Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Artemisa Malo, priti në takim z. Tobias Gothardt, Kryetar i Komisionit për Çështjet Federale, Evropiane dhe Rajonale në parlamentin bavarez, i cili u shoqërua nga zëvendësambasadori gjerman në Tiranë zoti Johannes Dietrich. Vizita e z.Gothardt, ka si qëllim njohjen nga afër të situatës në vend. Në takim ishte e pranishme edhe zëvendësministrja e Drejtësisë, zonjaTeuta Vodo.

Fokusi i diskutimit ishte në progresin e reformave të ndërmarra në kuadër të Integrimit Evropian të Shqipërisë, misionin e MEPJ si dhe bashkëpunimin bilateral. Zëvendësministrja Malo, vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira si në aspektin dypalësh ashtu dhe atë shumëpalësh dhe shprehu gatishmërinë e palës shqiptare për të vijuar më tej bashkëpunimin me autoritetet gjermane në fushat e interesit të përbashkët.

Zonja Malo, nënvizoi se në këtë moment kaq të rëndësishëm për vendin tonë, mbajtja e komunikimit intensiv me partnerët ndërkombëtarë është tejet e rëndësishme. Ajo paraqiti një tablo mbi progresin e bërë në 5 prioritetet kyçe dhe rolin e MEPJ në të gjithë proçeset integruese të vendit.

Zëvendësambasadori gjerman, z.Dietrich përgëzoi palën shqiptare për marrjen e Kryesisë së OSBE-së për vitin 2020 dhe theksoi dëshirën e Republikës Federale të Gjermanisë për të mbështetur Shqipërinë në të gjitha hapat dhe angazhimet e ndërmarra. Ai u ndal edhe në domosdoshmërinë e dialogut midis qeverisë dhe opozitës në vend.

Zoti Gothardt, vlerësoi progresin e deritanshëm dhe nënvizoi se është e domosdoshme të vijojë puna e nisur për përmbushjen e detyrave në kuadër të integrimit evropian të Shqipërisë.