Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Në datën 18 dhjetor 2020 në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme u zhvillua një aktivitet i kufizuar në kuadër të 100 vjetorit të anëtarësimit te Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve dhe 65 vjetorit të anëtarësimit në Kombet e Bashkuara. Këto dy përvjetore të rëndësishme në historinë e Shqipërisë dhe diplomacisë shqiptare kremtohen edhe në prag të përzgjedhjes së kandidaturës së Shqiperisë për një vend jo të përhershëm në KS-OKB-së, për periudhën 2022-2023.

Këtë aktivitet e drejtoi Sekretari i Përgjithshem i MEPJ, z. Armand Skapi. Në kushtet e kufizimeve në zbatim të protokollit për shkak të pandemisë, të ftuar ishin edhe Koordinatorja Rezidente e OKB në Shqipëri, Znj. Fiona McCluney, delegatja rinore nga UNAA që morri pjesë në punimet e sesionit të AP 75 si dhe një numër i kufizuar drejtuesish të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Në fjalën e tij përshëndetëse Sekretari i Përgjithshëm z. Armand Skapi tha se Shqipëria iu bashkëngjit Lidhjes se Kombeve që në vitin e themelimit të saj dhe u bë pjesë e OKB ne vitin 1955. Shqipëria shikonte tek nismat e mëdha botërore të Lidhjes së Kombeve dhe më pas tek Organizata e Kombeve të Bashkuara, atë platformë e instrument të rëndësishëm ndërkombëtar që do ti siguronin Shqipërisë sovranitetin, integritetin territorial dhe mbrojtjen e të drejtave kombëtare, tha ndërmjet të tjerash z. Skapi. Në vijim, Sekretari i Përgjithshem i MEPJ nënvizoi rolin që Shqipëria luan aktualisht në kuadër të multilateralizmit. Pikërisht, duke besuar fort në këtë instrument të rëndësishëm global, Shqipëria është bërë pjesë e shumë nismave ndërkombëtare, jep kontributin e saj për ruajten dhe forcimin e paqes, sigurisë boterore dhe nxit zhvillimin. Këtë vit Shqipëria mbylli me sukses drejtimin e OSBE, tha z. Skapi, ndërkohë që vitin tjetër pret të zgjidhet për një vend jo të përhershëm në KS të OKB, për periudhën 2022-2023.

Përfaqësuesja e OKB në Shqipëri, Znj. Fiona McCluney në fjalën e saj u ndal në angazhimin e Shqipërisë në OKB duke nënvizuar se performanca e përgjithshme e vendit tonë brenda sistemit të kësaj organizate ka evoluar në mënyrë të ndjeshme. Znj. McCluney përmendi disa nga arritjet kryesore të vendit tonë përkatësisht: shërbimi në disa Këshilla dhe Komitete të OKB (të tilla si Këshilli Ekonomik dhe Social i Kombeve të Bashkuara, Këshilli i të Drejtave të Njeriut, Komiteti i Statusit të Grave) dhe organet drejtuese të disa programeve dhe agjencive të specializuara (të tilla si UNESO, UNICEF, UNDP/UNFPA/UNOPS, UNEP, OBSH, UN Habitat) si dhe punën e vendit tonë në zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Shqipëria ka bërë një progres të admirueshëm, vijoi më tej znj. Mc Cluney në fushën e të drejtave të njeriut dhe shoqërisë demokratike, në forcimin e sigurisë, në fushën e bashkëpunimit rajonal, në ruajtjen dhe nxitjen e traditave të tolerancës kulturore e fetare në vend etj.

Përfaqësuesja MC Cluney tha se e mbështet plotësisht kandidaturën e vendit tonë për një vend jo të përhershëm në KS te OKB, për periudhën 2022-2023. Edhe pse i vogël, vendi përfaqëson një zë të fuqishëm për demokracinë, barazinë, paqen dhe zhvillimin nderkombetar, nënvizoi ajo.

Takimin e përshendetën edhe Drejtoresha e Arkivit në MEPJ, Profesoresha e Asociuar, znj. Pranvera Dibra si dhe delegatja rinore në punimet e AP 75, Fiona Dimollari.

Në këtë aktivitet u prezantua edhe libri historiko-diplomatik i MEPJ “Diplomacia shumëpalëshe e Shqipërisë, një histori në përparim e sipër, 1920-2020”.

Aktiviteti u shoqërua me një video material dhe ekspozitë dokumentare historike mbi momentet e anëtaresimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve dhe në OKB, përgatitur nga MEPJ.