Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Përshëndetje të gjithëve,

Për mua është kënaqësi e veçantë që ndodhem këtu edhe adresoj këtë forum kaq të bukur në këtë aktivitet vërtetë të mirëpritur.

Është një moment shumë i bukur dhe besoj është një moment shumë i bukur edhe për të gjithë trupën e diplomatëve sepse sot na bashkohet një grup i ri diplomatësh, që për herë të parë futen në sistem. E di që nuk ka qënë aspak e lehtë edhe ju është dashur shumë punë, është një investim i madh për të arritur në këtë moment që duhet thënë, e arrijnë vetëm një pjesë e vogël e atyre që kanë dëshirë të ndërtojnë një karrierë në diplomaci. E arrijnë jo thjesht më të talentuarit por mbi të gjitha ata dhe ato që janë të gatshëm të investojnë më shumë kohë dhe punë për të realizuar këtë ambicje të bukur. Ajo që mua më gëzon është që sepse e di se çdo grup i ri diplomatësh integrohen në sistem, përfaqësojnë njëhkohësisht një injeksion të ri idesh, vizionesh, energji nga i cili përfiton i gjithë sistemi. E di që të jesh i ri në një profesion, aq më tepër në një profesion apo sistem si ky që mbështet aq shumë tek tradita, tek protokolli, tek proçedura nuk është kurrë e lehtë.

Rezistenca është e madhe dhe ka shpesh një tendencë për të barazuar vitet e punës me aftësinë për ta bërë atë punë dhe për ta quajtur rininë më një difekt të pakapërcyeshëm derisa të bëheni dhe ju të vjetër por dua t’ju garantoj që do të gjeni tek unë një mbështetje shumë të fortë dhe të vendosur të të rinjve, do të gjeni një drejtuese të gatshme që t’ju krijojë hapësira dhe mundësi për të treguar se çfarë dini të bëni dhe sa mirë dini ta bëni, sepse unë besoj si çdo pjesë tjetër e administratës të institucioneve të shtëtit shqiptar edhe diplomacia ka nevojë për gjak të ri, për gjenerata të reja që të marrin stafetën duke e bërë më mirë sesa bëhen sot dhe më mirë sesa është bërë deri dje misioni i diplomatit. Por ka edhe një arsye tjetër të fortë pse unë ndihem realisht mirë shoh që në grupin prej 10-të diplomatsh të kësaj gjenerate që quhet gjenerata Faik Konica, 8 janë gra dhe vajza.

Në Shqipëri flitet shumë kur rritet përfaqësia e grave në politikë apo polici apo ushtri, në fusha dhe sektorë që tradicionalisht janë konsideruar si domein i burrave, e tillë ka qënë historikisht edhe diplomacia. Rastësisht pak ditë më përpara më ra në dorë Ligji organik i Ministrisë së Punëve të Jashtme të vitit 1929, që është në fakt ligji i parë i shërbimit të jashtëm në Shqipëri edhe misioni i diplomatit merrej i mirëqënë që ishte punë burrash.

Madje në një pikë për të mos lënë fare vend për dyshime thuhej në ‘’nënpunësit e karrierrës nuk duhet të martohen me gra prej race të huaj’’. Por ajo që unë kam kuptuar dhe në kohën e shkurtër që kam në këtë Ministri është që në fakt edhe më shumë se në politikë, polici apo ushtri në diplomaci ai tavani i famshëm i qelqtë është thyer prej kohësh.

Jo vetëm që janë pjesa dërrmuese e punonjësve të kësaj Ministrie gra dhe vajza por disa prej misioneve tona më të rëndësishme drejtohen prej grave, Roma, Athina, Brukseli, Uashingtoni, Misioni ynë Kombet e Bashkuara drejtohen nga gra dhe drejtohen me shumë sukses . Dhe jam krenare që së shpejti kur Shqipëria të marrë vendin e saj jo permanent në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara një nga prioritetet e misionet tonë pranë Këshillit të jenë pikërisht gratë ose më saktë axhenda e grave e paqes dhe sigurisë.

Unë dua t’ju uroj të gjithëve suksese jo vetëm diplomateve por edhe të dy diplomatëve që ndoshta në këtë moment po ndihen pak në minorancë. Ju po integroheni në shërbim në një moment historik për diplomacinë shqiptare. Ka kaq shumë ngjarje të rëndësishme kur sapo ëhstë mbyllur Presidenca e OSBE me shumë sukses kur jemi në prag të marrjes së vendit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kur jemi në prag të Konferencës së Parë Ndërqeveritare, në proçesin e Intergimit në Bashkimin Evropian, janë të gjitha pa diskutim ngjarje madhore, por edhe sfida të jashtëzakonshme që unë kam shumë besim që me kontributin tuaj dhe të të rinjve të tjerë që do ti bashkohen sistemit pas jush do të përballohen me sukses nga diplomacia Shqiptare. Suksese të gjithëve, ju priftë e mbara!