Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Nga data 8-9 tetor 2020, z. Zef Mazi, Kryenegociator i Shqipërisë për negociatat e anëtarësimit me BE-në zhvilloi një vizitë zyrtare pune në Gjermani. Gjatë qëndrimit, Kryenegociatori Mazi kreu disa takime pune në Kancelarinë Federale dhe Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme.

Kryenegociatori Mazi dhe delegacioni që e shoqëronte, i përbërë nga Zëvendësministrja e Drejtësisë, znj. Adea Pirdeni, Zëvendësministri i Brendshëm, z. Besfort Lamallari dhe Drejtuesi i SPAK, z. Arben Kraja, zhvilluan një seancë dëgjese në Komitetin e Çështjeve Europiane në Bundestag. Seanca dëgjimore u kryesua nga Zëvendëskryetari i Komitetit, deputeti Markus Töns (SPD) dhe në të morën pjesë nga grupet parlamentare të SPD (deputetët Baradari/Petry), të FDP ( deputeti Hacker), të Di Linke (deputeti Hunko), të Die Grune (deputeti Sarrazin).

Kryenegociatori Mazi u takua edhe me Raporteren e CSU për Shqipërinë në Komitetin e Cështjeve Evropiane, znj. Katrin Staffler.
Bashkëbiseduesve iu dha informacion i gjerë dhe i përditësuar për ecurinë e reformave dhe rezultatet konkrete për përmbushjen e prioriteteve të Këshillit, përpara KNQ së Parë, specifikisht në reformën e gjyqësorit dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Siç konfirmoi edhe Raporti 2020 për Shqipërinë i Komisionit Evropian, Shqipëria është fare afër përmbushjes së prioriteteve përpara KNQ së parë.

Bashkëbiseduesit gjermanë njohën dhe mirëpritën zhvillimet shumë pozitive në përmbushjen e prioriteteve përpara KNQ së parë nga Shqipëria dhe konfirmuan mbështetjen gjermane, përfshirë në kuadër të Presidencës gjermane të Këshillit të BE-së, për bërjen të mundur të mbajtjes së KNQ-së së parë me Shqipërinë brenda 2020-ës, nëse Shqipëria vazhdon të delivrojë për të përmbushur prioritetet e mbetura.

Bashkëbiseduesit ranë dakord për të intensifikuar kontaktet, përfshirë ato në nivel parlamentar, për informim në vazhdimësi nga Shqipëria të përmbushjes së kërkesave të Këshillit para KNQ-së së parë.