Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

I nderuar Përfaqësues i Lartë,

I nderuar Komisioner,

Të dashur kolegë,

Ju faleminderit për mikpritjen në takimin e 11-të të Këshillit të Stabilizim-Asociimit.

Pas vendimit të Këshillit në mars, Qeveria Shqiptare miratoi në qershor 2020 dhe filloi punën për Planin e saj të Veprimit për përmbushjen e konkluzioneve të Këshillit.

Një nga kushtet më të rëndësishme kishte të bënte me ndryshimet në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, të cilat u miratuan më 23 korrik 2020. Kodi i ri Zgjedhor adreson rekomandimet e OSBE-ODHIR dhe është një shprehje e angazhimit të Qeverisë Shqiptare për dialog politik konstruktiv, duke ndjekur axhendën e reformave në frymën e kompromisit dhe bashkëpunimit.

Jam shumë i lumtur që Kodi Zgjedhor u identifikua nga Indeksi i Demokracisë, si një nga arsyet kryesore për të lëvizur Shqipërinë në një shkallë më lart, nga një regjim hibrid në një demokraci me të meta.

Progres i prekshëm, për të cilin është luftuar fort, është edhe ai i arritur me reformën në drejtësi. Procesi i verifikimit ka ecur përpara në mënyrë të konsiderueshme, në bashkëpunim të ngushtë me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit dhe po përparon dita ditës.

Gjykata Kushtetuese ka rifituar numrin e nevojshëm të anëtarëve të saj dhe funksionalitetin e plotë, me aktualisht 7 nga 9 anëtarë në shërbim. Kjo i lejon Gjykatës të gjykojë të gjitha çështjet në mënyrë efikase dhe tashmë janë zhvilluar edhe seancat e para. Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGj) po zhvillon procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për 12 vendet e lira të punës, për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë.

Brenda marsit 2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor do t’i propozojë Presidentit të Republikës katër kandidatë në fushën e së drejtës penale dhe dy kandidatë në fushën e së drejtës administrative, për emërim në Gjykatën e Lartë. Brenda qershorit 2021, do të arrihet numri i nevojshëm i anëtarëve në Gjykatës e Lartë për të kryer përzgjedhjen e anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese.

Për më tepër, po zbatohet një plan për uljen e rasteve të prapambetura. Gjithashtu është në proces edhe përgatitja e një harte gjyqësore, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, me qëllim rritjen e efikasitetit të të gjithë sistemit të drejtësisë.

Tashmë, progresi i reformës në drejtësi ka një ndikim në luftën kundër korrupsionit, i cili është një përparësi për qeverinë shqiptare. Ne kemi intensifikuar përpjekjet tona për të luftuar korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisë. Koordinimi operacional dhe kapacitetet monitoruese kanë vazhduar të forcohen.

Janë miratuar politika anti-korrupsion që synojnë të ulin në mënyrë progresive nivelin e korrupsionit dhe të rrisin integritetin e institucioneve, duke përmirësuar kështu shërbimin publik për qytetarët, duke e bërë zbatimin e ligjit më efikas dhe duke rritur transparencën.

Në luftën kundër krimit të organizuar rezultatet kanë qenë të konsiderueshme. Edhe këtu reforma e sistemit të drejtësisë ka pasur ndikim të rëndësishëm. Bashkëpunimi ynë me vendet anëtare të BE-së dhe zbatimi i planit të veprimit, që adreson rekomandimet e FATF, gjithashtu ka pasur rëndësi. Shqipëria ka marrë pjesë në disa operacione policore, në disa prej të cilave së bashku me vendet anëtare të BE-së, që synojnë grupe kriminale të krimit të organizuar dhe duke çuar në arrestime e akuza të rëndësishme.

Për më tepër, Shqipëria është i vetmi vend i tretë që ka marrëveshje pune me të gjitha agjencitë e BE-së për drejtësinë dhe punët e brendshme, EUROJUST, EUROPOL dhe FRONTEX.

Arkitektura institucionale për ndjekjen penale dhe gjykimin e çështjeve të korrupsionit dhe krimit të organizuar tani është plotësisht funksionale. Puna e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorisë Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është bërë thelbësore në ndjekjen me më shumë forcë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Prokuroria Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kryer procedime penale në disa çështje të profilit të lartë, duke përfshirë procedimet kundër një ish-Prokurori të Përgjithshëm, nëntë ish-gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, të hetuar për veprën penale të refuzimit të deklarimit, fshehja ose mosdeklarimi i pasurisë;  20 komisionerë zgjedhorë janë të akuzuar për krime elektorale, të kryera gjatë zgjedhjeve të qershorit 2017.

Janë çuar në gjyq rreth 70% e proçedurave të përfunduara dhe afërsisht 86% e personave të përfshirë janë paditur. Për më tepër, Shefi i Byrosë Kombëtare të Hetimit u emërua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në 30 korrik 2020. Tani janë 37 kandidatë në konkurs për zgjedhjen e 60 hetuesve të BKH dhe po presin që procesi i verifikimit të përfundojë.

Shqipëria është shumë e angazhuar  për të implementuar Reformën e Administratës Publike dhe konsolidimin e një shërbimi civil profesional dhe të bazuar në meritokraci. Progresi në politikbërje, planifikimi i integruar i politikave, krijimi i një sistemi më transparent të shpërblimit dhe forcimi i menaxhimit të financave publike është intensifikuar.

Shqipëria është shumë e angazhuar për mbrojtjen e të drejtave themelore të qytetarëve dhe kuadri ligjor është në harmoni më të Drejtat Ndërkombëtare të Njeriut dhe me standardet evropiane. Statusi i vëzhguesit i Shqipërisë në Agjencinë e BE-së e të Drejtave Themelore (FRA) është realizuar. Për sa i përket lirisë së shprehjes, nisma e Parlamentit të Shqipërisë për të propozuar amendamente për ligjin e medias audiovizuale është hequr nga axhenda tani për tani.

Në fushën kritike të pronave, dixhitalizimi i sistemit të regjistrimit në Kadastër po vazhdon dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës është funksionale. Proceset e para të regjistrimit kanë filluar në kohë të njëjtë për të gjitha zonat kadastrale dhe afatet janë duke u respektuar në mënyrë strikte, sipas Planit të Veprimit. Procesi i regjistrimeve të para për zonat kadastrale të Bashkisë Himarë kanë filluar në Maj 2020 dhe po përparojnë mirë.

Shkurtimisht, Qeveria e Shqipërisë ka nisur një reformë pronash nga të gjitha drejtimet që ka si qëllim t’i rikthejë ligjshmërinë çështjes shumë të komplikuar të pronave.

Për më tepër, mbi të drejtat e njeriut, Shqipëria vazhdon të garantojë të drejtat e personave që i përkasin minoriteteve kombëtare. Çdo person që i përket një minoriteti kombëtar në të gjithë territorin e Shqipërisë ka të drejtën e vetë-identifikimit, për mbrojtjen e identitetit të veçantë të pakicave kombëtare, mosdiskriminimin dhe barazi të plotë para ligjit; lirinë e fesë; pjesëmarrjen në jetën publike, ekonomike dhe shoqërore; të drejtën e edukimit në gjuhën e minoritetit kombëtar; përdorimin e gjuhës së minoritetit, etj.

Sa i përket çështjes së migracionit i cili ka qenë një burim shqetësimi, Shqipëria e ka mbajtur angazhimin e saj dhe përpjekjet për të trajtuar aplikimet e pabaza për azil të bëra nga qytetarët shqiptarë në shtetet anëtare të BE-së, duke përmirësuar kapacitetet e institucioneve në menaxhimin e kufijve, edhe duke bashkëpunuar me vendet e destinacionit, shtetet anëtare të BE-së.

E shikoj që kam arritur në fund të kohës time. Por dua të shtoj dhe diçka të fundit.

Nuk ka dyshim që Shqipëria meriton të mbajë Konferencën e parë Ndërqeveritare, gjatë Presidencës Portugeze. Shqipëria i kemi kryer detyrat e saj dhe tani i takon BE-së që të mbajë fjalën. Ky nuk është thjesht një mendim i Qeverisë Shqiptare.

Ky është një konkluzion i Komisionit gjithashtu dhe jam shumë e kënaqur që këtë mendim të vendosur, e ndajnë dhe homologët me të cilët pata kënaqësinë të diskutoj para kësaj vizite.

Jam këtu për ta shtyrë BE-në që të mbajë premtimin e saj ndaj Shqipërisë, por gjithashtu të apeloj që BE të mendojë strategjikisht për rajonin tonë, pasi që çështja në fjalë është shumë herë më e madhe se Shqipëria.

Në rrezik është besueshmëria e BE-së në rajonin tonë dhe në botë. Në rrezik është e ardhmja e vetë hapësirës së BE-së, ku edhe aktorët të tretë po garojnë për influencë dhe kontroll dhe ku çdo njollosje e imazhit dhe besueshmërisë së BE-së, do t’i jepte fuqi velave të axhendave alternative.