Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Më 25 qershor 2020 u zhvillua takimi online i Ministrave të Jashtëm të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP). Në cilësinë e Presidencës kosovare të SEECP-së, Ministeriali u drejtua nga Ministrja e Jashtme e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj. Shqipëria u përfaqësua nga Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Sokol Dedja.

Diskutimet në takim u përqëndruan në forcimin e bashkëpunimit rajonal, veçanërisht për përballimin e pasojave të krizës së COVID-19, si dhe në procesin e integrimit evropian të rajonit.
Në fjalën e tij, Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Sokol Dedja vlerësoi qasjen konstruktive dhe produktive të Presidencës kosovare të SEECP-së dhe nënvizoi angazhimin e Shqipërisë në forcimin e bashkëpunimit rajonal. Ai theksoi nevojën për bashkërendim në rajon dhe me BE-në, si në masat për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të COVID-19, ashtu dhe në përballjen me pasojat e krizës dhe në rimëkëmbjen ekonomike.

Më tej, Zëvendësministri Dedja theksoi rëndësinë e vendimit historik të Këshillit Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke vlerësuar mbështetjen e vendeve të BE-së, të cilat janë anëtare të SEECP-së. Dedja nënvizoi se, pas vendimit pozitiv të Këshillit Evropian në muajin mars, Qeveria shqiptare ka përforcuar më tej punën me reformat në vend dhe ka vendosur objektivat e nevojshme politike dhe periudhat kohore për realizimin e tyre.

Në përfundim të Ministerialit u miratua Deklarata e Prishtinës e cila fokusohet tek pasojat ekonomike-sociale të pandemisë në rajonin e SEECP-së, perspektiva evropiane e rajonit, bashkëpunimi rajonal, prioritetet e Presidencës kosovare si dhe kalimi i Presidencës së SEECP-së tek Turqia.