetojnë dhe punojnë në Itali. Prandaj, dhe vendosëm që për këtë ngjarje të bënim një komunikim të posaçëm.

Praktika e deritanishme është e njohur. Do të duhej që një dokument të përkthehej, të noterizohej pranë noterit, të legalizohej pranë ambasadës italiane, para se ky proces apo dokument të bëhej i vlefshëm nëItali dhe ku dihet që shtetasit shqiptarë do të duhej të vinin të paktën dy herë edhe në MEPJ.

Mund t’u them që vetëm gjatë këtij viti që po mbyllim, ka mbi 100 mijë raste të shtetasve shqiptarë që kanë ndjekur këtë procedurë burokratike që u përpoqa t’ua sqaroja dhe ne besojmë që me reduktimin e kohës dhe me reduktimin e kostos, vlera që nuk do të shpenzohet më, apo që ruhet nga xhepat e qytetarëve shqiptarë është rreth 2.6 milionë euro.

Prandaj mendojmë që krahas këtij hapi pozitiv në mënyrë të përshkallëzuar, siç kemi bërë për një numër të madh të shërbimeve konsullore që ofron sot për sot në mënyrë elektronike, falë bashkëpunimit me qeverinë italiane, në këtë moment ne vijmë me një paketë të re për 2019-ën, në kuadër të vëmendjes sonë të shtuar ndaj qytetarëve shqiptarë që jetojnë dhe kontribuojnë në Itali, por dhe si pjesë të të gjithë reformës në shërbimin konsullor. Siç dihet, më herët ne kemi pasur mundësi për të realizuar lëshimin e çertifikatave të gjendjes civile online, verifikimin, lëshimin e vërtetimit të vlefshmërisë së lejeve të drejtimit të automjeteve, verifikimin dhe lëshimin e vërtetimit të gjendjes gjyqësore, dëshminë e penalitetit siç i thonë ndryshe, apo denoncimin e humbjes, vjedhjes dhe dëmtimit të pasaportave dhe kartave të identitetit.

Në këtë hap që hedhim sot dhe që hyn në fuqi në 1 janar, pra në vetëm pak ditë, ne kemi mundësi për të reduktuar dhe një herë tjetër kohën për të kursyer shpenzimet që shtetasit tanë bënin deri në këtë moment që flasim. Kujtoj këtu që para pak javësh, kam pasur mundësi të kem interpelancë me një pjesë të komunitetit shqiptar që jeton në zonën e Italisë së Veriut dhe kjo ishte një nga temat më të ndjeshme në diskutim me komunitetin tonë që jeton atje. Prandaj, më vjen mirë që ne sot kemi mundësi për të ofruar një shërbim të ri që do të merret me më pak kosto financiare, do të merret brenda një harku kohor më të shkurtër dhe natyrisht, t’i qëndrojmë kësisoj më pranë nevojave që ka komuniteti ynë që jeton në Itali.

Më lejoni me këtë rast t’i jap fjalën ambasadorit të Italisë në Shqipëri, zotit Alberto Cutillio.

Ambasador, fjala për ju

Fjala e Ambasadorit të Italisë në Shqipëri, z. Alberto Cutillo

Ju faleminderit zoti Ministër sepse ju, pak a shumë e thatë gjithçka.

Unë thjesht do të doja të nënvizoja edhe nga ana ime sesi vendimi i përbashkët që morëm si Ministri e Jashtme italiane dhe si Ambasadë për të kaluar këtë procedurë të legalizimit në Ministrinë e Jashtme shqiptare është para së gjithash një shenjë besimi dhe miqësie ndërmjet dy vendeve tona.

Do të doja të thoja edhe shenjë apo një gjest në një farë mënyrë që Ambasada edhe humbet disa fitime, le të themi. Ministri foli për disa shifra por gjithsesi, shërbimi që do të ofrohet nga Ministria e Jashtme shqiptare do të jetë i jashtëzakonshëm dhe shtetasit nuk do të kenë problem. Gjithashtu dhe koha e kërkuar do të jetë edhe më e shkurtër.

Do të doja të theksoja dhe të falënderoja edhe stafin e Ambasadës sepse ndër vite stafi i Ambasadës ka bërë të pamundurën për të reduktuar edhe kohën që duhej për legalizimet. Gjithashtu, do të doja të falënderoja edhe zyrën postare shqiptare në bashkëpunimin por gjithsesi, kjo kërkon edhe kosto më të ulëta, pra më të vogla.

Vëmendja ndaj shtetasve bën pjesë edhe në agjendën politike të të dy vendeve tona. Do të doja gjithashtu të përcillja edhe një informacion të rëndësishëm për shtetasit sepse pikërisht nga data 1 janar, sikundër tha edhe Ministri, procedura që do të ndiqet për ata që dëshirojnë të legalizojnë dokumente për t’i përdorur në Itali, që të jenë të vlefshme pra në Itali, para së gjithash duhet ta përkthejnë në një prej përkthyeseve të njohur, firma e të cilit është e depozituar pranë Ministrisë së Drejtësisë Shqiptare.

Më tej do të duhet të paraqiten pranë një noteri i cili legalizon dhe njeh firmën e përkthyesit dhe integritetit të tij ligjor dhe më pas do t’i drejtohen ministrisë së Jashtme për të përmbyllur procedurën nëpërmjet vendosjes së apostiles sikurse parashikohet nga neni 1 i Konventës së Hagës e vitit 1961 dhe që njihet nga të gjitha shtetet që bëjnë pjesë dhe që e kanë pranuar këtë Konventë e pastaj të paraqiten në Itali për përdorimin e nevojshëm.

Do të doja gjithashtu të theksoja se shtetasit shqiptarë që jetojnë në Itali dhe që do të ishte më e thjeshtë, ata mund të kryejnë përkthimin nga një përkthyes i njohur në Itali pranë gjykatave ose pranë një noteri. Gjithsesi është një masë, apo një hap që mund të kryhet nga shtetasit shqiptarë që jetojnë në Itali, por kushton paksa më shumë sesa kushton në Shqipëri.

Një hap i tillë që do të na bëjë të mundur edhe të çlirojmë disa burime njerëzore që për momentin janë të angazhuar në shërbimin konsullor në Ambasadë dhe që mund të angazhohen në shërbime të tjera. Është një hap i ndërmarrë në dobi të shtetasve për rritjen e mëtejshme të Administratës Publike shqiptare dhe ne e falënderojmë për këtë dhe e përgëzojmë.

Faleminderit zoti Ministër ju dhe stafit tuaj për këtë detyrë që do të filloni prej datës 1 Janar.

Por, gjithashtu falënderime, përgëzime dhe urime për festat e fund vitit.