Në kuadër të procesit screening, u zhvillua në Bruksel në ambjentet e Komisionit Evropian, takimi shpjegues për kapitullin 11 “Bujqësia dhe Zhvillimi Rural”.
Në këtë takim Delegacioni shqiptar u kryesua nga z. Sokol Dedja, Zëvëndësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.Delegacioni i Komisionit Evropian kryesohej nga z. Marc Jorna. Në këtë takim, pala shqiptare merr pjesë njëkohësisht me palën Maqedonase.
Ky takim u organizua në kuadër të procesit “screening’ me qëllim prezantimin e kuadrit ligjor të BE-së, të detyrueshëm për përafrim nga pala shqiptare. Screening është faza e parë në kontekstin e hapjes dhe zhvillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Për palën shqiptare kjo fazë përgatitore, në pritje të hapjes së negociatave, ka filluar në vjeshtën e vitit 2018.
Ministria për Evropen dhe Punët e Jashtme (MEFA) dhe institucioni lider për këtë kapitull, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me grupet respektive të punës, në analizë të agjendës së takimit, ka identifikuar institucionet kontribuese në këtë proces, si dhe ka përgatitur analizën paraprake ligjore së bashku pyetjet teknike lidhur në përafrimin dhe zbatimin e legjislacionit. Pyetjet do ngrihen gjatë prezantimit të legjislacionit të BE-së.
Agjenda e takimit konsistonte në prezantimin e kuadrit ligjor për Strukturat financiare dhe administrative, Organizimi i Tregut të Përbashkët,Zhvillimi Rural dhe Politika e Cilësisë,etj.
Nëpërmjet EC link, takimi mund të ndiqej online nga anëtarët e tjerë të GNP-së jo pjesëmarrës në këtë panel me qëllim mundësimin e drejtimit të pyetjeve në kohë reale edhe nga kjo audiencë.
Grupi ndërminstror i punës, në vijim të këtij takimi do të përmbyllë analizën e plotë ligjore për identifikimin e kuadrit ligjor të përafruar ose jo, që teknikisht quhet ‘Analiza e Mangësive Ligjore’.
Për sa më sipër, i gjithë procesi koordinohet e drejtohet nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në bashkëpunim me Komisionin Evropian, Misionin e Shqipërisë në Bruksel dhe Institucionin lider për kapitull.