Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në Forumin Rajonal për Zhvillim të Qëndrueshëm të organizuar nga Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE) në bashkëpunim me OKB.

Ministrja Xhaçka u shpreh se miratimi i Agjendës 2030 dhe i Qëllimeve për Zhvillim të Qëndrueshëm i kanë siguruar Shqipërisë kornizën e nevojshme politike në mënyrë që të bëjë zgjedhjet e duhura dhe të kapërcejë krizat.

Kryediplomatja Xhaçka theksoi se SDG-të përbëjnë një pjesë integrale të Strategjisë sonë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim për vitin 2030, ndërsa listoi disa prej nismave thelbësore që qeveria shqiptare ka ndërmarrë drejt zbatimit të tyre.

“Unë jam e lumtur të them se ne jemi duke punuar ngushtë me Kombet e Bashkuara dhe aktorë të tjerë në këtë proces, i cili në fund të fundit është i dobishëm edhe për integrimin tonë në BE. Krahas përpjekjeve për të nxitur një klimë më të mirë investimesh, ne i kemi kushtuar vëmendje të veçantë parimit të “lënies askënd pas”. Një nga politikat qendrore në këtë aspekt mbetet fuqizimi i grave, një fushë në të cilën ne tashmë kemi shënuar një progres të konsiderueshëm”, nënvizoi ministrja në fjalën e saj.