Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Nënshkruhet në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme Marrëveshja e Financimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, në lidhje me Programin Vjetor Kombëtar për Shqipërinë për vitin 2018, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA II).

Ceremonia e nënshkrimit u bashkëkryesua nga zv. Ministri i MEPJ, Sokol Dedja, si Koordinator Kombëtar i fondeve IPA dhe Ambasadori i BE-së në Tiranë, Z. Luigi Soreca, me pjesëmarjen e përfaqësuesve të institucioneve qendrore, përfituese nga fondet e këtij Programi.

Programi vjetor kombëtar IPA 2018,  do të mbështesë sektorin e Demokracisë dhe Mirëqeverisjes, Shtetit të së Drejtës dhe të  Drejtat Themelore, sektorin e Mjedisit, si dhe sektorin e Konkurrueshmërisë, me një fond total prej  94,1 milion Euro, si kontribut i BE-së.

Programi IPA 2018 synon ndër të tjera të mbështesë reformën në sektorin e Drejtësisë, me 42 milion Euro, ndërsa 19 milion Euro do të synojnë forcimin e  Shtetit të së Drejtës dhe Luftës Kundër Krimit të Organizuar e Drogës.

Gjithashtu, 24.1 milion Euro do të jepen për të përmirësuar sistemin e trajtimit të ujërave që është shumë i rëndësishëm për të mbajtur të pastra brigjet dhe zonat tona turistike.

6 milion Euro do të nxisin zhvillimin e turizmit, duke adresuar trashëgiminë kulturore të vendit tonë.

Në rrugën tonë evropiane, mbështetja financiare e Bashkimit Evropian ka qenë një aset i jashtëzakonshëm në zbatimin e reformave kombëtare dhe përfitimi nga fondet IPA, përveç se ka ndihmuar vendin tonë në zbatimin e detyrimeve që lindin gjatë procesit të integrimit në BE, gjithashtu, në mënyrë konsistente, ka përbërë dhe përbën një faktor nxitës në përgatitjet e institucioneve qëndrore për negociatat e ardhshme për anëtarësim.