Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Takimi i 11-të i Nën Komitetit midis BE-së dhe Shqipërisë për çështjet në lidhje me Arsimin, Kërkimin dhe Inovacionin, Shoqërinë e Informacionit dhe Politikën Sociale u mbajt më 23 janar në Tiranë. Përfaqësuesit nga Komisioni Evropian (Komisioni) diskutuan me autoritetet përkatëse shqiptare zhvillimet më të fundit në këto fusha. Takimi u bashkë kryesua për BE-në nga z. Alberto Cammarata, Zëvendës Shef i Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje dhe Hercegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Evropian dhe për Shqipërinë nga z. Sokol Dedja, Zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.

 

Komisioni përgëzoi përpjekjet e bëra nga Shqipëria gjatë vitit 2019 në fushën e punësimit dhe krijimin e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive. U theksua rëndësia e burimeve njerëzore të mjaftueshme për të përmbushur funksionet e Agjencisë. Komisioni inkurajoi autoritetet të ndërmarrin hapa të mëtejshëm për të përfunduar procesin e hartimit dhe miratimit të Strategjisë Shqiptare të Specializimeve Inteligjente. Komisioni theksoi se nevojiten më shumë përpjekje për të rritur performancën e pjesëmarrjes së Shqipërisë në programin kërkimor të BE-së (“Horizon 2020”) dhe inkurajoi autoritetet që të miratojnë Ligjin për Shkencë dhe Kërkime Shkencore. Komisioni përgëzoi Shqipërinë për përparimin në qeverisjen dixhitale dhe nënvizoi nevojën për të finalizuar zbatimin e kalimit dixhital. Në lidhje me legjislacionin për median, Komisioni ritheksoi rëndësinë e përputhshmërisë me standardet evropiane. Komisioni përgëzoi rezultatet e mira lidhur me pjesëmarrjen e shqiptarëve në programin arsimor Erasmus+ dhe njoftoi se Platformat 2020 për Ballkanin Perëndimor për Arsimin & Trajnimin dhe Kërkimin & Inovacionin do të zhvillohen në Tiranë më 25-26 maj.