Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Në takimin e Sekretarit të Përgjithshëm të MEPJ, Z. Armand Skapi me Nën-Koordinatoren Rajonale të IOM për Ballkanin Perëndimor dhe Shefe e Misionit të IOM në Bosnje dhe Hercegovinë, Znj. Laura Lungarotti, u diskutua mbi bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet IOM dhe institucioneve shqiptare në fushat me interes të përbashkët.

Falë këtij bashkëpunimi, është arritur të konkretizohen ide dhe iniciativa të dobishme që synojnë të forcojnë lidhjen e diasporës shqiptare me atdheun dhe tërheqjen e saj për të kontribuar në zhvillimin social-ekonomik të vendit.

U vlerësua asistenca e Misionit të IOM në Shqipëri, si në përafrimin e legjislacionit për politikat migratore vendase me Acquis Communautaire, në hartimin e strategjive kombëtare për diasporën, ashtu edhe për realizimin e programeve dhe projekteve ambicioze që i sjellin shqiptarët e diasporës gjithmonë e më afër vendit të tyre.

Bashkëbiseduesit u shprehën besimplotë për të ardhmen e suksesshme të këtij partneriteti.