Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, me ftesë të organizatorëve, mori pjesë në Mëngjesin e 68-të të Lutjeve që u zhvillua në Uashington.

Aktiviteti i organizuar nga Anëtarët e Kongresit të Shteteve të Bashkuara dhe Fellowship Foundation, përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme të përvitshme.

Në të morën pjesë përfaqësuesit më të lartë të shteteve, udhëheqës botërorë fetarë, politikë, biznesmenë, etj, për të nderuar besimin dhe miqësinë.

Presidenti i SHBA, Donald Trump, në fjalën e mirëseardhjes, shprehu mbështetjen e tij për Krijimin e Aleancës Ndërkombëtare për Liritë Fetare, nismë kjo që u përqafua aktivisht edhe nga vendi ynë, si dhe falënderoi të gjithë përfaqësuesit e shteteve që i’u bashkuan gjerësisht kësaj Aleance.

“SHBA-të bazohen në parimin që të drejtat tona nuk vijnë nga qeveria, ato vijnë nga Zoti. Amerika do të qëndrojë gjithmonë përkrah fesë”, u shpreh Trump.

Në margjinat e aktivitetit, Ministri Cakaj zhvilloi një sërë takimesh me homologët e tij ku ndër të tjera, diskutoi mbi çështjet dhe sfidat aktuale ndërkombëtare si dhe mbi rolin dhe angazhimin e Shqipërisë në adresimin e tyre.

“Shqipëria qëndron e vendosur në respektimin e parimeve të jetës për lirinë, paqen, dinjitetin dhe prosperitetin”- është shprehur Kreu i diplomacisë shqiptare, në një postim në twitter.

Në këtë aktivitet morën pjesë gjithashtu dhe Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko dhe deputeti Damian Gjiknuri.