Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme z. Agron Tare mori pjesë sot në Takimin e 16 –të të Koordinatoreve Kombëtarë te Nismës 17+1, Kinë-Vende të Evropës Qendrore dhe Lindore.

Ky takim vjen në prag të përgatitjeve të Samitit të 9-të të Liderëve të 17+1, i cili do të mbahet, online, më 9 shkurt 2021.

Zv. Ministri Tare në fjalën e tij e vuri theksin tek situata kërcënuese dhe përballja e vendeve me pandeminë e Covid -19 dhe realitetin e ri të krijuar si pasojë e kësaj krize, i cili po ndikon drejtpërdrejt në ekonomitë dhe shoqëritë tona.

Virusi nuk po kursen askënd dhe nuk njeh kufij, prandaj nevojitet të ndërmerren masa të jashtëzakonshme, qasje të reja të përbashkëta, solidaritet, vendosmëri dhe bashkëpunim për të ndihmuar njëri-tjetrin.

Takime të tilla multilaterale janë platforma jo vetëm për të treguar solidaritet dhe vullnet të përbashkët, por edhe për të orientuar dhe përmirësuar përpjekjet për të ruajtur sigurinë e shëndetit publik rajonal dhe global , si dhe nxitur bashkëpunimin mes vendeve në shumë fusha dhe për ta bërë atë sa më pragmatik dhe të dobishëm për të gjithë.

Shqipëria konsideron se bashkëpunimi në kuadrin e 17 + 1 duhet të përqendrohet dhe të orientohet drejt atyre sektorëve që do të duhet të ri konceptohen dhe të përshtaten me pasojat që pritet të ndodhin dhe të përballen tani e tutje, si shëndetësia, industria ushqimore, bujqësia, shërbimet, turizmi, tregtia, automatizimi dhe kompjuterizimi i ekonomisë, mjedisi dhe dixhitalizimi.