Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Gjenerata e re e diplomatëve të vitit 2018 që u pranuan në sistemin e Karrierës Diplomatike, kanë kryer Aktin e Betimit gjatë një ceremonie të zhvilluar në ambientet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në prani të Ministrit në Detyrë, Gent Cakaj.

Të pagëzuar me emrin gjenerata “Fan Noli”, diplomatët e rinj u betuan në prani të kolegëve të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe të familjarëve të tyre. Në ceremoni mori pjesë dhe përshëndeti z.Arjan Starova, ish Ministër i Jashtëm dhe President i Klubit Shqiptar të Atlantikut të Veriut, i cili ishte i ftuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme si Mentor i brezit të diplomatëve që u betuan me rastin e fillimit të karrierës Diplomatike.

Për Ministrin në Detyrë Cakaj, këta diplomatë janë gjenerata që do të ballafaqohet me sfidat më madhore politike e diplomatike të Shqipërisë ndër vite pasi i pret një vëllim i padiskutueshëm punësh historike dhe një përgjegjësi e jashtëzakonshme profesionale.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministri në Detyrë theksoi se, “kjo gjeneratë do të jetë e angazhuar drejtpërdrejtë në sfidat për ta bërë Shqipërinë si e gjithë Evropa dhe për të udhëhequr procesin e integrimit”. Ai përmendi rolin e rëndësishëm të kësaj gjenerate në angazhimin e drejtpërdrejtë për kryesimin historik të Shqipërisë në OSBE apo në sfidën e përbashkët për të siguruar vendin e anëtarit jo permanent në Këshillin e Sigurimit në vitin 2022.

Duke theksuar domosdoshmërinë e fuqizimit të sistemit diplomatik, bazuar në gradat diplomatike dhe meritat profesionale, Ministri në Detyrë Cakaj garantoi mbështetjen e pakursyer të ministrisë, qeverisë dhe institucioneve të Shqipërisë, për t’i dhënë përparësi diplomatëve të karrierës.

Ceremonia e betimit të diplomatëve të rinj, është shndërruar në një traditë për diplomacinë shqiptare.

Gjenerata e parë e tyre, ishte ajo e vitit 2015 e emëruar, “Urdhëri i Skënderbeut”. Më pas, gjenerata e vitit 2016, u quajt gjenerata “Rauf Fico”, duke vijuar me gjeneratën e vitit 2017 që mban emrin, “Ismail Qemali”.