Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Në kuadër të procesit screening, më datë 3 – 4 qershor, 2019, u zhvillua në Bruksel në ambientet e Komisionit Evropian,  takimi  shpjegues për kapitullin 16 “Tatimet ”.

Në këtë takim Delegacioni shqiptar u kryesua nga z. Sokol Dedja,  Zëvëndësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe z. Elton Haxhi, Zëvendësministër, Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Delegacioni i Komisionit Evropian kryesohej nga z. Marc Jorna. Në këtë takim, pala shqiptare mori pjesë njëkohësisht me palën Maqedonase.

Ky takim u organizua në kuadër të procesit “screening’ me qëllim prezantimin e kuadrit ligjor të BE-së, të detyrueshëm  për përafrim nga pala shqiptare. Screening është faza e parë në  kontekstin e hapjes dhe zhvillimit të negociatave për anëtarësim  në Bashkimin Evropian. Për palën shqiptare kjo fazë përgatitore, në pritje të hapjes së negociatave, ka filluar në vjeshtën e vitit 2018.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme  dhe institucioni lider për këtë kapitull, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në bashkëpunim me grupet respektive të punës, në analizë të agjendës së takimit, ka identifikuar institucionet kontribuuese në këtë proces, si dhe ka përgatitur analizën paraprake ligjore së  bashku me pyetjet teknike lidhur në përafrimin dhe zbatimin e legjislacionit. Pyetjet do ngrihen gjatë prezantimit të legjislacionit të BE-së.

Agjenda e takimit konsistonte në prezantimin e kuadrit ligjor për Tatimin Direkt dhe Tatimin Indirekt, Bashkëpunimi Administrativ, Kapaciteti Operativ  dhe Kompjuterizimi.

Nëpërmjet EC link, takimi u  ndoq online nga anëtarët e tjerë të GNP-së jo pjesëmarrës në këtë panel me qëllim mundësimin e drejtimit të pyetjeve në kohë reale edhe nga kjo audiencë.

Grupi ndërministror i punës, në vijim të këtij takimi do të përmbyllë analizën e plotë ligjore për  identifikimin e kuadrit ligjor të përafruar ose jo, që teknikisht quhet ‘Analiza e Mangësive Ligjore’.

Për sa më sipër, i gjithë procesi koordinohet e drejtohet nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në bashkëpunim me Komisionin Evropian, Misionin e Shqipërisë në Bruksel dhe Institucionin lider për kapitull.