Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Sot, më 18 dhjetor, në ditën Ndërkombëtare të Migracionit dhe njëkohësisht në Ditën Kombëtare të Diasporës u mbajt takimi “on line” për prezantimin e platformës ambicioze, “Connect Albania” me pjesëmarrjen e Zv. Ministrit të MEPJ, z. Sokol Dedja, Ministrit të Shtetit për Diasporën, Z. Pandeli Majko, përfaqësues të IOM si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve shtetërore.

Qëllimi i takimit ishte diskutimi dhe shkëmbimi i ideve mbi bashkëpunimin në vijimësi të institucioneve shqiptare me partnerët ndërkombëtare, për të gjetur mundësi dhe zbatuar projekte që i sjellin shqiptarët e diasporës gjithnjë e më pranë vendit të tyre. Pikërisht këtij qëllimi i shërben dhe projekti ambicioz dhe mjaft i dobishëm “Connect Albania”, i cili e ngre rolin e diasporës nga një “fond remitancash”, në kontributore aktive të mirëqënies dhe ekonomisë së vendit.

Ky projekt me një vizion strategjik e vetë ndërgjegjësim, për herë të parë përfshin anëtarët e diasporës përmes masave të Strategjive Kombëtare të Diasporës, në nivele të larta institucionale. Projekte si këto nuk synojnë thjesht angazhimin e individëve të suksseshëm të diasporës në rritjen ekonomike të atdheut që ata lanë dikur, por janë edhe një ftesë për t’i kthyer këta individë si kontributorë dinjitozë në atdhe.

Projekti “Connect Albania”, është një garanci për përfshirjen e përfaqësuesve të talentuar dhe të suksesshëm të diasporës në investime financiare, kulturën e punës, aftësitë e fituara në menaxhim nga eksperiencat e tyre nëpër botë duke, sjellë know-how të praktikave nga vendet e tjera si biznesmenë e sipërmarrës.