Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Takimi i 12-të i Drejtësisë, Lirisë dhe Sigurisë midis BE-së dhe Shqipërisë u zhvillua më 30 qershor dhe 1 korrik, 2020. Përfaqësuesit nga Komisioni Evropian dhe autoritetet shqiptare diskutuan mbi zhvillimet më të fundit në fushën e reformës gjyqësore, të drejtave themelore, anti-korrupsionit, azilit dhe migracionit, pastrimit të parave, luftës kundër krimit te organizuar, trafikimit të drogës dhe anti-terrorizmit. Takimi u zhvillua nën drejtimin e përbashkët të Znj. Michela Matuella, Shefe e Njësisë për Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Zgjerimit të Komisionit Evropian dhe Znj. Fjoralba Caka, Zëvendësministre e Drejtësisë. 

Komisioni ka mirëpritur faktin që progresi në veting ka vazhduar gjatë periudhës së mbylljes, për shkak të pandemisë së Covid-19 dhe që seancat kanë rifilluar në qershor të vitit 2020. Komisioni ka njohur progresin e arritur në fusha të tjera të reformës në drejtësi, duke përfshirë caktimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë sikurse dhe anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese. Emërime të tjera në Gjykatën Kushtetuese do të vazhdojnë pa vonesë për të siguruar funksionimin e saj të plotë. Komisioni ka nënvizuar që çdo rishikim i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi në të ardhmen do të sigurojë që Këshilli të vazhdojë të funksionojë në pavarësi të plotë. Komisioni gjithashtu ka mirëpritur faktin që Zyra e Specializuar e Prokurorisë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka filluar të funksionojë. Për sa i përket të drejtave themelore, Komisioni ka mirëpritur adaptimin e Ligjit mbi përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë dhe ka theksuar nevojën për të siguruar zbatimin e saj. Komisioni ka bërë thirrje për miratimin e legjislacionit të mbetur dytësor mbi mbrojtjen e minoriteteve kombëtare. Paketa anti-shpifje duhet rikonsideruar në linjë me rekomandimet e fundit të Opinionit të Komisionit të Venecias.

Komisioni theksoi nevojën për përpjekje të vazhdueshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe luftën kundër krimit të organizuar. Ai pranoi rezultatet konkrete të arritura për të trajtuar kultivimin dhe trafikimin e kanabisit dhe përshëndeti operacionet e intensifikuara të policisë, të cilat kërkojnë ndjekje gjyqësore.

Shqipëria duhet të vazhdojë të përparojë në zbatimin e planit të veprimit të Task Forcë të Veprimit Financiar (FATF). Komisioni përshëndeti raportin e parë të Shqipërisë për përparimin në përfundimin e veprimeve prioritare të përcaktuara në marrëveshjen anti-terrorizëm me BE. Komisioni përshëndeti përpjekjet konkrete të bëra për të përmirësuar dialogun dhe bashkëpunimin me vendet e BE më të prekura nga aplikimet e pabazuara të azilit të shtetasve shqiptarë. Shqipëria dhe Komisioni ranë dakord që Shqipëria të vazhdojë të sigurojë bashkëpunim efektiv dhe të bashkëpunojë me Shtetet Anëtare të destinacionit.