Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Zëvendësministri i Jashtëm Etjen Xhafaj mori pjesë në Forumin e Biznesit Shqipëri-Kroaci, organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë.

Në fjalën e tij, Zëvendësministri Xhafaj e vuri theksin tek nevoja dhe mundësitë që bizneset, si aktorë shumë të rëndësishëm dhe promotor të nxitjes dhe intensifikimit të bashkëpunimit mes vendeve, kanë ndikim dhe rol të pazëvendësueshëm në shërbim të interesave ekonomike dhe fushën e biznesit, promovimit dhe potencialeve për investime, tregti dhe partneritet.
Gjithashtu, ai tha se duke njohur rëndësinë e zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike dhe nevojën për të forcuar pozitën tonë ekonomike, po punohet për të ridefinuar diplomacinë ekonomike, kryesisht përmbajtjen dhe mekanizmat e saj, me një qasje më proaktive dhe pragmatiste në mbështetje dhe ndihmë të promovimit dhe rritjes së investimeve të huaja në Shqipëri, por edhe arritjen e tregjeve të reja.

“Ka shumë potenciale dhe mundësi për kompanitë kroate që të kthejnë vëmendjen drejt Shqipërisë. Ne dëshirojmë të rritim prezencën dhe volumin e bashkëpunimit ekonomik dhe teknik, shkëmbimet tregtare, investimet dhe partneritetet mes bizneseve të të dyja vendeve në sektor si: infrastruktura, transporti, bujqësia, energjia apo turizmi.”- u shpreh Xhafaj.

Duke vlerësuar se takime të tilla të përkthehen me aksione konkrete dhe përparime në rritjen e shifrave sa i takon tregtisë dhe investimeve, bazuar në parimet e “përfitimeve reciproke”, Zëvendësministri Xhafaj i ftoi bizneset kroate, prezent në takim por edhe të tjerat, që ta shikojnë Shqipërinë, si destinacionin e radhës së investimeve të tyre dhe të punojnë së bashku me kompanitë shqiptare duke bërë më të mirën për të maksimizuar bashkëpunimet dhe rritur shkëmbimet tona ekonomike.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ambasada e Shqipërisë në Kroaci, nga ana e tyre, do të mbështesin dhe asistojnë maksimalisht nxitjen, bashkërendimin dhe koordinimin e kërkesave dhe interesave të shprehur me të gjithë aktorët dhe faktorët shtetërorë dhe privat, brenda dhe jashtë Shqipërisë.